E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trajnimi i mjekëve, qendër e re te “Mbretëresha Geraldinë”

 

ZIRINA LLAMBRO

“Mjekësia shqiptare do të ecë përpara, vetëm nëse prioritet vihet  trajnimi në grup. Në radhë të parë mjekët dhe më tej pacientët. Kjo është një pikë kyçe që shpesh anashkalohet në shëndetësi. Ne duam ta ndryshojmë këtë mendësi”. Me këto fjalë drejtori i maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, në Tiranë përshkruan investimin e fundit që është bërë. Një financim i ambasadës australiane në Athinë ka mundësuar çeljen e një qendre, e cila do të sigurojë trajnimin e vazhdueshëm të bluzave të bardha. Brenda ambienteve të maternitetit ata do të gjejnë një bibliotekë të pasur me literaturë mjekësore, si dhe teknologjinë më të avancuar kompjuterike. “Me ndihmën e Ambasadës australiane në Athinë ne krijuam këtë ambient. Periodikisht aty do të ofrohen trajnime për mjekët dhe personelin e mesëm. Nuk bëhet fjalë vetëm për ata që punojnë këtu, por për bluzat e bardha nga i gjithë vendi”, sqaroi drejtori Halim Kosova. Sipas tij, kjo nismë është mjaft e rëndësishme dhe i shërben ofrimit të një shërbimi sa më cilësor. “Donacionin në fjalë ne mund ta përdornin për të blerë një pajisje mjekësore. Në fakt për to është vënë në dispozicion pjesa më e madhe e fondeve që na janë dhënë nga të huajt dhe aparatura cilësore në maternitet ka. Por të investohej në një drejtim të ri e bën këtë investim akoma dhe më të frytshëm”, tha Kosova. Ai nënvizoi se në mjekësi, si dhe në çdo profesion ku ka risk puna në grup, ku secili e di mirë çfarë duhet të bëjë në një moment emergjence është baza. Vetëm në këtë mënyrë mund të shpëtohen jetët e njerëzve. “Kjo nuk mund të arrihet siç duhet nëse çdo ditë stafi nuk rritet profesionalisht. Nëse çdo ditë nuk përsoset për të përballuar rastet me kritike. Ndaj dhe ne kemi vendosur që t’i mëshojmë fort kësaj pike. Ky është vetëm një hap, mbetet akoma më shumë për të bërë. Ne synojmë që këtë qendër ta kthejmë në të ardhmen në një departament të veçantë për trajnimin dhe edukimin e vazhdueshëm të mjekëve”, theksoi drejtori i maternitetit. Ai shtoi se së fundmi po punohet edhe për matjen e standardeve që ofrohen në maternitet. Kjo në mënyrë që në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Cilësisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore të bëhet vlerësimi me yje sipas asaj çka ofrohet. Ndërkaq, në maternitet ka nisur edhe rikonstruksioni i fasadave. “Projekti për rikonstruksionin e plotë dhe për shtimin e një godine të re, që do të sjellë gjithashtu risi në trajtimin e pacientëve, duke bërë diferencën mes të siguruarve dhe të pasiguruarve pritet të përfundojë së shpejti”, u shpreh Halim Kosova, pa dashur të zbulojë detaje të mëtejshme, pasi sipas tij, gjithçka duhet bërë në kohën e duhur.

Investimi

Në katin e dytë të drejtorisë së maternitetit “Mbretëresha Geralidinë” sheh bluza të bardha të ulur para kompjuterit ose duke shfletuar literaturë mjekësore. Ndryshe nga intensiteti i punës në këtë ambient janë më të qetë. Sapo hyn në dhomën e edukimit të vazhdueshëm, që larg duket pllakata e mirënjohjes për ambasadën australiane në Athinë. Krijimi i këtij ambienti, pajisja me kompjuterë dhe bibliotekën përkatëse është donacion i kësaj ambasade. Në një ceremoni të mbajtur vetëm pak muaj më parë është bërë i mundur përurimi i ambienteve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›