Spektakli i Çanit ndryshon tabunë e së hënës
Biletat e shfaqjes së mbrëmshme ishin shitur me kohë, madje edhe për sot, duhet të kesh “mik” të fortë. Për Arian Çanin, publiku e thyen rendin rutinor të së parit teatër, vetëm në fundjavë. Pas suksesit të së dielës, “One man show” - “Ej, Mos i thuaj njeriu!” u shfaq edhe mbrëmë në Teatrin e Metropolit, përpara një salle plot e përplot, edhe pse ditë e hënë. Teksa përgatiste një spektakël ndryshe, i cili erdhi për herë të parë në një skenë shqiptare, gazetari i njohur i “Zonës së lirë”, kishte vendosur që edhe rendin e ditëve të shfaqjes ta kishte ndryshe. “Pse jo të hënën e të martën?!”, - pyet Çani, ndonëse i druhet disi “rregullit” të vendosur qëmoti për shfaqjet e fundjavës. Shfaqja e mbrëmshme, por edhe shitjet e biletave të sotshme treguan të kundërtën. “One man show” do të vijojë gjatë gjithë javës, përveç ditës së enjte dhe të premtes, kur ai do të veshë sërish kostumin e gazetarit dhe prezantuesit. Për të vijuar sërish të shtunë e të diel e në vazhdim. Nuk është i paktë kurioziteti i publikut për të parë nga afër prezantuesin e njohur të ekranit televiziv, i cili kësaj here dëshiron të ndajë me ta ca mendime, apo shqetësime të vetat. Dhe këtë e bën në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe hapur. Ashtu si theu ca korniza në formatin e drejtimit të një programi televiziv, Çani ndryshon “kalendarin” e shfaqjeve, por edhe “ritet” e teatrit. “Çmitizimin” e ca fenomeneve të përditshmërisë, Çani e nis me vetë skenën, me mënyrën e komunikimit me publikun, me ceremonialin e hapjes së perdeve, të dritave, duartrokitjeve, për të vijuar me publicitetin, që nga ai për sponsorët e vetë shfaqjes së tij, tek ai i drejtuesve televizivë që i bëjnë lavde njëri-tjetrit. Madje ai e bën këtë edhe vetë në skenën e Teatrit të Metropolit. Gjatë gjithë shfaqjes ai përmend emrin e një spektatori në sallë, që e zgjedh aty për aty dhe tregon se sa thjesht një njeri mund të bëhet i njohur. Për të vazhduar më pas me spotin e famshëm turistik të ish-ministrit Ylli Pango në Euro News, ku fton turistët e huaj në Shqipëri. Çani duket në panik teksa vë përballë numrit të turistëve të mundshëm (170 milionë shikues të Euro News-it) me kapacitete akomoduese, hoteliere shqiptare. Po nuk mund të mos merret pak edhe me politikën dhe politikanët, ku ai shpreh pozicionimin e vet. Çdo temë e lakuar prej tij, është e veshur nga ironia dhe humori, dhe është e pamundur që edhe me gjërat, në dukje më serioze, të mos qeshësh. Në gati 1 orë e gjysmë dëgjon për ca gjëra që gjithnjë i ke ditur, por nuk i ke menduar dhe Çani të mbush me ca dyshime. Gjithnjë, sipas mënyrës së vet.