E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zeusi ekspozohet në Muze

 

ALMA MILE

Pas 18 vjetësh Shqipërisë i kthehet një nga objektet më të rralla arkeologjike, Koka e Zeusit, apo Asklepiusit, grabitur nga Muzeu Arkeologjik i Butrintit në vitin 1991. Ceremonia e kthimit u zhvillua dje, në hollin e Muzeut Historik Kombëtar, në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, me pjesëmarrjen e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ardian Turku e drejtues të tjerë institucionesh. Në fjalën e tij ministri Turku tha se “Koka e Zeusit që sot i përket shtetit shqiptar si poseduesi ligjor i tij, është një nga shembujt më të spikatur të këtij trafiku të paligjshëm, por që sot e tutje do të jetë edhe një nga shembujt e spikatur të angazhimit serioz dhe me përkushtimit të një shteti palë të Konventës së UNESCO-s, siç është Italia dhe Shqipëria”. Por ardhja e këtij objekti deri në hollin e MHK-së, nuk ka qenë edhe aq e lehtë. Për kthimin e tij janë angazhuar një sërë institucionesh, të cilat ministri Turku nuk mund të mos i përmendte “Gjykatën e Romës, për korrektesën dhe shpejtësinë e veprimeve, Karabinierinë italiane, për punën dhe për përkushtimin e tyre profesional dhe serioz, përfaqësuesit e Ministrisë së Pasurive Kulturore, dhe veçanërisht z. Rossi, tashmë ish-pronar të objektit për vullnetin e mirë, mirëkuptimin dhe gatishmërinë që ka treguar në gjithë këtë proces për t’ia kthyer palës shqiptare një objekt, të cilin ai e kishte blerë sipas të gjitha rregullave në fuqi. Gjithashtu, gjej rastin të falënderoj edhe qytetarët shqiptarë, futbollistët Lorik Cana dhe Igli Tare,për ngurtësimin e shumës financiare për kthimin e objektit deri në pagimin e tij nga shteti shqiptar. Ky shënon një rast pozitiv për tu vlerësuar, të angazhimit të shoqërisë civile në mbrojtjen e pasurisë kombëtare”. Gati një muaj më parë, dy futbollistët paguan 20 mijë euro për kthimin e kokës së Zeusit në Shqipëri, madje me këtë rast u organizua edhe një ceremoni në Ambasadën Shqiptare në Romë. Pas këtij veprimi qytetar që zgjidhi një çështje në ngërç, shteti shqiptar vendosi që këto para t’i paguajë vetë. “Ata kanë “ngurtësuar” paratë në një moment që e kërkonte pala italiane dhe një afat kohor. Ne nuk kemi vënë në dyshim që blerësi i vetëm do të jetë shteti shqiptar dhe në këtë moment që po flasim, kur koka ka ardhur këtu, Ambasada shqiptare në Itali ka paguar paratë dhe futbollistët kanë të drejtën e tërheqjes së parave të tyre. Për aktin që ata kanë bërë i falënderoj sinqerisht, sepse është diçka që nuk e kanë bërë të tjerë më parë”, - u shpreh dje ministri Turku. Gjithsesi e rëndësishme është që ky objekt tanimë ndodhet brenda territorit të Shqipërisë, por ende nuk dihet se ku do të qëndrojë përfundimisht. Drejtori i Muzeut Kombëtar, Kasëm Biçoku u shpreh se do të bëjë ç’është e mundur që ky objekt i rrallë të qëndrojë në ambientet e MHK-së. “Është e drejta e Muzeut Kombëtar, të mbledhë pasuritë më të mira të territorit”, - tha Biçoku. Ndërkaq, drejtori i parkut Kombëtar të Butrintit, Ylli Cerova tha se objekti duhet të kthehet në vendin e origjinës, pra në butrint. Ndërsa ministri Turku, u shpreh që çështja e vendndodhjes do të diskutohet nga ekspertët e më pas do të vendoset përfundimisht. Gjithsesi koka e Zeusit ose Asklepiusit (ende nuk mund të thuash përfundimisht se koka e cili hyjni është) do të ekspozohet në ambientet e Muzeut historik Kombëtar, duke i dhënë mundësinë vizitorëve ta shohin atë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›