E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paralizohet 7-vjeçarja, në gjyq për mjekim të pakujdesshëm infermierja

Autori i Lajmit: red.
Ishte shtruar në spital, sepse vuante nga leuçemia, por pas një medikamenti për të ulur temperaturën është paralizuar. Infermierja e turnit i ka bërë një gjilpërë, e cila pretendohet se ka detyruar 7-vjeçaren të mos ecë më. Prindërit e vogëlushes kanë kallëzuar rastin dhe tashmë ndodhet në cilësinë e të dyshuarës në gjykatë infermierja e QSUT-së, Fabiola Agastra. Fillimisht infermierja është shkarkuar nga puna dhe më pas në ngarkim të saj ka nisur një proces penal. Seanca gjyqësore në ngarkim të saj, parashikuar për t u zhvilluar dje, është shtyrë për shkak të mungesës së dëshmitarëve. Në listën e personave që do të dëshmojnë në lidhje me ngjarjen janë dhe të afërm të vogëlushes 7-vjeçare.
Ngjarja
Prokuroria e Tiranës ka ngritur akuzën për “mjekim të pakujdesshëm” për rastin kur një vajzë 7-vjeçare mbeti e paralizuar nga një injeksion i gabuar. Fabiola Agastra po gjykohet në Gjykatën e Tiranës për akuzën "mjekim i pakujdesshëm", vepër penale e parashikuar nga neni 96 i Kodit Penal. Vogëlushja më inicialet L.P, sipas kërkesës për gjykim të paraqitur nga prokuroria, është paralizuar në orët e mbrëmjes të datës 2 shtator të vitit 2006. Sipas të njëjtave burime mësohet se 7-vjeçarja ishte çuar nga gjyshja e saj në Qendrën Spitalore Universitare, pasi kishte pasur temperaturë të lartë. Nëna e 7-vjeçares ishte në Greqi dhe për të kujdesej gjyshja, e cila është shqetësuar nga temperatura e vajzës. Në QSUT, mjeku roje ka ngarkuar infermieren e turnit, Fabiola Agastrën, që t i bënte një injeksion për t i ulur temperaturën. Burimet bëjnë të ditur se ajo që i ka rënë në sy gjyshes në momentin e parë ka qenë se infermierja ishte sjellë në mënyrë të vrazhdë me ta dhe ia kishte bërë vajzës injeksionin në mënyrë të ashpër, gati brutale. Pas injeksionit, vajzës i ishte nxirë vendi ku ishte shpuar dhe akoma më keq, nuk arrinte ta lëvizte më këmbën. Më pas gjyshja ka dërguar mbesën në spitalin pediatrik, ku 7-vjeçarja është shtruar dhe i është nënshtruar trajtimit mjekësor, por gjendja nuk duket se ka ndryshuar. Kur janë bindur se vajza nuk do të shërohej më, familjarët e saj kanë vendosur të bëjnë padi ndaj infermieres, e cila fillimisht është pushuar nga puna.
Hetimet
Çështja prej disa muajsh ndodhet në duart e togave të zeza, ndërsa procesi gjyqësor është në fazën e mbledhjes së dëshmive. Ndaj infermieres së QSUT-së rëndon akuza e "mjekimit të pakujdesshëm". Fabiola Agastra nuk e ka pranuar akuzën gjatë procesit hetimor dhe tashmë mbetet çdo gjë në dorë të drejtësisë për të vendosur në lidhje me fajësinë ose pafajësinë e saj.

Neni 96
Titulli: Mjekimi i pakujdesshëm
Përmbajtja: Mjekimi i pakujdesshëm i të sëmurëve nga ana e mjekut ose e personelit tjetër mjekësor, si dhe moszbatimi i terapisë ose i porosive të mjekut nga personeli mjekësor apo farmacist, kur ka shkaktuar dëmtimin e rëndë të shëndetit, ka rrezikuar jetën e personit ose ka shkaktuar vdekjen e tij, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet. Po kjo vepër, kur ka shkaktuar infektimin e të sëmurëve me infeksionin HIV/AIDS, dënohet me burgim nga tre gjer në shtatë vjet.
Ky lajm është publikuar: 26/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›