E Shtunë, 31 Tetor 2026

Babai i incestit: Jam kujdesur për familjen time

Sipas komenteve të botuara në gazetat dhe revistat austriake, njeriu që izoloi dhe përdhunoi të bijën për 24 vite me radhë, duke i dhënë shtatë fëmijë e dinte se, kjo ishte gabim dhe se ai duhej të ishte i çmendur.

Në një intervistë për revistën "News", Josef Fritzl tha në tekstin e kontrolluar nga avokati i tij se, ai është përpjekur të kujdesej për familjen e tij sekrete (e bija dhe shtatë fëmijët), duke i çuar lule, libra dhe lodra në qilarin poshtë shtëpisë së tij në Amstetten. "E kam ditur vazhdimisht gjatë 24 viteve se ajo që kisha bërë nuk ishte e drejtë dhe se unë duhet të kisha qenë i çmendur që bëra diçka të tillë. Jam përpjekur të kujdesesha sa më shumë kam mundur për familjen time në qilar. Kur hyja në bunker i çoja vajzës sime lule dhe fëmijëve të vegjël kafshë pelushi. Unë shikoja video me aventura me fëmijët ndërsa Elisabeta (vajza e tij e izoluar) gatuante për ta. Dhe uleshim të gjithë në një tryezë", tha ai. Duke komentuar mbi jetën e tij, Fritzl tha se ishte rritur në rrethana poshtëruese si fëmijë i vetëm dhe se nëna e tij, të cilën ai e "admironte shumë" e kishte përzënë të atin nga shtëpia kur ai ishte katër vjeç. "Ajo ishte shefja e shtëpisë dhe unë i vetmi mashkull në shtëpi", tha Fritzl mbi nënën e tij. Fritzl tha se ai dëshironte të kishte një jetë të rregullt dhe vajza e tij Elisabeta filloi të dilte nga rregullat kur u bë adoleshente. Ai ka e rrëfyer se pasi e kishte mbyllur kishte menduar shpesh ta lironte të bijën, por kishte frikë se mos e arrestonin dhe se njerëzit më pas do të mësonin se ç'kishte bërë. Fritzl, i cili ka dëshiruar gjithmonë një familje të madhe, tha se ishte i kënaqur për fëmijët që kishte me të bijën. Për ta përgatitur për lindjen, ai i kishte blerë libra mjekësie, peceta, dezinfektues dhe pelena. Elisabeta sigurisht ishte e trembur", ka rrëfyer Fritzl, shkruan CNN.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›