E Diel, 1 Nëntor 2026

Berluskoni bën betimin, 21 ministrat pas tij

Kryeministri i ri italian, Silvio Berluskoni, ka bërë dje betimin për besnikëri ndaj republikës italiane, sipas traditës, në duart e

kreut të shtetit Giorgio Napolitano gjatë ceremonisë në Presidencë, i ndjekur nga 21 ministrat që do të përbëjnë ekzekutivin. Menjëherë pas kësaj, ai kaloi në anën e Napolitanos, për të asistuar në betimin e ministrave. Siç ishte paralajmëruar ministër i Jashtëm u bë Franko Fratini, pasi la Komisionin Evropian. Por kur ndodhet Berluskoni në një sallë, çdo ceremoni merr ngjyrime. Sipas "Tgcom", një situatë e pazakontë ndodhi mes Berluskonit dhe Ignazio La Russa, ndërsa betohej si ministër i Mbrojtjes. Ignazio La Russa pasi u betua, sipas ritualit zgjati dorën për të takuar dy krerët e lartë. Presidenti Napolitano ia shtrëngoi menjëherë. Berluskoni jo, e la kështu për disa çaste me krahun drejtuar atij. Me një buzëqeshje të stampuar në fytyrë i bën shenjë ministrit La Russa të heqë mjekrën. Ministri i ri i është përgjigjur me shaka: "E kam shkurtuar sa mundej". Në fund të dy i japin dorën njëri-tjetrit të buzëqeshur. Qeveria e re e Berluskonit është një miksim i kabineteve të mëparshme të tij. Përbëhet nga katër femra dhe ka katër ministri më pak se qeveria Prodi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›