E Hënë, 2 Nëntor 2026

Babai i mësuesit të vrarë fal gjakun, tre familjet në varrimin e Ilirit

23/04/2005  Pritet prangosja edhe e gjimnazistit të plagosur

Vetëdorëzohet në policinë e Hasit vrasësi i mësuesit nga Tropoja

TROPOJË – Babai i vrasësit të mësuesit e plagosësit të shokut, dorëzon djalin në polici, ndërsa pritet të merret masa e arrestit edhe për gjimnazistin e plagosur, si shkaktari i grindjes, ku mbeti i vrarë mësuesi Ilir Aliaj.

Babai i Eduartit, Sali Alia, e ka dorëzuar vetë të birin e tij në komisariatin e policisë së Hasit. Të afërm të familjes së autorit, por edhe burime të policisë, bënë të ditur dje se, rreth orës 08.00, nxënësi Eduart Aliaj, i cili qëlloi me pistoletë mësuesin e historisë në Zogaj të Tropojës dhe plagosi një maturant, u vetëdorëzua në policinë lokale.

Pas kësaj, sipas njoftimit të Ministrisë së Rendit Publik, mësohet se dje, rreth orës 09.00, u mor masa e arrestit ndaj shtetasit Eduart Sali Alia, sepse më datë 21.04.2005, ora 08.15, në afërsi të shkollës së mesme Zogaj, gjatë një grindjeje midis nxënësve Eduart Sali Alia, 19 vjeç, banues në Zgjeç dhe Artan Musa Hysenaj, 18 vjeç, ka ndërhyrë për t’i ndarë mësuesi Ilir Zenun Alia, 28 vjeç, me arsim të lartë, i cili është qëlluar me armë zjarri pistoletë nga nxënësi Eduart Sali Alia, dhe ka gjetur vdekjen gjatë rrugës për në spital, ndërsa është plagosur e ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën nxënësi Artan Hysenaj. Në vendngjarje u sekuestrua prova materiale, saktëson nëpërmejt njoftimit zyrtar Ministria e Rendit Publik.

Ndërkaq, policia e Tropojës dhe ajo e Hasit për orë të tëra kërkuan autorin e krimit dhe nuk mundën ta arrestonin.

Burime të policisë lokale të Tropojës, bënë të ditur gjithashtu se për të plagosurin Artan Hysenaj ka gjasa të merret masa e arrestit, pasi dyshohet të ketë qenë ai shkaktari i sherrit me pasojë vdekjen, por dhe për mbajtje të armës së ftohtë. Aktualisht, ai ndodhet në spitalin e Gjakovës, ku dhe po i jepet ndihma mjekësore.

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe në fshatin Zogaj...

“Familja jonë vendosi kështu, pasi Iliri nuk u vra qëllimisht apo nga skenaret meskine, por vdiq në emër të idealit për të ndihmuar dhe edukuar rininë këtu në Zogaj. Shpresojmë që akti jonë të ndikojë pozitivisht edhe për dy familjet e tjera, të cilat dje ishin së bashku në varrimin e mësuesit të fëmijëve të tyre”

TROPOJE - Ngjarja tragjike në Zogaj, të Tropojës, ku mbeti i vrarë mësuesi i histori-gjeografisë dhe u plagos rëndë një maturant, ka gjasa të mbyllet vetëm me ligjet e shtetit, kurse familjet do të qëndrojnë larg gjakmarrjes.

“Vëllai im, Zenuni, iu kërkoi një natë më parë dy familjeve, asaj të autorit të vrasjes, Sali Alisë dhe të plagosurit, Musa Hysenajt, të marrin pjesë në varrimin e Ilirit. Sot (dje) të dyja familjet ishin të pranishme në varrim, kurse autori i vrasjes u vetëdorëzua në policinë e Hasit, në orët e para të mëngjesit.

Familja jonë i ka falur gjakun familjes së Alisë, pasi vrasja nuk ishte e qëllimshme, dhe Iliri e kishte për detyrë të ndihmonte dhe t’i edukonte nxënësit”, tha dje pas varrimit xhaxhai i mësuesit të vrarë, Mustafa Aliaj.

Tre familjet dje kanë qenë së bashku, kur trupi i mësuesit të vrarë, Ilir Alisë, u përcoll për në banesën e fundit. Qindra banorë të Tropojës dhe të rrethinave, kolegë dhe nxënës të shkollave morën pjesë në varrim për t’i dhënë lamtumirën e fundit njeriut që vdiq për të shpëtuar nga vdekja dy nxënës të gjimnazit në Zogaj. Babai i Ilirit, Zenuni, disa orë pas vrasjes, iu ka kërkuar dy familjeve të tjera të ishin të pranishëm në ceremoninë e varrimit. Pasi është konsultuar me të afërmit e tij, vëllezërit, fëmijët dhe burrat e farefisit të tij në Zogaj, Zenuni e fali publikisht familjen Alia.

Në një vend si Zogaj, ku për shumë vjet nuk është dëgjuar vrasje, apo familje në gjakmarrje duket se nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Familja e mësuesit tregoi publikisht se gjakmarrja nuk zgjidh asgjë, tregoi gjithashtu publikisht se jetojnë njerëz që duan paqen dhe se ka djem që japin dhe jetën për të shpëtuar atë të tjerëve.

“Familja jonë vendosi kështu, pasi Iliri nuk u vra qëllimisht apo nga skenaret meskine, por vdiq në emër të idealit për të ndihmuar dhe edukuar rininë këtu në Zogaj. Shpresojmë që akti jonë të ndikojë pozitivisht edhe për dy familjet e tjera, të cilat dje ishin së bashku në varrimin e mësuesit të fëmijëve të tyre”, shton Mustafa Aliaj.

Lajmi për faljen e gjakut është pritur me nota optimizmi dhe me dashamirësi nga shumë familje shqipatre, jo vetëm nga banorët e Tropojës, ku shumë prej tyre sot janë të ngujuar. Mësuesi 30-vjeçar, vetëm dhjetë muaj i martuar, vdiq duke mbrojtur dy adoleshentë. Dhe pas kësaj vjen një akt i lart dhe fisnik. Familja e tij fal gjakun dhe nuk njollos rrugën e nisur nga i biri.

“Gjaku i Ilirit nuk humbi, ai do të mbahet mend nga brezat, pse dha jetën në moshën më të mirë për të larguar nxënësit e tij nga vdekja“, thotë xhaxhai i tij.

Ngjarja

Grinden gjimnazistët,vritet mësuesi

Ditën e enjte, në orën 08.15, mësuesi Ilir Aliaj mbeti i vrarë, pasi ndërhyri për të ndarë dy nxënësit e tij. Sipas burimeve të policisë lokale, duket se shkaktar i kësaj tragjedie është bërë maturanti Artan Hysenaj. Në shkollë ka patur ankesa për sjelljen e tij dhe shpesh herë ai është parë me thikë në brez.

Të enjten, ai kishte një konflikt me gjimnazistin një vit më të vogël, Eduart Alinë, banor nga Zgjeci i Hasit, por që vazhdonte shkollën në Zogaj. Ky i fundit këtë ditë ishte armatosur me pistoletë. Kur mësuesi tenton të largojë maturantin me thikë, Eduarti qëllon me pistoletë. Një plumb i merr jetën mësuesit Ilir Alisë, kurse maturanti plagoset rëndë në hije.

Fshati kërkesë pushtetit lokal

“Shkolla të marrë emrin e Ilirit“

Nuk kishin kaluar as 24 orë nga koha kur u vra mësuesi në fshatin Zogaj, kur banorët kërkuan të nderojnë emrin e Ilir Alisë. Banorët jo vetëm të komunës së Zogaj, por edhe të rrethinave të tjera, i kërkuan dje pushetit lokal në Tropojë të marrë vendimin.

“Gjimnazi në Zogaj duhet të quhet gjimnazi ’Ilir Alia’. Ai dha jetën për këtë shkollë, emri i tij duhet të respektohet dhe të nderohet“, thonë banorët në Zogaj, të cilët nëpërmjet një përfaqësie do të marrin kontakte me strukturat e pushtetit lokal. Këta të fundit, ndonëse ende nuk janë njohur me kërkesën zyrtare, janë të gatshëm për të marrë një vendim të tillë, që shkollës për të cilën dha jetën Ilir Aliaj, t’i vendoset emri i tij. Janë thjesht formalitete, që ky vendim të marrë formën e një feste të vërtetë për banorët e Zogajt, për kolegët e Ilirit, por kryesisht për familjen e tij.

Ndërkaq, ankesat e para janë paraqitur nga banorët e zonës për drejtorin e gjimnazit. Nisur nga mungesa e disiplinës kohët e fundit në këto ambiente arsimore, shumë prindër kërkojnë largimin e kreut të gjimnazit. Kjo është përshpejtuar menjëherë pas ngjarjes tragjike, ku mbeti i vrarë një mësues, u plagos rëndë një maturant dhe u burgos një nxënës, autori i ngjarjes. Ankesat do të paraqiten zyrtarisht pranë strukturave të Ministrisë së Arsimit, dikaster ky që do të vendos për drejtorin e shkollës.

Në këtë gjimnaz, banorët e Zogajt tregojnë se disiplina po mungonte çdo ditë e më tepër. Dhe pse situata dukej hapur, drejtuesit nuk kishin marrë asnjë masë. Shiheshin gjimnazistë që shkonin në shkollë me thika, apo deri dhe me pistoletë.

Ky shqetësim është i pranishëm pothuajse në të gjitha shkollat e Shqipërisë. Ngjarjet me pasoja të rënda ku për autor dhe viktima vijnë nga radhët e gjimnazeve, apo të shkollave nëntëvjeçare kohët e fundit po shtohen. Ekzistenca e policisë pranë ndonjë gjimnazi thuajse është në pasivitet të plotë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›