E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Inkuizitori i Madh” dhe Kritikët

23/04/2005  Ndërkohë që miliona katolikë në të gjithë botën po festonin zgjedhjen e liderit të tyre të ri, kritikët nisën të nxjerrin shqetësimet e tyre për Papën e ri, si një kampion i rreptë i vlerave konservatore. Papa Benedikt XVI i njeh mirë kontradiktat dhe polemikat. Në vijim, po botojmë një përzgjedhje të deklaratave dhe intervistave të dhëna prej tij, së bashku me ato të kritikëve të disa prej mendimeve të tij më konservatore.

Për gratë, fëmijët dhe të drejtën e riprodhimit

Benedikt XVI: “Një prej vlerave më themelore e lidhur me jetën konkrete të një gruaje, që vlen të përmendet, është “kapaciteti për të mbajtur tjetrin”. Pavarësisht faktit që një rrymë e caktuar feministe thotë “gruaja për vete”, gratë zotërojnë intuitën e thellë se pjesa më e mirë e jetës së tyre konsiston në veprimin për mirëqenien e tjetrit, për rritjen dhe mbrojtjen e tjetrit.

Ajo që nevojitet është një vlerësim i drejtë i punës, që gruaja kryen në familje. Gratë, që dëshirojnë të veprojnë kështu, duhet të jenë në gjendje t’ia dedikojnë gjithë kohën e tyre detyrave si shtëpiake, pa u stigmatizuar shoqërisht, apo penalizuar ekonomikisht. Ato gra që dëshirojnë të kenë edhe lloje të tjerë punësimi mund ta bëjnë këtë me një ritëm të përshtatshëm pune, pa iu dashur që ose të heqin dorë nga familja, apo të ekspozohen ndaj stresit të vazhdueshëm, i cili nuk është në dobi të ekuilibrit të tyre personal, apo harmonisë së familjes”.

Frankfurter Rundschau (5 gusht, 2004)

"Pilulat e kanë shkëputur seksualitetin nga riprodhimi, dhe në këtë mënyrë kanë ndryshuar rrënjësisht konceptin e jetës njerëzore. Akti seksual ka humbur qëllimin fillestar, i cili ka qenë gjithnjë i qartë dhe i padiskutueshëm. Si pasojë, gjithë llojet e aktit seksual u bënë të barabartë. Ky revolucion, mbi të gjitha u pasua nga përafrimi i homoseksualizmit me heteroseksualizmit.

Die Welt ( 24 nëntor, 2004)

“Në Evropë ekziston një mungesë gatishmërie kundrejt së ardhmes. Kjo shihet më qartë në faktin që fëmijët shihen si një kërcënim i së tashmes; ata nuk shihen si shpresë, por si kufizim i së tashmes”.

Süddeutsche Zeitung (13 prill, 2005)

Kritikët: “Një prej ndryshimeve të mëdha, që do të kisha shpresuar në një Papë të ri do të ishte sinqeriteti ndaj grave”.

Motra Maureen Fiedler, e “Ne Jemi Kisha”, një lëvizje katolike globale.

“Historia e kuptimit të grave nga ky Papë është e kufizuar”.

Motra Benediktine, Joan Chittiser

“Jemi të befasuar. Kardinali Ratzinger është një person ndarës në Kishë, në një kohë që ne kishim nevojë për një pajtues të Kishës”.

Joy Barnes, Konferenca e Grave

Mbi homoseksualitetin

Benedikt XVI: "Mbi të gjitha, duhet të tregojmë respekt për ata njerëz që gjithashtu vuajnë dhe kërkojnë mënyrën e duhur të jetës, më e përshtatshme për ta. Nga ana tjetër, këta njerëz nuk është se do t’i ndihmonim po të legalizonim një lloj martese homoseksuale”.

"Die Welt" (24 nëntor, 2004)

Kritikët: "Ratzinger e përbuz homoseksualitetin më shumë sesa Gjon Pali II, ndërkohë që Papa i fundit asnjëherë nuk shprehu shqetësim për ngacmimet apo dhunën ndaj homoseksualëve”.

Rodney Croome, zëdhënës i grupit të homoseksualëve tasmanianë

“Ky Papë ka qenë një homofobik i dhunshëm. Jemi të shqetësuar”.

Franko Grillini, ligjvënësi homoseksual italian

“Kur dëgjova në mëngjes që Ratzinger u zgjodh Papë, u mërzita shumë”.

Armando Ramos, bashkëkryetar i Grupit të Homoseksualëve katolikë amerikanë, DignityUSA

“Ky Papë ka patur që tani një qëndrim shumë më të ngurtë sesa Gjon Pali II”.

Sergio Lo Giudice, President i Arcigay

“Duket se ky Papë do të vazhdojë me linjën e kontraceptivëve, perzevativëve dhe parandalimit të HIV, që kishte edhe Papa Gjon Pali II. Eshtë për të ardhur keq, sepse kjo do të ketë një ndikim të tmerrshëm mbi jetët e miliona njerëzve, sidomos në botën e tretë”.

Tony Kerrigan, zëdhënës i Marie Stopes International, Londër

Mbi Islamin dhe Evropën

Benedikt XVI: "Islami është i shumëllojshëm dhe nuk mund të reduktohet në vetëm terroristë dhe vetëm të moderuar (...) Besimi i fortë te Zoti mes myslimanëve është një sfidë e fuqishme për ne: fakti që ata janë të ndërgjegjshëm që ne jemi nën gjykimin hyjnor, së bashku me faktin që ata ruajnë vlerat normale dhe zbatojnë normat, tregon se besimi ka nevojë për mënyra të përbashkëta të shprehjes, me qëllim që të mbijetojë. Ne kemi humbur pak nga kjo”.

Die Welt (24 nëntor, 2004)

Kritikët: "Në predikimin e tij, ai foli vetëm për problemet e botës perëndimore”

Jezuiti gjerman, Wolfgang Seibel

“Kjo zgjedhje është zhgënjyese për aziatikët, latino-amerikanët dhe afrikanët në Kishë”.

Kritiku progresist i Vatikanit, Paul Lakeland, profesor në Jesuit Fairfield University

Për luftën kundër terrorizmit

Benedikt XVI: "Në të gjithë këto raste, është shumë e rëndësishme që asnjë prej fuqive të mos shfaqet si mbrojtëse e ligjit. Eshtë gjithmonë shumë e lehtë të ngatërrosh interesat e çdonjërit me veprimet e çdonjërit, e si rrjedhim të turbullosh pamjen e drejtësisë”.

Frankfurter Allgemeine Zeitung (11 qershor, 2004)

Për Hitlerin dhe konceptin e “Luftës së drejtë”

Benedikt XVI: “Një kriminel dhe ndjekësit e partisë së tij në Gjermani ia dolën mbanë të përvetësojnë pushtetin e shtetit gejrman (...) që është edhe arsyeja përse të gjithë botës iu desh të ndërhyjë për të ndalur vorbullën e krimit dhe rikthyer lirinë dhe drejtësinë. Më shumë se në çdo moment tjetër në historinë e nejrëzimit, është mëse e qartë që ndërhyrja e forcave aleate ishte rasti i pastër i një “bellum iustum” (luftë e drejtë), e cila në fund të fundit ishte në dobi edhe të atyre, kundër atdheut të të cilëve luftohej.

Frankfurter Allgemeine Zeitung (6 qershor, 2004)

Për doktrinën e re konservatore të Papës

Kritikët: “Në të kaluarën e tij, si kreu i Kongregacionit, përgjegjës për doktrinën, Papa i ri ishte dikush që ndoqi një linjë shumë, shumë të ngushtë, të cilën shumë njerëz e kanë kuptuar se është një linjë konservatore. Dhe ne shpresojmë shumë që, ulja në fronin e Papës do të bëjë që ai të lehtësojë të gjithë këtë ngurtësi”.

Laureati afrikano jugor i Çmimit Nobel, Desmond Tutu

“Ai është një Papë shumë konservator, Kisha do të mbyllet brenda vetes”.

Ish-presidenti portugez, Mario Soares

Benedikt XVI është një “ultra-ortodoks, inkuizitori i madh, njeriu që i duhej më pak nga të gjithë Kishës në këtë moment”.

Historiani uruguajan, Gerardo Caetano

“Disiplina e brendshme në kishë do të jetë edhe më e rreptë, ndërkohë që doktrina do të jetë më e ngurtë, sepse Papa i ri beson se Kisha është e vetmja poseduese e të vërtetës, dhe shoqëria civile, qeveritë dhe e gjithë bota thjesht duhet ta ndjekin atë”.

Ish-prifti Javier Solis, nga Kosta Rika

“Ne prisnim saktësisht të kundërtën... hapjen e Kishës ndaj botës jokatolike, feve të tjera, ideologjive të tjera”.

Sociologu portugez, Moises Espirito Santo

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›