E Hënë, 2 Nëntor 2026

Derset e një shpirti të robëruar!

23/04/2005  Akademiku nga Kosova, Hivzi Islami autori i botimit “Spastrime etnike”, replikon me botuesin e Toenës, Fatmir Toçin, duke kërkuar që akuzës për pirateri t’i përgjigjet drejtpërdrejt edhe akademiku Rexhep Qosja, për botimin e tij të fundit “Shpërngulja e shqiptarëve sipas programeve kombëtare serbe”. Të dy botimet përmbajnë vështrimin mbi aktet zyrtare serbe dhe disa prej përfaqësuesve më të njohur të saj për shpërnguljen e shqiptarëve prej trojeve të tyre në Kosovë. Islami ka akuzuar para disa ditësh kolegun R. Qosen se ka piratuar botimin e tij, që ka dalë në qarkullim prej vitit 2003, nën ekskluzivitetin e shtëpisë botuese “Dukagjini”

Lexues të nderuar të gazetës “Metropol” është e pakuptimtë të polemizohet me pronarin e shtëpisë botuese “Toena”, me njeriun i cili në vend që të luftojë për parime dhe kundër një dukurie me dimensione dhe pasoja të gjera negative dhe për mbrojtjen autorësisë e të punës intelektuale, ai i mbron veprimet profesionalisht, moralisht dhe ligjërisht të palejueshme, hajdutërinë, duke mos ngurruar edhe të gënjejë. Mbrojtja e së keqes shpalosi nivelin e robërimin shpirtëror të reaguesit ndaj “autoriteteve” sigurisht jo vetëm kulturore.

Por me çështjen e piratërisë së R. Qosjes do të merren agjencia për mbrojtjen e autorësisë dhe gjykata, e këtu do të preket edhe botuesi. Me punë të tilla të pista Qosja është marrë që nga vitet e 70-ta, por të gjitha i ka mbuluar me pushtet të madh që ka pasur në jetën kulturore dhe shoqërore në Kosovë. Kur ia shikon “studimet” historike thua se po e lexon Arben Puton apo Stefanaq Pollon; në një “studim” të tillë i gjeta edhe dy harta etnike që unë i kisha përpiluar.

Duke pritur përgjigjen nga autori pirat, për hir tuajin lexues të respektuar, megjithatë duhet t’i jap edhe disa shpjegime. Të gjitha elaboratet dhe projektet kryesore për shpërnguljen e shqiptarëve dhe copëtimin e Shqipërisë i ka përkthyer z. Vehap Shita. Për librin tim “Spastrimet etnike” shtëpisë botuese “Dukagjini” tekstet e përkthyera ia la në dispozicion me kënaqësi të veçantë. Këto ditë mora kontaktin me z. Shita dhe ma konfirmoi se prej tij askush nuk ka marrë leje për asnjë botim, përveç “Dukagjinit”, ndërsa tekstet e tij në botimin e R. Qosjes përbëjnë rrëth 40% të tërë vëllimit. Tekstin e “Memorandumit” të Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve, të cilin reaguesi dhe botuesi i “Toenës” nuk e zë në gojë fare, e kam përkthyer unë, ndërsa është përvetësuar tërësisht nga Qosja me përdorimin e njëfarë tautologjie të fjalëve dhe të një redakture të dhunshme gjuhësore; në librin e Qosjes ky tekst ka heq më pak se 64 faqe, që është afër ¼ e librit. Ndërkaq pohimi se teksti i programit të Partisë së Sheshelit “është marrë i gatshëm nga interneti dhe nuk ka emër përkthyesi” është një gënjeshër ordinere e reaguesit. Nga shkrimi im dhe faksimili i deponuar shihet qartë se ai tekst është përkthyer jo nga serbishtja, por është marrë nga anglishtja (nga revista Yugoslav Survey, XXXIV, 1, Belgrade, 1993, pp. 56-61) dhe e ka përkthyer Mr. Mimoza Dushi enkas për librin tim “Spastrimet etnike”. Herën e parë e ka parë dritën në vitin 2003 në këtë libër, ff. 374-383. E ka botuar revista e Tiranës “Fjala”, të cilën unë ia kam dërguar, ndërsa redaksia e ka dhënë referencën e saktë. Ndoshta Shesheli nga Haga e paska hedhur në internet! Qosja e kopjon germë për germë, duke mos iu referuar askujt, sikundër që i tërë libri është pa referenca. Dhe kjo është shkenca e tij!

Pohimi i reaguesit se “përkthimet e botuara në veprën e Rexhep Qosjes”, “as kanë të bëjnë me librin e zotit Islami, të cilin, për hir të së vërtetës, as e kam parë e as kam dijeni se qarkullon si i tillë” – është në anën tjetër të arsyes! Nuk ka dyshim se lexuesi e kupton këtë torollaki. Ndërkaq, keqardhja e reaguesit se “nuk e paska njohur një botim të tillë, tema e të cilit e paska interesuar” është një demagogji e cekët. Libri im në dy panaire ishte i ekspozuar dhe stendat e “Toenës” dhe të “Dukagjinit” në Prishtinë ishin fqinj. “Spastrimet etnike” janë botim shumë i kërkuar këto dy vjet te libraritë e “Dukagjinit”. Qarkullon edhe në Shqipëri.

Arsyen e shkrimit tim reaguesi e kualifikon të motivuar nga shkaku se Qosja më paska “shkelur në kallo” si shumë të tjerë. Çfarë niveli i ulët primitiv prej intriganti ky diskualifikim! R. Qosja nuk ka pasur mundësi të më “shkelë në kallo” në asnjë veprim timin shoqëror, për asnjë vepër dhe në asnjë moment.

Reaguesi thotë se R. Qosja ka “4000 faqe të botuara” për çështjen kombëtare, që sipas kontekstit do të thotë se nuk mund t’i bëhet asnjë vërejtje publike për përvetësimet e teksteve të të tjerëve. Më tutje shton se ka publikuar edhe një vepër “që luajti rol të rëndësishëm në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare në Kosovë”. Çfarë entuziazmi adoleshent i këtij reaguesi ndaj këtij libri! Vërtetë mendon reaguesi se populli i Kosovës nuk paska pasur para këtij libri ndërgjegje kombëtare?

Faleminderit për derset dhe nasihatet e reaguesit për mënyrën e komunikimit, për sjellje, për kulturë e qytetari! I mora në dijeni! Ai më qorton edhe se, duke jetuar në një qytet me R. Qosjen, nuk jam marrë vesh me të për hajdutërinë e tij, që në fakt do të thotë pse nuk kam heshtur dhe pse nuk kam heshtur edhe ndaj veprimit të papërgjegjshëm të “Toenës”.

Derset dhe sehiri janë një avaz i moçëm i R. Qosjes. Pas rënies së komunizmit edhe në Kosovë edhe në Shqipëri mbahej si “udhëheqës shpirtëror” i qeverive, i partive dhe natyrisht i popullit, por ky i fundit në Kosovë me votën e tij të lirë ia tregoi vendin ku e ka. Botuesi i “Toenës”, pra “I Njëshit” paska mësuar mirë nga “I Pari”dhe “I Madhi” i tij, i cili tri herë radhazi ishte emëruar drejtor i Institutit Albanologjik, që ishte e ndaluar edhe me ligjet e ish-Jugosllavisë, ishte fitues i çmimit më të lartë në Serbi “7 Korriku”, të cilin nuk e ktheu kurrë, dhe si drejtor i Institutut Albanologjik ishte denoncues i parë i demonstratave të studentëve të vitit 1981! Lexues të nderuar kërkoj ndjesë që edhe njëherë duhet t’i jap faksimilet në mënyrë që të gjykoni ju vetë për shkallën e hajdutërisë dhe të bindeni se teksti i Partisë Radikale të Sheshelit nuk është marrë nga interneti, siç thotë reaguesi, dhe ka përkthyes që e ka angazhuar shtëpia botuese “Dukagjini” (M. Dushi).

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›