E Hënë, 2 Nëntor 2026

Para zgjedhjeve, 10% rritje për Qytetarët, 15% për fshatarët

23/04/2005  Indeksimi sipas mallrave e ushqimeve që konsumon një pensionist

Në muajin qershor, pikërisht për zgjedhje, pensionet do të rriten 10 për qind për qytetin dhe 15 për qind për fshatin, të paktën kaq është llogaritur në fillim të vitit në plan-buxhetin e miratuar nga qeveria. Por, kjo rritje pritet që të miratohet nga Këshilli i Ministrave pas dy javësh. Ndërkohë Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka bërë gati projekt-vendimin. Për të barazuar pensionet e fshatit me të qytetit janë ndërmarrë katër rritje viti pas viti, dhe kjo është faza e fundit, thotë drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Ilir Beqja. Fillimisht rritja ka qenë 10 për qind për qytetin dhe 20 për qind për fshatin, ndërsa këtë vit është një rritje me një diferencë më të ngushtë. Ndërkohë po në muajin qershor, sikundër dhe për pagat, do të bëhet dhe indeksimi sipas rritjes së inflancionit. “Por ky koeficientë nuk do të llogaritet sipas mallrave të shportës për një familje, por sipas një shporte të dytë, pasi një pensionist nuk konsumon të njëjtat gjëra si një person tjetër. Këtë shportë s’do ta përcaktojë INSTAT”, thotë Engjëll Bejtaj, ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale. Ndërkohë, sipas ministrit, çdo i moshuar që punon, ndërsa ka arritur moshën për pension do të përfitoj 0.32 për qind për çdo vit pune mbi moshën e pensionit. Pensioni i invalidëve

Hiqet kushti i të qenit i siguruar

Nga ndryshimet mbi ligjin e pensioneve për sa i përket derdhjes së kontributeve përfitojnë dhe invalidët, njerëzit me aftësi të kufizuara. “Është hequr kushti që invalidët të jenë të siguruar deri në momentin e ndodhjes së aksidentit për të përfituar pension”, thotë ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Engjëll Bejtaj. Kështu, për sa i përket invalidëve, hiqet kushti i të qenit i siguruar në momentin e lindjes së sëmundjes, vendosjen e një tipi të ri pensioni invaliditeti të reduktuar, kur personi nuk ka vitet e plota për të përfituar pension invaliditeti, si dhe do të ketë rritje të periudhës dhe masës së shtesës për fëmijët në ngarkim të invalidit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›