E Hënë, 2 Nëntor 2026

Babai i të pandehurit: Im bir vrau Bledar Haxhiun

10/03/2005  Dëshmitari i akuzës mbron të pandehurit e grupit të Lushnjës

TIRANË – Bashkim Xhafa, dëshmitari i seancës së djeshme gjyqësore kundër grupit të Lushnjës, është babai i Edjon Xhafës, piketuar nga organi i akuzës si një nga pjesëtarët e grupit. Edjon Xhafa është plagosur në verën e vitit 1998. I shpëton vdekjes pas mjekimit që mori në spital. Një muaj pas plagosjes, së bashku me tri persona të tjerë të grupit të Lushnjës, mendohet nga akuza se ka vrarë shtetasin Bledar Haxhiu. Ndërkohë, në vitin 1999, Edjon Xhafa është vrarë në Itali. Për të është pushuar akuza. Për vrasjen e Bledar Haxhiut, akuzohen tre të pandehur të grupit të Lushnjës, Elton Mermali, Erjon Kashari dhe Petrit Liçi. Ndërsa dje, Bashkim Xhafa i tha gjykatës se këta djem në vitin 1998 kanë qenë fëmijë dhe se autor i vrasjes së Bledar Muçës ishte djali i tij, Edjon Xhafa. Dëshmitari pohoi se dy ditë para se djali t'i vdiste i ka treguar për ngjarjen. Ka treguar se e vrau Bledar Haxhiun për hakmarrje, pasi zbulon se ai ishte personi që e plagosi. Prokuroria pohoi se, Haxhiu me Xhafën ishin shokë. Vrasja është kryer pasi Haxhiu i kërkoi Xhafës informacione rreth vendndodhjes së Alfred Shkurtit. Dëshmitari përjashtoi si autor të vrasjes të pandehurit që ndodhen në sallën e gjyqit, duke shtuar se djali i tij kishte planifikuar gjithçka.

Tuneli

Ndërkohë, në vitin 2003, Prokuroria ka bërë një kontroll në banesën e familjes së dëshmitrait Bashkim Xhafa. Gjatë kontrollit është konstatuar një vendstrehim. Anton Martini, prokurori i çështjes, pohoi dje se një nga tunelet e ndërtuar në kohën e monizmit, ishte rethuar me tela me gjemba dhe brenda ishte rregulluar shumë mirë. Tuneli ka qenë i suvatuar. Brenda tij ishin vendosur dy krevate marinari. Janë gjetur dy automatikë me granata dore të lidhura me sigures gati për ndezje. Dëshmitari pohoi se tunelin e kishte ndërtuar për të mbrojtur djalin, pasi e ndiente se ishte në rrezik. Bashkim Xhafa tha dje se në tunel flinte djali i tij. Po kështu, ai tha se e kishte vënë re që djali nuk flinte vetëm, por nuk përmendi emra të personave të dyshuar. Edhe pse prokurori i kujtoi njohjet që djali i tij kishte me të pandehurit, dëshmitari mohoi të kishte dijeni.

Dosja e "Bandës së Lushnjes"

Vila

Dritan Vila, i dënuar edhe më parë për krimin e vrasjes, akuzohet se në datë 13 nëntor 1998, në bashkëpunim me persona të tjerë ka vrarë shtetasit Bledar Haxhiu dhe Artan Sulçe. Në datë 14 prill 2000, Dritan Vila ka vrarë oficerin e policisë gjyqësore, Klendi Bano. Në 19 prill 2001, akuzohet se ka vrarë shtetasin Nosh Gjelaj. Në datë 16 prill 2002, tentoi të vrasë shtetasin Bernard Gjini. Në datë 23 prill 2002, akuzohet se ka vrarë Alfred Pirrën.

Liçi

Petrit Liçi, i dënuar më parë, akuzohet se ka vrarë në bashkëpunim me Dritan Vilën e të tjerë, Bledar Haxhiun dhe Artan Sulçen, në datë 23 nëntor 1998. Ndërkohë akuza e dytë e tij, të cilën edhe e ka pranuar se ka qenë ndihmës, është ajo e vënies së bombës në stadiunin e Lushnjës, në datë 25 mars 2000. Në datë 27 mars 2003, në bashkëpunim me Erjon Cicin, tentuan të vrasin shtetasin Bardhyl Kurti.

Çela

Maksin Çela, i dënuar më parë. Akuzohet se në 14 prill 2000, në bashkëpunim ka vrarë Klendi Banon.

Dondollaku

Enver Dondollaku, i dënuar më parë për vrasje. Në 14 prill 2000, akuzohet se në bashkëpunim ka vrarë Klendi Banon, oficer i policisë gjyqësore Lushnjë.

Leonard Prifti, i dënuar më parë për vrasje. Akuzohet se ka vrarë në 14 prill 2000, Klendi Banon.

Cici

Erjon Cici, i dënuar më parë për vrasje, akuzohet se në datë 27 mars 2003, ka tentuar të vrasë shtetasin Bardhyl Kurti.

Kashari

Erjon Kashari, i padënuar më parë. Akuzohet se në bashkëpunim ka vrarë shtetasit Bledar Haxhiu dhe Artan Sulçe, në datë 23 nëntor 1998.

Mermali

Elton Mermali, akuzohet se në bashkëpunim ka vrarë Bledar Haxhiun dhe Artan Sulçen, në 23 nëntor 1998.

Të pandehurit

Aldo Bare

Dritan Vila

Petrit Liçi

Maksim Çela

Enver Dondollaku

Erjon Cici

Erjon Kashari

Elton Mermali

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›