Vrasjet që nisën vite më parë
10/03/2005 Kanë filluar në nëntor të vitit 1998. Shkak ka qenë një grindje mes viktimës Besnik Haxhiu dhe pjesëtarit të grupit të Aldo Bares, Gentian Xhaferri, edhe ky i plagosur e vdekur në vitin 1999 në Itali. Në datën e mësipërme, Besnik Haxhiu dhe Artan Sulçe, sipas akuzës, ishin duke lëvizur me automjetin tip fuoristradë nga qendra në drejtim të fabrikës së plastmasit, Lushnjë. Ndërkohë, Gentian Xhaferri së bashku me pjesëtarët e tjerë të grupit, i kishin zënë pritë. Në vendin e ngjarjes janë gjetur 68 gëzhoja të qitura këto nga 5 armë të ndryshme. Mësohet se vrasja është bërë për hakmarrje. Më pas ka qenë tetori i vitit 1999 ai që ka hapur "luftën", midis grupit dhe policisë së komisariatit të Lushnjës. Policia kishte marrë urdhër të godiste me çdo kusht veprimtarinë e grupit. Pikërisht në këto momente ka filluar hakmarrja. Në datë 25 shkurt të vitit 2000, te "Blerimi" në Lushnjë është goditur shefi i komisariatit, Sinan Meta. Por goditja nuk ishte vdekjeprurëse. Pak kohë më vonë oficerit të policisë, Arben Koçi, i vihet eksploziv në banesën e tij, por pa pasoja. Ndërkaq nga kokat e grupit bëheshin plane të mëtejshme. Kështu në datë 25 mars 2000, në hyrje të stadiumit në Lushnjë, vihen 5 kg eksploziv. 4 kg kanë qenë jashtë pakos dhe 1 kg brenda pakos. Të dyja sasitë kanë qenë të lidhura me njëra-tjetrën dhe ishin gati të shpërthenin me telekomandë. Këtë sasi eksplozivi e kishte pregatitur në mënyrë të specializuar shtetasi Riza Balla, i cili kishte punuar në ushtri. Eksplozivi ishte i destinuar të shpërthente në momentin që në stadium do të hynte shefi i komisariatit, Sinan Meta. Pakoja me eksploziv ishte vendosur me porosi të të pandehurit Maksim Çela. Eksperti në pako gjeti një gjurmë gishti, e cila i përkiste fillimisht Maksim Çelës, por më pas Gjykata e Elbasanit e pushoi çështjen me pretendimin se gjurma e gishtit nuk ishte e Çelës. Vetëm në 2003-shin u bë krahasimi dhe një akt tjetër ekspertimi, që nxori fajtor shtetasin Petrit Liçi. Në 14 prill 2000, në lagjen "Xhevdet Neprevishta" në Lushnjë, vritet oficeri i policisë gjyqësore, Klendi Bano. Sipas akuzës, Bano nën drejtimin e shefit Sinan Meta kishte hartuar një plan për asgjesimin e bandës së Aldo Bares. Por plani mbeti në mes. Në vrasjen e Banos, sipas Prokurorisë, ka marrë pjesë edhe Gentian Kulla, pjesëtar i grupit, vrarë në vitin 2002.