E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Lamaj", atentatori te TVA, zbulohet blerja e makinës në Gjermani

10/03/2005  Autovetura tip “Opel” nuk rezulton e vjedhur. Në kërkim pronari i saj

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka filluar verifikimin dhe hetimin mbi prova dhe informacione operative të mbledhura pas atentatit te TVA-ja, ku u plagos biznesmeni i njohur Vajdin Lame, për të gjetur ndonjë emër konkret të dyshuar si bashkëpunëtor në ekzekutimin e tij. Kjo pas ngritjes së dyshimeve se dy atentatet kanë lidhje mes tyre. Një nga pikat kyçe ku është përqendruar hetimi i Prokurorisë, është verifikimi i shitësit dhe më pas blerësit të autoveturës tip “Opel”, që u dogj nga atentatorët e TVA-së. Mësohet se nga verifikimet paraprake të kryera nga Prokuroria, atëherë, ka rezultuar se makina nuk ka qenë e vjedhur dhe dyshohet të jetë blerë në Gjermani.

Hetimi

Hetimi për gjetjen e ndonjë emri të dyshuar si autor i mundshëm i ekzekutimit të Presidentit të Federatës së Boksit, Vajdin Lame dhe mikun e tij, Artan Arsi, është përqendruar në disa prova, të cilat mund të zbardhin ndonjë element të ri. Veç verifikimit të numrit që aktivizoi eksplozivin dhe gjetjes së burimit dhe blerësit të këtij të fundit, Prokuroria e policia po heton edhe mbi provat e sekuestruara pas atentatit te TVA-ja në tetor të vitit të kaluar, ku mbetën të plagosur Lame dhe inxhinieri Ngjeqari. Lajmi bëhet i ditur për gazetën “Metropol” nga burime të policisë kryeqytetase, të cilat thanë se Prokuroria ka deleguar kryerjen e disa verifikimeve të reja, lidhur me autoveturën që u gjet e djegur në afërsi të shkollës së “Kuqe”. Ndonëse makina ishte shkrumbuar nga flakët dhe aty nuk u gjetën gjurmë të tjera gishtërinjsh, veç të disa banorëve të lagjes, të cilët ishin përpjekur të shuanin flakët, bagazhi kishte mbetur i paprekur, duke i dhuruar Prokurorisë prova të vlefshme. Burimet sqarojnë se aty u gjetën dy karikatorë kallashnikovi plot me fishekë, të cilët ishin bashkur duke u lidhur me një nastro. Pikërisht në këtë nastro hetuesit kanë gjetur gjurmë gishtash, sqarojnë burimet. Por, nga krahasimi që u krye, ato nuk i përkisnin asnjë personi të skeduar dhe as atyre që u shoqëruan si të dyshuar për autorësinë e mundshme apo për dijeni mbi ngjarjen. Ndërsa e vetmja provë që mund të çojë në identifikimin e ndonjë prej bashkëpunëtorëve të atentatit te TVA-ja, mbetet verifikimi i blerësit të makinës, thonë burimet. Burimet shtojnë se pas ngritjes së dyshimeve, se pas dy atentateve fshihej e njëjta “dorë”, mund të konkludohet më pas në identifikimin e ndonjë prej autorëve të plagosjes dhe ekzekutimit të Lames, në orët e para të së hënës së javës së kaluar.

Verifikimi

Mësohet se policia dhe zyra e Interpolit ka filluar verifikimet për identifikimin e shitësit të autoveturës që u përdor nga atentatorët te TVA-ja. Kjo, pasi nga verifikimet paraprake rezulton që ajo të mos ketë qenë e vjedhur dhe në bazë të targave që i janë gjetur dyshohet të ketë ardhur nga Gjermania. Burimet shprehen se të dhëna mbi makinën i janë përcjellë zyrës së Interpolit, me qëllim kryerjen e verifikimeve përkatëse për shitësin dhe blerësin e saj. Mësohet se të dhënat e makinës i janë vënë në dispozicion drejtësisë gjermane, që pritet të kryejë verifikimin, nëse kjo makinë është blerë apo jo vërtetë në atë vend. Burimet pohojnë se, nëse konkludohet që kjo autoveturë të jetë blerë në Gjermani, atëherë do të hetohet për kohën kur është shitur dhe nga kush. Në qoftë se do të identifikohet shitësi, atëherë do t’i kërkohet këtij të fundit që të informojë rreth identitetit të blerësit dhe të vërë në dispozicion emrin e këtij personi. Pasi blerësi të identifikohet, atëherë do të hetohet mundësia e bashkëpunimit të tij në këto atentate, ose nëse ky person ia ka shitur apo jo makinën ndonjë tjetri në Shqipëri. Por, hetuesit dyshojnë se autovetura mund të jetë blerë edhe duke përdorur identitet të rremë dhe në dokumentacionin e akt shit-blerjes me anë të dokumentacioneve të falsifikuara. Por, ndonëse policia dhe prokuroria kanë ngritur një grup të posaçëm hetimor në bashkëpunim edhe me ekspertë kriminalistikë të huaj, ende nuk është arritur në një emër konkret të dyshuar lidhur me atentatorët e Lames te TVA-ja dhe atyre në pallatin pranë stadiumit "Qemal Stafa", ku biznesmeni i njohur mbeti i vdekur.

Prokuroria në pritje të numrit që aktivizoi eksplozivin

Kompanitë celualare në vend vazhdojnë ende verifikimin për gjetjen e numrave që mundësuan shpërthimin e eksplozivit që mori jetën e biznesmenit Vajdin Lame dhe mikut të tij, Artan Arsi. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme, thanë dje se nuk ka mbërritur ndonjë përgjigje për numrin e mundshëm që mori thirrje dhe se kompanitë celulare janë në fazën e përjashtimit të atyre numrave, të cilëve u identifikohet pronari dhe që rezultojnë të jenë jashtë çdo dyshimi. Ka një javë që ka filluar ky verifikim, që do të çojë në identifikimin e dy numrave të vetëm të dyshuar se aktivizuan eksplozivin, sqarojnë burimet. Mësohet se verifikimi ka filluar për numrin, i cili ka marrë thirrjen, që mendohet të ketë qenë i papërdorur më parë, me qëllim që të mos ndodhte shpërthim aksidental. Ndërkaq, hetimet janë përqendruar edhe në gjetjen e tregut të eksplozivit, që, sipas ekspertizës, i përket familjes C, me qëllim identifikimin e blerësit, që sipas policisë, klasifikohet si bashkëpunëtor në atentat.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›