E Shtunë, 31 Tetor 2026

Babai monstër: Djalin e hodha nga ura, s'është i imi

SHKODER-Pas 16 orësh operacion arrestohet babai monstër, i cili dy ditë më parë tentoi të vriste djalin e tij 2 vjeç, duke e hedhur nga Ura e Trenit në Shkodër. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së këtij qarku bëjnë me dije se Eduart Gjoka u kap dje rreth orës 10:30, në vendin e quajtur "Kodrat e Bardhajve", 12 km larg qytetit të Shkodrës. Mësohet se 32-vjeçari ishte fshehur në shtëpinë e disa të afërmve të tij në këtë zonë.
Burime pranë grupit hetimor pohojnë se Gjoka ka deklaruar gjatë marrjes në pyetje, se të birin e hodhi nga ura pasi gjatë gjithë kohës dyshonte se djali nuk ishte i tij. "Më erdhi keq për djalin, por e hodha poshtë nga ura në shenjë hakmarrjeje ndaj ish-gruas sime që më ka divorcuar. Gjatë gjithë kohës kam pasur përbrenda një dyshim të tmerrshëm, atë që djali nuk ishte i imi", - ka deklaruar në polici autori i ngjarjes që tronditi mbarë opinionin publik. Gjithashtu, Gjoka ka pranuar se ka qenë përdorues droge (konsumonte marijuanë). Ndërsa Eduart Gjoka është dërguar në qelitë e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Shkodrës si i akuzuar për "vrasje me dashje të mbetur në tentativë", ka reaguar nëna e fëmijës, Mirela Ndocaj. Mësohet se kjo e fundit, pas divorcit me Eduart Gjokën është martuar në Serbi. "Martesa ime me Eduart Gjokën nuk ka funksionuar. Jam martuar tre vjet më parë dhe që në fillim kisha probleme, pasi Eduarti nuk punonte dhe pinte alkool. Shtatë muaj më parë u divorcuam", - ka pohuar 24-vjeçarja. Pas ngjarjes, Mirela Ndocaj nga Kopliku ka udhëtuar nga Serbia për në qytetin e Shkodrës për të marrë djalin e saj 2-vjeçar.

Ndërkohë që në lidhje me këtë ngjarje të pazakontë, deputetët e PD-së në Shkodër kanë bërë një deklaratë për shtyp, të cilën e ka lexuar deputetja Arenca Trashani. Në fjalën e saj, Trashani e ka dënuar një akt të tillë, i cili është shprehje e qartë e dhunës në familje. Por deputetja nuk ka lënë pa shigjetuar kreun e opozitës, Edi Rama, duke bërë një paralelizëm mes babait të fëmijës dhe Ramës. "Një person i rëndomtë, i cili dhunoi dhe tentoi të vrasë fëmijën e tij, përbën një precedent të rrezikshëm për shoqërinë shqiptare. Por, ndaj vetë kreut të opozitës që ka dhunuar nënën, djalin e tij dhe femrat e tij, si duhet të sillemi?! Persona të tillë jo vetëm që nuk e meritojnë të jenë në krye të forcave politike, por ata duhet të përballen me organet e drejtësisë, pasi prania e tyre në shoqërinë shqiptare është tejet e rrezikshme dhe komprometuese", - ka deklaruar Trashani.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›