Babai monstër hedh fëmijën 2-vjeçar nga ura e trenit
SHKODER/ RIDVAN DIBRA
Një fëmijë 2 vjeç shpëtoi mrekullisht dje, pasi babai i tij e hodhi nga ura e hekurudhës, rreth 6 metra e lartë. Momentin e ngjarjes së paprecedentë e kanë parë dhjetëra kalimtarë e drejtues mjetesh, të cilët i shpëtuan jetën vogëlushit duke e çuar me urgjencë në spital. Autori i kësaj ngjarjeje të rëndë, Eduart Xhoka, 35 vjeç mësohet se është përdorues droge. Ngjarja, sipas policisë, ndodhi rreth orës 16:30 në dalje të qytetit, në aksin nacional Shkodër-Pukë, në vendin e quajtur “Mbikalimi i Trenit”. Në urën ku u hodh fëmija kalon traseja e linjës hekurudhore Lezhë-Shkodër, ndërsa poshtë saj rruga nacionale. Kanë qenë dëshmitarë okularë, të cilët menjëherë pasi kanë parë skenën e tmerrshme kanë nxituar t’i japin 2-vjeçarit ndihmë, duke e çuar menjëherë në spitalin e Shkodrës. Ndërsa më pas ata sinjalizuan edhe policinë. Sipas pohimeve që kanë bërë në polici dëshmitarët, ata kanë parë mbi urë një burrë rreth 35 vjeç që mbante në dorë një fëmijë, ndërsa po debatonte me një grua në moshë. Kjo e fundit më pas rezultoi të ketë qenë nëna e autorit të ngjarjes. Debati mes nënës dhe djalit ka zgjatur vetëm pak minuta dhe më pas babai e hodhi fëmijën e tij nga ura. Pas këtij veprimi, ai është parë duke u larguar me shpejtësi. Vogëlushi 2- vjeçar, E.Xhoka u gjet pa ndjenja përtokë. “Nuk jepte shenjë jete”, u shprehën për policinë dëshmitarët e ngjarjes. Mjekët e spitalit të Shkodrës, pasi i kanë dhënë ndihmën e parë kanë konstatuar se fëmija kishte pësuar vetëm një frakturë në këmbë dhe se ishte jashtë rrezikut për jetën. Sipas policisë, Eduard Xhoka rezulton të jetë përdorues i rregullt droge. Prej pak muajsh ai ishte divorcuar me bashkëshorten e tij dhe me vendim gjykate fëmija i ishte lënë në kujdestari nënës. Ndërsa 35-vjeçarit i ishte dhënë e drejta që ta merrte fëmijën në shtëpinë e tij një herë në 2 javë. Pasdrekën e djeshme, ai së bashku me nënën e tij kishte marrë një taksi për ta çuar fëmijën te banesa e ish-bashkëshortes së tij. Por rrugës ai ka filluar të debatojë me të ëmën derisa ka ndaluar taksinë dhe ka hedhur fëmijën nga lartësia e urës. Dyshohet se tema e debatit ka qenë kërkesa për para e burrit. Kur e ëma nuk ka pranuar ai ka ndërmarrë veprimin makabër.