E Diel, 1 Nëntor 2026

Hodhi fëmijën nga ura: Mora hak për gruan që më ndau

 

SHKODER/ RITVAN DIBRA

Janë dashur 16 orë kërkime të pandërprera, që babai monstër të arrestohet nga policia e Shkodrës. Eduard Gjoka fshihej në banesën e të afërmit të tij në fshatin Bardhaj të komunës Rrethina. Me pranga në duar, ai ka shprehur keqardhjen për fatin e të birit 2-vjeçar, por sipas tij, fëmijën e hodhi nga mbikalimi i trenit në shenjë hakmarrjeje për të shoqen. Me të ai ishte ndarë 7 muaj më parë, duke shkëputur çdo marrëdhënie. E vetmja ishte qëndrimi një herë në dy javë qëndrim me djalin. Policia e Shkodrës e njoftoi arrestimin e tij menjëherë, pasi sipas saj uniformat blu bënë një punë intensive, e drejtuar nga vetë drejtori Vullnet Topalli. 32-vjeçari u gjet 12 km larg qytetit, në zonën e njohur si "Kodra e Bardhajve". Gjatë marrjes në pyetje në momentin e arrestimit 32-vjeçari ka deklaruar se veprimin e ka ndërmarrë për të marrë hak mbi të shoqen që e ndau. Ndaj Eduard Gjokës rëndon akuza e "vrasjes me dashje, të mbetur në tentativë". Pasditen e së premtes ai do të kthente të birin në banesën e njerëzve të ish-bashkëshortes, Mirela Ndocaj, 24 vjeçe. Por, rrugës për në Koplik ai kapi fëmijën, duke mos ngurruar ta lëshojë atë nga rreth 6 metra lartësi në tokë, në lagjen "Tre Heronjtë". Policia menjëherë njoftoi se autori ishte një person me probleme, i cili drogohej. Këtë fakt e ka pohuar dje para grupit hetimor dhe ish-bashkëshortja e tij. Ndocaj mësohet se pas divorcit në fillim të këtij viti kishte lënë fëmijën te familjarët e saj, në Koplik. Prej 4 muajsh, ajo ishte martuar në Serbi, duke mos e marrë djalin të jetonte me të. Ditën e djeshme, kur ka mësuar ngjarjen e rëndë, ajo ka mbërritur në spitalin e Shkodrës për të parë fëmijën, i cili për fat shpëtoi nga vdekja e sigurt vetëm me një frakturë në këmbë. Për marrëdhëniet me ish-burrin ajo është marrë në pyetje nga policia, duke deklaruar se ishte e pamundur martesa me të. "Burri më ka keqtrajtuar, dhunuar, ishte i sëmurë. Ai drogohej, pinte dhe kurrë nuk më ka dashur", ka pohuar ajo gjatë momenteve të marrjes në pyetje. Dëshmia e saj i është bashkuar dosjes së tentativës së vrasjes ndaj fëmijës 2-vjeçar, hapur për babanë e tij, Eduard Gjoka. Mjekët e spitalit të Shkodrës kanë lejuar dje nxjerrjen e fëmijës nga spitali, i cili është dërguar me të ëmën në Koplik, aty ku qëndronte që pas martesës së saj. Ndërsa Eduard Gjoka është izoluar në qelitë e komisariatit të policisë së Shkodrës. Kjo ngjarje tronditi mbarë opinionin, pasi jo vetëm i lënduari ishte një i mitur, por dhe se ndodhi në mes të ditës, në sy të dhjetëra dëshmitarëve që nuk arritën ta ndalonin dot autorin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›