E Shtunë, 31 Tetor 2026

Babai monstër përdhunonte të bijat

Greqi, një histori e tmerrshme 8-vjeçare incesti ka shokuar opinionin publik

Nuk mund të konceptohet që babai të përdhunojë vajzat e tij, por kjo ka ndodhur fatkeqësisht në një familje shqiptare, e cila jetonte prej vitesh në Greqi. Mediat greke, edhe pse të rezervuara, nuk e kanë kaluar në heshtje ngjarjen, e cila ka shokuar opinionin publik, teksa policia ka vënë në pranga një 50-vjeçar me kombësi shqiptare, pasi përdhunonte të bijat. Ai ka dalë dy ditë më parë para prokurorit të Pireut, i cili ka vendosur ta dërgojë në burg babanë monstër.

Ngjarja

Policia e Pireut ka arrestuar babain e tre fëmijëve, pasi dyshohet se ka përdhunuar sistematikisht, për tetë vjet, dy vajzat e tij, përkatësisht 14 dhe 16-vjeçare. Në policinë greke personi ka deklaruar emrin Fatos G., por dyshohet se ai nuk ka këtë identitet dhe se emri i tij mund të jetë i rremë për shkak të problemeve që mund të ketë pasur me drejtësinë në Shqipëri. Po ashtu, policia e vendit fqinjë ka deklaruar se personi në fjalë ishte shpallur dy vjet më parë në kërkim, pasi akuzohet për kryerjen e disa veprave penale. I arrestuari ka pranuar se përdhunonte gati çdo ditë vajzat e tij, e nga ky veprim vajza e vogël e familjes ka sjellë në jetë edhe një fëmijë.

Ka qenë djali 10-vjeçar, ai që ka treguar tmerrin që ndodhte në familjen e tij. Vogëlushi i ka rrëfyer gjithçka mësueses, duke i thënë se kishte qenë dëshmitar i dhunimit sistematik të të motrave. Ai tregoi se i ati e merrte në dhomën e gjumit që të shikonte. Madje, babai monstër i thoshte të birit, se një burrë i vërtetë duhet t’i dinte këto gjëra.

Monstruoziteti është rrëfyer para gjykatësit edhe nga të bijat, madje njëra prej tyre ka deklaruar se ishte përdhunuar për herë të parë në moshën 6-vjeçare, ndërsa e motra dy vjet më e rritur se ajo. Sipas vajzave, i ati i kërcënonte që të mos i tregonin gjë nënës së tyre, e cila punonte me orare të gjata jashtë shtëpisë.

Hetimi

Policia e Pireut tha zyrtarisht se 50-vjeçari ka pranuar se çdo gjë e kishte kryer me gjakftohtësi të plotë, gjë e cila ka habitur edhe hetuesit e çështjes. Nuk ka asnjë të dhënë në lidhje me atë që ka përjetuar nëna e vajzave kur ka mësuar se i shoqi kishte kryer marrëdhënie incesti. Sipas policisë, 50-vjeçari duket të përgjigjet tashmë për akuzën e përdhunimit të të miturave dhe dënimi i tij do të jetë maksimal, me mbi 20 vjet burg. Mbi të gjitha mbi të, më shumë se burgu, rëndon dënimi i kësaj vepre nga opinioni publik që është shokuar nga ngjarja e pazakontë, e cila është publikuar shumë vite pasi kishte nisur të realizohej.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›