E Diel, 1 Nëntor 2026

Plagosja e punëtorit të Ujësjellësit, policia ndalon tre persona

Durrës

Prangosen të dyshuarit si autorë të plagosjes së punonjësit të Ujësjellësit për shkak të detyrës dhe dy persona të tjerë. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bënë të ditur se të ndaluarit janë: Fisnik Shehi dhe kushëriri i tij, Sherif Shehi, të dy 27 vjeç, si dhe Rami Velia, 37 vjeç, të tre nga rrethi i Dibrës dhe me banim në Xhafzotaj të Durrësit. Në konfliktin e nisur për shkak të ushtrimit të detyrës së punonjësit të Ujësjellësit, 53-vjeçarit Besnik Avdyli, mbetën të plagosur ai vetë, nipi i tij Mirjet (Gert) Avdyli dhe Ilir Karepi. Nga hetimet rezultoi se punonjësi i Ujësjellës-Kanalizimeve ka qenë së bashku me disa punonjës duke monitoruar linjën pas prerjeve të lidhjeve të paligjshme. Gjatë kryerjes së detyrës, ai është qëlluar me gur në kokë dhe palët janë përfshirë në konflikt. Për t’i ndarë ka ndërhyrë nipi i tij Mirjet Avdyli, i njohur me emrin Gerti dhe bashkëfshatari Ilir Karepi. Ndaj shtetasit Fisnik Shehi rëndon akuza e “plagosjes së rëndë me dashje të kryer në bashkëpunim”, ndërsa ndaj dy të tjerëve ajo e “kanosjes për shkak të detyrës” dhe “goditjes për shkak të detyrës në bashkëpunim”. Menjëherë pas ngjarjes, policia bëri identifikimin dhe u vu në kërkim të shtetasve Fisnik Shehi, 27 vjeç, Sherif Shehi, 27 vjeç, dhe Rami Velia, 37 vjeç, të tre dibranë dhe me banim në Xhafzotaj. Të tre të plagosurit ndodhen në spitalin e Durrësit nën kujdesin e mjekëve, ndërsa në Xhafzotaj banorët janë të irrituar për ngjarjen e rëndë. Dëshmitarë okularë thanë se shërbimet policore kanë mbërritur rreth një orë me vonesë në vendin e ngjarjes. Sherri mes punonjësit të Ujësjellësit dhe grupit të të ardhurve që reagonin ndaj ushtrimit të detyrës është zhvendosur përgjatë të gjithë rrugës dhe dëshmitarët kanë qenë të shumtë. Ata thonë se në sherr ka marrë pjesë dhe një punonjës policie i veshur civil dhe vonesën në ardhjen e shërbimeve të policisë e lidhin me këtë prani në mbështetje të dhunuesve. Një ditë më pas në fshat njerëzit pinë kafen e mëngjesit të qetë në lokale dhe nuk pëlqejnë të flasin shumë për ngjarjen. Ndjehen të pasigurt, ndërsa në shtëpitë e tre të plagosurve nuk gjen njeri. Të gjithë kanë shkuar në spital për të qëndruar pranë njerëzve të dashur. Ndërkohë edhe drejtues lokalë dhe të Ndërmarrjes së Ujësjellësit, si dhe deputeti Igli Cara kanë vizituar në spital tre të plagosurit dhe kanë kërkuar vënien e autorëve para ligjit. Ndërkaq është deklaruar se konfliktet e dhunshme që vënë në rrezik jetën e punonjësve nuk do ta stepin ndërmarrjen UKD-së që të vazhdojë aksionet për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›