E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pengmarrja, 29- vjeçari nga Shkodra me probleme mendore

Pas ngjarjes së mesditës pranë Stacionit të Trenit, flet i vëllai i Elton Sutermanit: “Largohet gjithnjë pa më thënë se ku”

Luan Kondi, Ardi Hoti

U dyshua për një tentativë grabitje, por pas pyetjes së autorit uniformat blu kanë arritur në përfundimin se qëllimi i 29–vjeçarit ishte kërcënimi i vajzës së dyqanit, me të cilën mendohet se kishte njohje. Ngjarja ka ndodhur pak para mesditës në një nga njësitë e shitjes së kartave rimbushëse të një kompanie të telefonisë së lëvizshme në Tiranë, fare pranë Stacionit të Trenit, në bulevardin “Zogu I”. Sipas burimeve policore, një person i armatosur, kishte hyrë në dyqan ku shërbente një 21-vjeçare, me qëllim grabitjen e tij.

Ngjarja

Rreth orës 11:40, autori i identifikuar si Elton Sutermani, ka hyrë në dyqan ku ka debatuar me vajzën dhe më pas nën kërcënimin e armës, që rezultoi lodër, e ka detyruar atë të dalë jashtë. Deri këtu gjithçka përkonte me një tentativë të pastër grabitjeje, por më pas ky variant ka rënë, pasi kur hetuesit kanë marrë në pyetje të riun, ai ka deklaruar se kishte njohje me vajzën që punonte atje. Ndërkohë, punonjësja ka kundërshtuar të ketë njohje me personin, por ka deklaruar se që në fillim e kishte pikasur çrregullimin e djalit. Sipas dëshmisë së saj para hetuesve, i panjohuri kishte kërkuar një numër me kontratë, por nga komunikimi vajza kishte vënë re çrregullimin mendor të tij, ndaj dhe nuk kishte pranuar t’i shërbente. Kjo e kishte detyruar 30-vjeçarin të niste kërcënimet ndaj saj me ndihmën e një pistolete, në fillim u tha se ishte e vërtetë por më pas rezultoi lodër, ta detyronte vajzën të ngrinte duart lart dhe ta linte të riun të bënte ç’të donte në dyqan, me kusht që ajo të mos prekej dhe të lihej të dilte jashtë. Ka qenë vajza ajo që duke kërkuar ndihmë në njësitë tregtare aty pranë, dhe një nga pronarët ka njoftuar uniformat blu. Një patrullë e Policisë së Komisariatit Nr.3, duke u ndodhur aty pranë, ka shkuar brenda dy minutave në vendngjarje. Më pas nga patrullat e tjera të po të të njëjtit komisariat është bërë rrethimi i vendit të ngjarjes dhe mbajtja në kontroll e të riut. Në vendngjarje mbërritën forcat e RENEA-s, prania e së cilës e ka detyruar të riun të vetëdorëzohet. Sapo ka dalë me nga objekti me të riun e prangosur të pranishmit në vendin e ngjarjes nuk kanë harruar t’u japin një duartrokitje besimi forcave të RENEA-s të cilët janë për të dytën herë të suksesshëm në arrestimin e pengmarrësve. Policia ka bërë identifikimin e autorit, që rezultoi të ishte shtetasi Elton Sutermani, me origjinë nga qyteti i Shkodrës, por prej disa ditësh jetonte në Tiranë.

Vëllai

Pengamarrja u mediatizua menjëherë dhe, sapo kanë marrë njoftimin se autori ishte nga Shkodra, vëmendja u përqendrua atje për të komunikuar me familjarët. Vëllai i pengmarrësit ka folur për “Shqip” duke evidentuar problemet mendore të Eltonit dhe largimet e tij pa lënë adresë. “Nuk është hera e parë që më ka sjellë shqetësime dhe probleme. Jam munduar t’i qëndroj afër, sepse e di që ka problem mendore por ka qenë e kotë. Të gjithë ne, njerëzit e afërt të tij, jemi munduar t’i qëndrojmë pranë, por ka qenë e kotë. Tani nuk kam se çfarë të bëj. Nuk dua të di asgjë për tim vëlla, mos më pyesni pasi jam tërësisht i shkëputur nga ai. Nuk dua të di asgjë për të. Ka qëndruar tek unë një periudhë, por largohej pa në vënë në dijeni. Kam 10 ditë pa e parë, nuk më thoshte se ku shkonte. Problemet mendore të tij janë shtuar shumë këto muaj”, tha vëllai i madh i Elton Sutermanit. Shokët dhe të afërmit e autorit të ngjarjes pohojnë se Eltoni ka shfaqur problem mendore, pasi është një fëmijë i rritur me probleme ekonomike dhe pa prindër. Ai humbi nënën kur ishte 6 vjeç, ndërsa babain vetëm dy vjet më pas, pra kur sapo kishte mbushur 8 vjeç. Eltoni, vëllai i tij binjak, Edmondi, dhe vëllai tjetër 7 vjet më i madh kanë jetuar tek të afërmit, tek xhaxhai dhe daja. Ndërsa dy vëllezërit e tij kanë shtëpi dhe jetojnë me familjet e tyre, njëri në Itali dhe tjetri në Shkodër, Eltoni ka vazhduar jetën e endacakut dhe nuk ka punuar asnjëherë. Problemet mendore dhe fakti se ai ishte jetim i detyruan të afërmit ta mbajnë pranë, por kur konstatuan se ai nisi të merrte borxhe tek fqinjët e larguan. Kohët e fundit ai ka qëndruar tek vëllai, por dhe ai prej disa ditësh nuk e strehonte më, pasi, sipas të vëllait, nuk po sillej mirë, por edhe për shkak të gjendjes së renduar mendore.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›