LSI mungon në Internacional. Meta, axhendë të ngjeshur
Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka marrë pjesë dje në takimin e Komitetit të Europës Juglindore të Partisë Socialiste. Burime zyrtare të LSI-së kanë bërë të ditur se në këtë takim do të duhej të ishte prezent vetë kreu i kësaj force politike, zv.kryeministri Ilir Meta. Por duke qenë se axhenda zyrtare e shefit të diplomacisë ka qenë e ngarkuar me takime të rëndësishme, nuk është ofruar mundësia e marrjes pjesë në Samitin e Tiranës. Zv.kyeministri Meta ka qenë në Danimarkë, ku ka zhvilluar takime të rëndësishme me zyrtarë të këtij vendi, e më pas ka udhëtuar drejt Norvegjisë, ku ka marrë pjesë në Festivalin Europian të Këngës për të mbështetur delegacionin e Shqipërisë.
Nga Danimarka, ministri i Jashtëm, Ilir Meta, ka komentuar ngërçin politik, duke u shprehur optimist për zgjidhjen e krizës nëpërmjet dialogut, që siç tha ai duhet bërë pa cenuar Kushtetutën dhe ligjin. “Shqipëria ka një problem politik, që nuk mund të anashkalohet, që është pikërisht mungesa e maturisë politike nga ana e lidershipit të opozitës për t’u sjellë në mënyrë demokratike. Ne kemi qenë të hapur për t’i siguruar të gjitha hapësirat opozitës, pa cenuar Kushtetutën dhe pavarësitë e gjykatave. Shpresoj që në javët e ardhshme të arrihet një marrëveshje që t’i shërbejë kapërcimit të kësaj situate, që unë do ta quaja moment papjekurie politike”, u shpreh numri dy i qeverisë.