E Diel, 1 Nëntor 2026

Ilir Paja në gjyq, qëlloi policët

 

Trazhgim Sokolaj

Personazhi i dy arratisjeve spektakolare nga burgjet italiane, Ilir Paja, do të gjykohet në Tiranë për akuzën e "vrasjes së mbetur në tentativë në rrethana të cilësuara" ndaj një agjenti të policisë, që ishte vënë në ndjekje për arrestimin e tij.Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi hetimet dhe dorëzoi në gjykatë fashikullin penal nr.28 të vitit 2008, ku Ilir Paja akuzohet edhe për veprën penale të "armëmbajtjes pa leje". Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas të cilave i pandehuri Ilir Paja ndodhet në gjendje arresti në burgjet shqiptare, pasi u arrestua më 6 mars 2008, rreth orës 10:00, kur pati një përplasje me armë zjarri me agjentët e policisë së kryeqytetit që ishin vënë në ndjekje të tij. Prokuroria thekson se ka qenë në dijeni të precedentëve penalë dhe akuzave të ngritura në Itali ndaj Ilir Pajës, për largim nga vendi i vuajtjes së dënimit, shfrytëzim prostitucioni dhe për dënimin e tij me vrasje në Gjermani. Sipas organit të akuzës, autoriteteve italiane u është kërkuar me letërporosi transferimi i provave në Tiranë për gjykimin e Ilir Pajës, por përgjigjja ka vonuar. Në këto kushte, duke respektuar afatin e procedimit penal të hapur për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj agjentëve të policisë, Prokuroria dorëzoi për shqyrtim në Gjykatë fashikullin për ngjarjen e 6 marsit të vitit të kaluar dhe mbajti të hapur një dosje të dytë ndaj Ilir Pajës për veprat penale të kryera prej tij në Itali, derisa autoritetet e këtij vendi të kthejnë përgjigje për provat e kërkuara.
Përplasja me agjentët
Nga hetimet e Prokurorisë, përplasja e Ilir Pajës me agjentët e policisë rezulton të ketë ndodhur si më poshtë. Agjentët e sektorit të operacioneve speciale dhe kërkimit në policinë e Tiranës, B.Haxhimali dhe R.Mete kanë qenë me shërbim përballë maternitetit "Koço Gliozheni" në kryeqytet. Rastësisht agjenti B.Haxhimali ka vënë re personin që po lëvizte me makinën "Fiat Punto" me targa BC 983 DP, ngjyrë gri. Ky person ngjasonte me të kërkuarin Ilir Paja. Menjëherë agjenti ka lajmëruar eprorin e tij, D.Muça, ndërsa ky i fundit ka autorizuar ndjekjen e personit të dyshuar, pasi edhe ai bashkë me drejtues të sektorit të operacioneve speciale A.Caka po shkonin për në vendin ku ishte dhënë informacioni.
Agjentët e policisë që po lëviznin me motorin e shërbimit "Skuter", kanë nisur ndjekjen e makinës së dyshuar në drejtim të kryqëzimit te zona e quajtur "Brryli". Agjentët në terren kanë qenë pa shenja dalluese policie, ndërsa janë përpjekur të mos binin në sy te personi i dyshuar. Makina me të cilën lëvizte Ilir Paja ka mbërritur te kryqëzimi pranë ish-farmacisë nr.10, por për shkak të trafikut është detyruar të qëndrojë në radhën e parë te kryqëzimi fare pranë policit që po drejtonte qarkullimin. Në këtë kohë, në korsinë në krah të majtë të personit të dyshuar, duke qenë se ajo ishte bosh, ka hyrë mjeri tip "Benz" ku ndodheshin eprorët e agjentëve të policisë që kishin ndjekur me motor Ilir Pajën deri në atë moment. Pasi është siguruar se bëhej fjalë për Ilir Pajën, drejtuesi i makinës "Benz" i ka prerë rrugën diagonalisht automjetit të Ilir Pajës (Fiat Punto) për të penguar largimin e tij përpara. Oficeri D.Muça ka zbritur nga makina dhe i është drejtuar Ilir Pajës me fjalët: Policia, dorëzohu! Në këtë kohë, pas makinës së Ilir Pajës, rreth 1.5 metër larg saj, ndodhej agjenti i policisë B.Haxhimali me motorin e tij, ndërsa agjenti tjetër kishte zbritur dhe ishte afruar në këmbë për t'i shkuar në ndihmë kolegëve duke thirrur "Policia".
Sapo ka parë policët që po i drejtoheshin atij, Ilir Paja ka reaguar duke lëvizur makinën indietro me shpejtësi. Ai ka marrë poshtë motorin e agjentit B.Haxhimali, ndërsa mjeti ka vazhduar lëvizjen duke kaluar trafikndarësen dhe duke mbajtur nën vete zvarrë, motorin dhe agjentin e policisë. Në këtë kohë, duke parë se Ilir Paja i kishte drejtuar armën tip pistoletë, oficeri tjetër D.Muça ka qëlluar dy herë drejt makinës "Fiat", duke arritur të plagosë Ilir Pajën me një plumb. Makina e Ilir Pajës ka ndaluar vetëm pas përplasjes me autobusin e Unazës, që kishte ndaluar rastësisht aty. Agjenti i policisë, R.Mete, për të neutralizuar veprimet e Ilir Pajës ka qëlluar dy herë me armë te xhami i derës së djathtë në drejtim të kroskotit për të hapur derën e pasagjerit. Ai e ka hapur derën, ka bllokuar armën dhe ka nxjerrë jashtë Ilir Pajën, duke e shtrirë përtokë. Më pas ai ka shkuar të ndihmonte personat e tjerë që po përpiqeshin të nxirrnin nga poshtë makinës së Ilir Pajës, agjentin e policisë B.Haxhimali. Ky i fundit pasi është nxjerrë në gjendje të rëndë nga poshtë makinës, është çuar në spital nga efektivat e policisë, ndërsa Ilir Paja, edhe ai i plagosur, është përcjellë nga dëshmitarët G.Vathi dhe R.Cahani.          
Prokuroria tha se agjentit B.Haxhimali, të goditur nga makina e Ilir Pajës, sipas akt-ekspertimit mjeko-ligjor të datës 18 mars 2008, i janë shkaktuar probleme serioze që hyjnë në kategorinë e dëmtimeve të rënda me rrezik për jetën në momentin e shkaktimit.
Organi i akuzës thekson se agjenti i policisë R.Mete kishte zbritur nga motori "Scuter" duke thirrur "Policia", çka tregon se i pandehuri Ilir Paja ka qenë në dijeni të cilësisë së personave ndaj të cilëve tentoi të qëllonte me armë dhe ndaj agjentit, të cilin e goditi me makinë dhe më pas e mori zvarrë për disa metra. Prokuroria thekson se, pavarësisht faktit se e dinte që në motorin pas tij ndodhej një agjent policie, Ilir Paja i ka dhënë makinës gaz dhe e ka goditur agjentin B.Haxhimali, duke tentuar ta vrasë atë. "Vepra penale ka mbetur në tentativë për shkaqe që nuk vareshin prej të pandehurit Ilir Paja, sepse makina u përplas me autobusin e Unazës dhe ndaloi aty", thekson më tej Prokuroria në akuzën e saj. Sipas hetimeve, në momentin e nxjerrjes nga makina, Ilir Pajës i është gjetur dhe bllokuar arma pistoletë e kalibrit 9 mm, prodhim argjentinas me nr.368559 si dhe 11 fishekë, të cilët sipas ekspertimit rezultonin të rregullt.

Skeda e "ufos", nga vrasjet në Gjermani tek arratisjet në Itali

TIRANE - Skeda kriminale e Ilir Pajës, të paktën sipas akuzave penale që i janë adresuar atij, duket e pasur me bëma sa të guximshme e të rrezikshme aq edhe ekstreme. Akuza më e rëndë ndaj tij është ajo që lidhet me një vrasje të ndodhur në vitin 2003, kur Ilir Paja akuzohet se ka vrarë në mënyrë makabre një shtetas shqiptar. Krimi ka ndodhur në një parkim automjetesh në qytezën Duisburg të Gjermanisë, ndërsa shkak për vrasjen dyshohet se ka qenë fakti se viktima kishte hyrë në zonën e trafikut të prostitutave, që shfrytëzohej nga Ilir Paja. Ai iku nga Gjermania menjëherë pas krimit për t'u prangosur në Itali, ku gjithsesi qëndroi për pak kohë në burg, pasi u arratis nga qelitë e burgut të Peruxhias falë një skenari spektakolar. Në 11 qershor të vitit 2006, Ilir Paja iku nga kati i tretë i burgut me anë të çarçafëve të lidhur në njëri-tjetrin dhe më pas kërkimet e policisë dështuan për shumë kohë në kapjen e tij. Pas kësaj Ilir Paja u bë person i shumëkërkuar dhe u vu në pranga, por përsëri u arratis në kohën që me ambulancë po transferohej nga njëri burg në tjetrin, duke përfituar edhe nga mungesa e vëmendjes nga punonjësit që po e shoqëronin. Akuzat penale të adresuara ndaj Ilir Pajës në Itali dhe Gjermani fillonin me vrasje, trafik droge, vjedhjet e vilave, rrëmbim personi, dhunë seksuale e deri te shfrytëzim prostitucioni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›