E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkim ndërkombëtar për vajzën e humbur

Kërkimet kanë vazhduar edhe gjatë ditës së djeshme, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës Interpol Tirana dërgon dosjen e 6-vjeçares te të gjitha policitë homologe

Kërkimet për 6-vjeçaren e zhdukur nga Zapodi i Kukësit, Bleona Mata, kanë nisur në nivel ndërkombëtar. Zyra Qendrore Kombëtare e Interpol Tiranës ka shpallur në kërkim ndërkombëtar vajzën 6-vjeçare, të zhdukur në Kukës dy javë më parë. Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të Policisë së Shtetit, të cilat thanë se shpallja në kërkim e vajzës është bërë në kuadër të kërkimeve për gjetjen e saj. Imazhet fotografike të vajzës dhe gjeneralitetet e saj mësohet se u janë shpërndarë të gjitha pikave të policisë dhe njësive të kalimit kufitar në të gjithë vendin me një urdhër kërkimi. Nga ana tjetër, Interpoli ka dërguar të dhënat e saj te të gjitha policitë homologe. Ndërsa në Kukës policia ka ndërmarrë një tjetër aksion kërkimi në zonën e zhdukjes së vajzës, pranë fshatit Zapod. E gjithë zona është krehur deri në kufi me Kosovën nga forcat e policisë, por nuk është arritur të gjendet asnjë gjurmë e vajzës 6-vjeçare.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit u shpreh dje se ka shpallur në kërkim ndërkombëtar të miturën Bleona Mata, 6 vjeçe, e cila u zhduk pa gjurmë pasditen e datës 22 maj, vetëm 500 metra nga banesa e saj në bjeshkët e Zapodit. Fillimisht, fotografia e të miturës u është dhënë pikave kufitare të vendeve fqinje, pasi dyshohet se të miturës mund t’i jenë ndryshuar gjeneralitetet dhe një nga pistat e hetimit mbetet ajo e daljes nga kufiri shqiptar. Nga ana tjetër, Interpol Tirana, në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Drejtësisë, gjatë ditës së djeshme ka kryer gjithë procedurat e nevojshme për ta shpallur atë në kërkim ndërkombëtar. Ata kanë kontaktuar edhe me qendrën e Interpolit dhe që shumë shpejt pritet që ajo të shfaqet në faqen zyrtare të internetit. Kjo është hera e parë që policia shqiptare shpall në kërkim ndërkombëtar një vajzë të mitur.

Po dje ka nisur një tjetër operacion kërkimi në zonën kufitare me Kosovën, ku forca të policisë, banorë dhe ekspertë, sërish janë ngjitur në bjeshkët e Zapodit për të krehur për të disatën herë zonën me shpresë për gjetjen e vogëlushes. Ndërkohë, në Prizren ka shkuar një grup i Policisë së Kukësit dhe i hetimit, i kryesuar nga drejtori i policisë së qarkut, Sadri Ramçaj. Ata janë takuar me përfaqësues të Policisë së Kosovës, në përpjekje për të ngushtuar rrethin e të dyshuarve dhe zonat e pakrehura, lidhur me rrëmbimin, siç është cilësuar edhe nga Prokuroria për Krimet e Rënda çështja e 6-vjeçares Bleona Mata. Në takim kanë qenë edhe përfaqësues të EULEX–it, si dhe të prokurorisë së Kosovës. Përfaqësuesit e policisë kosovare kanë bërë të njohur për palën e policisë shqiptare rezultatet e kërkimeve, që kanë qenë të orientuara në pistën e rrëmbimit dhe që kanë kaluar në sitë vendqëndrime të mundshme, ku dyshohej se mund të mbahej vajza e vogël.

Të dhënat e deritanishme të kërkimit të Policisë së Kosovës nuk bëhen publike, por ata kanë deklaruar se do të vazhdojnë të kërkojnë. Në takim, policia shqiptare, përkatësisht Drejtoria e Policisë së Qarkut të Kukësit, ka dhënë pikat e mundshme të referimit, sipas rezultatit të kërkimit dhe dëshmive të personave të ndryshëm, të marrë në pyetje në Kukës, madje edhe në Tiranë. Pas takimit, të dy policitë, si dhe ekspertë të EULEX-it, kanë udhëtuar në Dragash, ku për disa orë kanë zhvilluar kërkime në terren, si për të dëshmuar se asnjë pistë nuk mund të hidhet poshtë, derisa nuk është gjetur vajza apo një shenjë e saj. Të dyja policitë kanë kërkuar në terrene të zonës së kufirit Kosovë-Shqipëri rreth 4-5 orë. Vajza e vogël humbi me datë 22 maj 2010 pasdite, më pak se një km larg shtëpisë teksa kulloste bagëtitë.

Bledi Gilaj, Sulejman Dida

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›