Bandat e Durrësit, zënkë midis gjykatës dhe prokurorisë
Vijojnë “përplasjet” midis gjykatës, prokurorisë dhe avokatëve në procesin gjyqësor ndaj 17 anëtarëve të bandave të Durrësit. Seanca e djeshme është karakterizuar nga debate të forta midis anëtarëve të trupit gjykues dhe përfaqësuesve të organit të akuzës. Këta të fundit kanë këmbëngulur në seancën e djeshme që të lexoheshin deklarimet e dëshmitarëve Gerald Baja dhe Denis Xhillari. Megjithëse gjykata ishte shprehur një javë më parë se do të lexonte këto deklarime, trupi gjykues ka deklaruar se këto deklarime nuk mund të lexohen në këtë fazë, por në seanca të tjera. Përfaqësuesi i organit të akuzës i ka bërë me dije gjykatës se, në bazë të Kodit të Procedurës Penale, prokuroria ka të gjithë të drejtat ligjore që të paraqesë në proces radhën e provave dhe dëshmitarëve.
Prokurori Anton Martini deklaroi se në bazë të ligjit kërkonte që të lexoheshin thëniet e dy dëshmitarëve, pasi janë të rëndësishme për këtë fazë gjykimi. Menjëherë ka reaguar kryetari i trupës gjykuese, Gurali Brahimllari, duke deklaruar se gjykata është shprehur njëherë për këta dëshmitarë dhe do t’i lexonte në seancat e kaluara. Megjithatë, përfaqësuesi i organit të akuzës ka vijuar të kërkojë të njëjtën gjë dhe pas shumë debatesh prokurori kërkoi disa minuta pushim të seancës për konsultim me drejtuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Seanca filloi pas disa minutash dhe dy prokurorët kanë deklaruar se, në bazë të konsultimeve, kërkojnë të lexohen këto deklarime, ose gjykata të ripërsërisë kërkesën për gjetjen e këtyre dëshmitarëve. Gjykata ka pyetur avokatët për këtë kërkesë. Mbrojtësit deklaruan se kjo kërkesë i bën presion gjykatës dhe se është e paligjshme, ndërsa vijonin se prokuroria kërkon t’i diktojë gjykatës tonin dhe të diskutojë një vendim të saj. Avokatët i kërkuan gjykatës se midis tyre dhe prokurorisë të anashkaloheshin problemet personale. Pas këtyre deklaratave fjalën e mori prokurori Anton Martini, i cili i bëri me dije gjykatës se në bazë të nenit 359 të Kodit të Procedurës Penale radhën e provave dhe dëshmitarëve e cakton në një shqyrtim gjyqësor prokuroria. Trupa gjyqësore u tërhoq për vendim dhe pas konsultimeve vendosën të rrëzojnë kërkesën e organit të akuzës. Sipas tyre, vendimi i gjykatës në datën 6 maj të këtij viti është i rregullt dhe deklarimet e këtyre dëshmitarëve do të lexohen në seancat në vijim. Trupi gjykues tha se në proces të gjitha palët janë të barabarta dhe kanë “armë” të njëjta. Pas vendimit prokurori tha se nuk kërkojmë asnjë provë tjetër, por gjykata të respektojë Kodin e Procedurës Penale dhe të lexojë këto deklarime. Midis përfaqësuesve të akuzës dhe gjykatës lindi një debat, ku kryetari i trupës gjykuese deklaroi se do të informonte Prokuroren e Përgjithshme për sjelljet e prokurorit dhe ky i fundit deklaroi se gjykata duhet të zbatojë Kodin e Procedurës Penale. Seanca u mbyll me tension midis palëve.
#