E Shtunë, 31 Tetor 2026

Erdha në Shqipëri për piktura dhe jo për drogë

Gjermanja Rexhina Kiashek dëshmoi në Gjykatën e Krimeve të Rënda, në procesion ndaj Zaim Tafës

Një shtetase gjermane e dënuar me 11 vjet burg nën akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, ka dëshmuar dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda në procesin ndaj Zaim Tafës. Rexhina Kiashek dyshohet se në bashkëpunim me Tafën ka tentuar të trafikojë 40 kilogramë heroinë, ndërsa gjatë dëshmisë së djeshme ka mohuar çdo lidhje me këtë trafik, duke deklaruar se ka ardhur në Shqipëri për piktura dhe jo për drogë. E moshuara u pyet nga prokurorja Ervjola Stoja nëse e njihte të pandehurin Zaim Tafa. E moshuara, e cila ndodhet në paraburgim së bashku me të shoqin Franc Kiashek, deklaroi se nuk e ka takuar kurrë Zaim Tafën dhe nuk e njeh atë. “Unë vendosa një njoftim në gazetë, ku kërkoja punë. Më kontaktoi Daniel Englert, i cili më tha se do më paguante 300 euro dita që të vija në Shqipëri e të transportoja piktura. Danielin deri në atë moment nuk e njihja. Në këtë pagë sigurisht përfshihej edhe im shoq. Pasi ramë dakord bashkë me Francin erdhëm për herë të parë në Shqipëri”, vijoi shtetasja gjermane, duke deklaruar se Danieli u kishte thënë në telefon të udhëtonim nëpërmjet Italisë. “Nga Bari erdhëm në Tiranë, ku e lamë që do takoheshim në Aeroportin e Rinasit. Nuk e di se nga erdhi Danieli, se linjë nga Gjermania nuk kishte, por pasi e takuam u nisëm nga Durrësi drejt Lushnjës”, tha e pandehura.

Tre shtetasit gjermanë janë dënuar nga Krimet e Rënda me 49 vite për kapjen e sasisë më të madhe të heroinës në Shqipëri. Ndërkohë që i akuzuari kryesor, shqiptari Zaim Tafa, pasi u arrestua gjatë të njëjtit operacion, u la i lirë nga Gjykata e Lartë, sepse siç u shpreh kolegji, nuk gjendej asnjë provë që e implikon atë në këtë çështje.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›