E Diel, 1 Nëntor 2026

Babai vrasës lihet në burg pa afat

Hysen Biba, i cili me gjakftohtësi hodhi foshnjën 3-ditësh nga kati i katërt i maternitetit, është lënë në burg pa afat. Këtë masë mori sot gjyqtari Ilir Çeliku, i cili pranoi kërkesën e Prokurorisë së Tiranës se Hysen Biba duhet të qëndrojë pas hekurave deri në përfundim të gjykimit.

Ndërsa avokati i tij mbrojtës u shpreh para gjykatës se klienti i tij ka çrregullime mendore.

Në këto kushte nuk përjashtohet mundësia që prokuroria të kërkojë një ekspertim psikik për Bibën, pasi si ai vetë ashtu siç edhe familjarët e afërm kanë pohuar, se vuante nga depresioni dhe se prej disa kohësh kurohej për ketë shqetësim shëndetësor.

Hysen Biba ka pranuar autorësinë e krimit makabër dhe pse nuk i ka bërë të ditura motivet e tij.

Ndërkohë fëmija është varrosur nga familjarët e autorit të krimit.

Familja Biba refuzon të pranojë në shtëpi gruan 25- vjeçare, e cila ka edhe një fëmijë tjetër 2 vjeç e gjysmë në shtëpi. Më parë ata kërkojnë që të bëhen analizat e ADN-së për të parë nëse vërtet foshnja kishte për baba njeriun e tyre, apo ishte produkt i tradhtisë bashkëshortore.

Burime nga materniteti Koço Gliozheni thanë se të afërmit e burrit nuk kanë shfaqur asnjë interes për gruan, që tani po vuan traumën e vrasjes së foshnjës nga burri i saj.

Biba kishte pasur mosmarrëveshje me bashkëshorten, aq sa familjarët e saj janë detyruar ta mbajnë në shtëpinë e tyre gjatë muajve të fundit të shtatzënisë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›