Ish- truproja e Albana Vokshit, drejtor SHKB-je. Halili u largua pasi përgjoi Nokën për një tender
Astrit Halili, ish- drejtori i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, zë vendin e bashkëshortit të Ina Ramës në drejtorinë e Standardeve Profesionale
Astrit Halili, drejtori i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, është larguar nga detyra e tij pas insistimit të ministrit të ri të Brendshëm, Flamur Noka. Halili ishte akuzuar nga Shemsi Prençi si i përfshirë në trafikun e klandestinëve kosovarë duke përdorur aeroportin e Rinasit.
Por natyrisht nuk është kjo arsyeja pse Halili u largua nga detyra. Dyshohet se arsyeja e vërtetë pas shkarkimit të tij ka qenë sepse ministri Noka rezulton se është përgjuar nga SHKB muaj më parë rreth bisedave për një tender të Albpetrolit për naftën vrigine, si rezultat i të cilit përfundoi në burg Besnik Murati, një i afërm i drejtorit të Albpetrolit.
Ndërkohë, në vend të Halilit ka ardhur Bashkim Shehu. Siç bën me dije gazeta Shqip, Shehu ka shërbyer nga viti 2007 deri në vitin 2009 si truprojë e Arjan Tartarit, bashkëjetuesit të deputetes së PD, Albana Vokshi. Emërimi i tij është në kundërshtim me ligjin për shkak se kandidati duhej të kishte shërbyer jo më pak se dhjetë vjet në strukturat e policisë ose me natyrë të ngjashme me to.