Baballarët e instrumentave dhe orkestrave në mbarë botën
-Instrumentacioni dhe orkestrat
Instrumentacioni si art bën pjesë brenda artit muzikor dhe si çdo art tjetër lidhet me aftësitë, talentin, vullnetin, këmbënguljen e vetë muzikantit.
Pra, mund të themi se instrumentacioni qenka një art i kompozimit të pjesëve të ndryshme muzikore për instrumentet muzikorë dhe që lidhet drejtpërdrejt me orkestracionin i cili është të shkruarit e muzikës për një orkestër sipas instrumentave dhe grup instrumentash. Si i tillë instrumentacioni mbështetet mbi të gjitha veçoritë dhe karakteristikat e çdo instrumenti për një kombinim të tyre në mënyrë harmonike. Një instrumentist i aftë dhe me shumë përvojë mund të ndihmojë shumë një kompozitor sidomos në atë pjesë të orkestracionit që kërkohet të jetë perfekt dhe sigurisht pa ndryshuar asgjë nga imagjinata e tij. Kjo gjë bën që të rriten edhe kërkesat e kompozitorit për një nivel më të lartë instrumentalist në drejtim të një progresi të teknikës për të arritur një ekspresivitet sa më të mundshëm. Orkestrat janë krijuar mbi bazën e instrumentave muzikorë.
Italia e Veriut, qendra e violinbërësve
Zhvillimi i violinave ishte me të vërtetë një triumf i prodhuesve të instrumentave. Italia e veriut ishte qendra e violinbërësve të shekullit të 18-të, veçanërisht familja Amati në Cremona, Guarneri dhe më vonë mjeshtri i madh dhe superior ndaj gjithë violinbërësve, Antonio Stradivari. Edhe flauti gjatë kohës së Hajdnit bëhet një instrument stabël i orkestrave. Mozarti shkroi shumë kompozime për instrumentët. Nga periudha romantike, kompozitorët kërkonin nga prodhuesit një rritje të ekspresivitetit si dhe të volumit të instrumentave muzikorë për koncertet në salla më të mëdha. Ndërsa muzikantët synonin të përmirsonin anën teknike dhe të luanin më shpejt dhe me ton më cilësor. Edhe pse klarineta u zhvillua në vitet 1690-1700, ajo shpejt u bë një instrument popullor. Mozarti kishte një impresionim të veçantë nga klarineta sidomos kur ndëgjonte interpretimet e virtuozit Anton Stadler për të cilin ai kompozoi një koncert. Sot i jepet një rëndësi dhe i kushtohet vëmendje më e madhe artit të instrumentacionit sesa më përpara. Bashkë me zhvillimin e instrumentacionit, edhe melodia filloi të zhvillohej e të zërë vendin e vet në krijimet muzikore orkestrale muzikën e instrumentave e përbëjnë harqet, frymorët e drurit, frymorët e tunxhit, timpani etj. Për një instrumentist është i rëndësishëm timbri me anë të të cilit ai na jep një kolor orkestral melodik, harmoninë dhe ritmin duke fituar kështu efekte të veçanta që ndryshojnë sipas instrumentave muzikorë brenda një orkestre.
Në shekullin e 18-të, në muzikën e dhomës u inkluduan edhe frymorët e drurit me kombinimin e violinës, obosë, fagotit dhe të flautit. Njëri prej ansambleve të asaj kohe me instrumentistë profesionistë, ishte ai i Rasumovskit, kuartet i Vienës të cilin e ngriti vetë ky kont e që luante violinë e dytë.
Muzika e dhomës
Më vonë me sekstetet dhe heptetet zgjerohet muzika e dhomës dhe orkestrat. Në shekullin e 20-të fillon e ngjallet interesi për muzikën e dhomës, por në një dimension më të madh. Nuk kemi më ato 4-7 instrumentë muzikorë si në kuartetet apo heptetet, por shohim ngritjen e grupimeve muzikantësh profesionistë, me një kombinim të ri instrumentash. Muzika e përparuar e dhomës filloi të zërë vend në sallat e koncerteve duke lënë pas dhomat e shtëpitë private. Po në këtë kohë rritet më tepër interesi edhe tek kompozitorët për orkestrat. Të tilla orkestra u dukën në Angli dhe Gjermani. Janë të njohura kërkesat e Beethovenit për orkestra më të mëdha dhe moderne. Në periudhën romantike rritet dëshira dhe kërkesa për një ekspresion më të madh. Berliozi, Beethoveni dhe Ëagneri krijuan kompozime me tone të plota dhe me efekte brilante orkestrale duke shtuar frymorët e tunxhit dhe ndonjë tjetër instrument të familjes së timpanit.
Vetë Berliozi mendonte për orkestër simfonike me rreth 40 violina të para dhe të dyta po ashtu edhe violat dhe cellot në një numër të madh dhe një dëshirë e tij u plotësua më vonë veçanërisht me rritjen e koncerteve simfonike për të cilat publiku rrit interesin e vet edhe më shumë se më parë. Kështu u krijuan orkestrat e shquara si ajo e Berlinit më 1882 dhe ajo e Chicagos 1891 apo ajo e Londres 1904, ndërsa Tonhalle e Zyrihut u themelua më 1868, e cila shumë shpejt zuri pozicionin qendror në jeten muzikore të vendit, veçanërisht mbas vitit 1895. Sot kjo orkestër simfonike me mbi njëqind instrumentistë jep çdo sezon njëqind koncerte. Shohim se qysh në periudhën klasike-romantike ka përpjekje për të rritur orkestra simfonike, në fillim tek Hajdni e më vonë tek Mozarti dhe Beethoveni për efektet orkestrale kolorike. Mozarti shton klarinetën në orkestër, ndërsa Beethoveni trombonet, piccolon, kontrafagotin, që në simfoninë e 5-të dhe të 6-të. Edhe piano që zëvendësoi harpsichordin tashmë fillon e bëhet instrument popullor në koncertet dhe sonatat duke marrë rolin e saj edhe në melodi. Pra, një orkestër mund të konsiderohet si një instrument i madh me shumë tone të ndryshme. Për Berliozin, Yehudi Menuhin, violinisti i famshëm shton që "më pëlqente të dirigjoj Simfoninë Fantastike të tij. Orkestra u bë papritur një instrument elastik në orkestracionin e tij".
Orkestra sinfonike moderne
Sot orkestrat simfonike moderne janë në gjendje të na japin plot efekte të mrekullueshme. Eshtë me të vërtetë është zotësi e mjeshtëri të ndërtosh një orkestër simfonike, e cila të jetë e aftë për çdo gjë, për çdo kompozim dhe dimension. Instrumentistët e një orkestre simfonike janë sot të gjithë të kualifikuar, me përvojë të pasur dhe virtuozë, ndërsa interpretimet e tyre janë me shumë vlerë dhe kjo ka të bëjë me unitetin e të gjithë orkestrës, me koloritetin e saj. Për simfonitë dhe koncertet nevojiten orkestra të një dimensioni të madh ku harqet zënë pjesën më të madhe me qëllim që kompozimet të interpretohen në një stil plot pasion dhe brilant. Një orkestër përbëhet prej disa grupe instrumentësh, kurse instrumentistët zgjidhen nga ata më të mirët, më të aftët dhe me eksperiencë. Kjo gjë me shumë rëndësi i takon vetë drejtorit të muzikës ose drejtorit artistik apo vetë kompozitorit kur ky është njëkohësisht edhe dirigjent. Të tillë drejtues konsiderohen Arturo Toscanini, Fritz Reiner, Herbert V. Karajan, Kiril Kondrashin, Sir Colin Davis, Ricardo Mutti, David Zinman, Zubin Mehta etj.
Muzika është arti më i saktë i arteve
Interpretimi i orkestrantëve është shumë i rëndsishëm, sepse ka të bëjë me unitetin e gjithë orkestrës dhe koloritetin orkestral. kështu, për simfonitë e Beethovenit, Brahmsit, Çajkovskit, Dvorzhakut nevojiten orkestra të dimensionit të madh në të cilat kryesisht familja e harqeve është më e madhja, e kjo, me qëllim që kompozimet të interpretohen në një stil brilant dhe plot pasion. Kështu një orkestër mund të ketë deri 40 violina të para dhe të dyta, 12-15 cello, 10-12 viola si dhe kontrabase 6-8 që së bashku japin një forcë të veçantë, një ton kolor madhështor. Muzika është arti më i saktë i arteve dhe njëkohësisht më i nderlikuari. Dirigjenti i orkestrës është artisti, i cili përveç aftësisë dhe inteligjencës, pozicioni i tij ndodhet midis vetes së tij dhe audiencës dhe për këtë arsye drejtimi i tij në orkestër duhet të jetë i shquar dhe me autoritet. Edhe kompozitori mund të dirigjojë dhe kjo ndodh. Në këtë rast ai ka një avantazh të theksuar përpara. Asnjë dirigjent nuk mund të dirigjojë më mirë se vetë kompozitori kompozimet e tij. Mund të përmend rastin e kompozitorit të madh shqiptar Prenk Jakova, i cili ishte njëkohësisht një dirigjent i aftë, por në të njëjtën kohë edhe një muzikant universal. Po ashtu Furtuangleri gjerman për të cilin violinisti i famshëm Yehudi Menuhin thoshte se ishte një dirigjent shumë unik dhe shton: "Ky e njihte shumë mirë muzikën e vet, ishte edhe kompozitor, një kompozitor
i mrekullueshëm. Mbaj mend në Vjenë, dëgjova simfoninë e katërt të Furtuanglerit që ishte një punim shumë kompleks. Ai ishte një muzikant mjeshtër". Muzika për orkestrat simfonike ka filluar të shkruhet veçanërisht në shekullin e 19-të gjatë të cilës kohë vendin kryesor e zënë simfonitë e Beethovenit, Brahmsit, Schubertit, Çajkovskit.
Romantizmi shubertian
Simfonitë No. 5,6,9 të Beethovenit më tepër i përkasin formës romantike të avancuar në harmoni dhe ton kolor. Simfonia e 8-të "E pa kryer" e Schubertit në B/Si minore si dhe ajo në C/Do maxhore janë shembuj të një origjinaliteti harmonik të tij duke plotësuar më së miri stilin shubertian. Kjo simfoni, e cila ishte në repertorin e orkestrës simfonike të filarmonisë Shkodër për shumë kohë, kërkonte një impenjim të veçantë të obosë,
klarinetës, flautit, kornove dhe cellove për një ekspresivitet të theksuar e plot koloritet me qëllim që kompozitori Prenk Jakova që e dirigjonte orkestrën, të nxirrte me plot elegancë anën melodike shubertiane, që ishte elementi i ri romantik i simfonisë. Në kohën e parë harqet hyjnë në temë, ndërsa në solo klarineta, korno dhe përsëri klarineta hyjnë drejt melodisë së bukur që shoqëron të gjithë simfoninë. Po ashtu cellot me violat në solo shoqërohen në dialog nga klarineta, mbas dialogut cello-violinat përsëritet tema. Në kohën e dytë përmendim shkurt melodinë solo të klarinetës të shoqëruar nga orkestra dhe më vonë vazhdon në solo oboe, më tej flauti dhe përsëri oboe deri në fortissimo. Simfonia e 8-të "E pa kryer " e Shubertit është quajtur si e vetmja simfoni romantike që dallohet edhe për një koloritet orkestral, ekspresivitet dhe plot melodi të bukura. Në përgjithësi muzika e Shubertit është e freskët dhe plot emocione.
Çajkovski, një gjigand që preku zemrën humane
Në punimet orkestrale të rëndësishme të Çajkovskit që interpretohen me orkestra simfonike të mëdha, janë simfonia No. 4 në F/Fa minore, simfonia No. 5 në E/Mi minore, simfonia No. 6 Pathetique në B/Si minore, piano koncerti No 1 në B/Si - bemol minore si dhe violinë koncerti grandioz. Të gjitha këto kompozime dallohen për një orkestracion brilant dhe plot emocione romantike. Violinisti Yehudi Menuhin e cilësonte Çajkovskin një gjigand që preku zemrën humane. "Unë e konsideroj Çajkovskin si një kompozitor elegant dhe aristokratik. Pianistët dhe violinistët në interpretimin e veprave të Çajkovskit tregojnë teknikën dhe virtuozitetin e lartë". Le të shohim disa nga instrumentet më të rëndësishëm të një orkestre simfonike: Violina është instrumenti lider në një orkestër simfonike, në katër oktava duke inkluduar edhe të gjithë semitonet. Një shumanshmëri e tillë e mrekullueshme muzikore e bënë atë instrument me një ekspresion të veçantë që shfaqet prej muzikës lirike e deri tek ajo dramatike. Vetëm akordet po të përmendim, këta kanë gjithmonë një impresivitet në violinë si në rastin e kadencave ashtu edhe bashkë me orkestrën. Të tilla akorde vërejmë në koncertet e Beethovenit, Brahmsit, Çajkovskit, Paganinit, Bruhut (Bruch). Akordet oktav i gjejmë në violinë koncertin e Beethovenit Op.61 fill mbas 88 masash të introduksionit të orkestrës të kohës së parë ndërsa kadenca e këtij koncerti e bërë prej violinistit virtuoz Joseph Joakim është pothuajse plot akorde. Po ashtu në violinë koncertin e bukur të Max Bruch Op.26 në kohën e parë mbas violinës solo kemi akordet në fortissimo deri në B tempo të gjithë orkestrës. Ndërsa në kohën finale, Allegro energico, violina hyn solo në "A" me akordet në një vijë melodike shumë tërheqëse deri në "B" tutti, mbas të cilës violina prap ka akordet. Në violinë koncertin e Paganinit No.2 opus 7 vërejmë shumë akorde që fillojnë mbas crescendos dhe solos dhe përsëri plot akorde deri tutti crescendo fortissimo. Po ashtu edhe koha e tretë, Allegretto moderato, La campanella, ka gjithashtu shumë akorde të violinës. Përveç violinës e koncerteve të Paganinit akorde për një interpretim virtuoz i gjejmë tek pjesët për violinë dhe piano, I Palpiti dhe Le Streghe.
Kompozimet e Paganinit
Kompozimet e Paganinit i kanë interpretuar plot mjeshtëri e virtuozitet Arthur Grumiaux, Ivry Gitlis. Sot violinistët virtuozë luajnë çdo gjë dhe në çdo formë a mënyrë që të jetë e nevojshme për efektet më speciale. Pizzicato si pjesë integrale në teknikën e violinës ka edhe kjo efektin e vet të bukur në orkestrën simfonike që aplikohet me dorën e harkut ndërsa në pjesët solo pizzicato aplikohet me dorën e majtë që Paganini i ka inkluduar pothuajse në çdo punim. Violina thoshte Yehudi Menuhin, është instrumenti më delikat dhe u flet njerëzve në një mënyrë që është thellësisht humane, ndërsa një violinist solist ka një liri në skenë, është i lirë që është unik. Për Paganinin Menuhin thoshte: "Paganini jo vetëm që kish një karakter të mrekullueshëm dhe ishte një fenomen unik, por ai eksitonte edhe publikun. Ai dinte sesi ta prezantonte veten. Ai ishte më tepër se ç' ishte. Ai ishte një gjeni i vërtetë, një i madh me një integritet muzikor të madh". Paganini i dha një kontribut shumë të çmuar zhvillimit të muzikës violinistike edhe pse erdhi në një kohë kur para tij kish violinistë të shquar si Vivaldi, Tartini, Locatelli. Edhe mbas Paganinit pati violinistë të shquar, mjeshtra, të cilët ishin njëkohësisht interpretues dhe krijues si Joseph Joachim, Fritz Kreisler. Interpretimet e Kreislerit edhe sot njerëzit i ndëgjojnë me shumë kënaqësi siç janë Liebesfreud, Schon Rosmarin, Caprice Vieneze, Liebesleid, etj.
Viola një oktavë më pak se violina
Viola është instrument i familjes së harqeve, ka një oktavë më pak se violina. Si instrument i një orkestre simfonike më parë nuk ka qenë vlerësuar drejt, madje për shumë kohë. Timbri i violës krijon një impresion të thellë në shumë interpretime. Kompozitori Paul Hindemith ka qenë edhe një violinist i famshëm dhe i pari që luajti koncertin e Waltonit për violë. Në simfoninë e 5-të të Beethovenit, koha Andante con moto, në variacionin e parë dhe të dytë të temës kryesore e plotësojnë më së miri violat dhe cellot, ndërsa në kohën e tretë, Allegro (Scherzo) në trion tema plotësohet nga cellot me kontrabaset e që i përgjigjen violat dhe fagoti. Violoncello(cello) është instrumenti që ka një oktavë më pak se viola. Në një orkester cello përfaqëson një instrument melodik në një numër prej 8 deri 12, por edhe më shumë. Notat e larta të cellos janë shumë tërheqëse veçanërisht në një pjesë të ngadaltë. Kështu mund të përmendim "Ave Maria" e Shubertit, “Traumerei” e Schumann, dhe Preludi i Verdit "I Masnadieri" në të cilin orkestra shoqëron cellon plot melodi tërheqëse, ndërsa Allegro molto e concertit të Hajdnit No.1 në C/Do ka tjetër tempo. Cello ka patur dhe ka interpretues famozë, virtuozë si Piatigorski, Rostropovich, Furnier, Jacqueline du Pre, Casals, Yo-Yoma. Janë mjaft tërheqëse interpretimet e Humoreskes, op.101 dhe e Slavonik Dance No.2 të Antonin Dvorzhak që sot luhen me violinë dhe cello të shoqëruara nga orkestra simfonike. Edhe në cellot aplikohet pizzicato por jo me atë shpejtësi si në violinë për shkak të trashësisë së telave, tensionit të tyre dhe distancës më të madhë në mes notave.
Kontrabaset
Kontrabaset përfaqësohen në orkestër me tonin bas, më të ulët të harmonisë. Kështu, në simfoninë No. 5 op.67 të Beethovenit, në trion e skercos kontrabasi me cellon interpretojnë temën të cilës i përgjigjen viola me fagotin. Vetëm në shekullin e 19-të kompozitorët filluan të shkruajnë pjesë për kontrabas dhe kohë pas kohe ky instrument bëhet popullor. Schuberti shkroi për kuintetin e tij të 1819, "Trout", të tjerë kompozitorë që shkruan për kontrabasin janë edhe Saint-Saëns, Hindemith, Prokofiev. Oboe është një instrument frymor melodik që në orkestër ka rol të rëndësishëm. Qysh në fillim të shekullit të 18-të oboe bëhet lider instrument solo ndërsa e përdorin gjerësisht Bach, Handel dhe më tepër Mozarti, i cili kompozoi edhe koncertin për oboe. Është instrumenti i parë frymorë druri që fiton vend në orkestrën klasike. Mozarti dhe Beethoveni kanë përdorur gjerësisht oboen në koncertet e tyre. Brahmsi në koncertin e tij të violinës në D/Re maxhore,op.77 koha e dytë, Adagio, i kushton mbi 2 min.kohë temës që e luan oboe solo e shoqëruar nga orkestra simfonike. Ndërsa Mozarti në piano koncertin No. 21 në C/Do Dur kv467 "Elvira Madigan" në Allegro Maestoso, në fund të introduksionit të orkestrës, oboe, flauti dhe fagoti njoftojnë futjen e pianos në temë e shoqëruar nga orkestra, kurse në kohën e dytë në të dy rastet e përsëritjes së temës oboe dhe flauti janë në duet me pianon.
Fagoti ose basi i obosë
Fagoti thirret ndryshe edhe basi i obosë, ka mbi tri oktava. Ky instrument ka shpesh herë një vlerë të veçantë gjatë interpretimeve në një orkestër simfonike. Mund të dëgjojmë temën kryesore plot melodi impresive të fagotit në kohën e tretë të violinës koncertit op.61 të Beethovenit me një brilancë të vërtetë të shoqëruar nga variacionet e violinës. Po ashtu edhe në simfoninë e 5-të të op.67 dhe simfoninë e 6 të op.68 Pastorale, Beethoveni e përdorë shpesh fagotin herë me klarinetën, herë me obonë e herë me violat. Kontrafagotin për herë të parë, Beethoveni e inkludoi në orkester bashkë me piccolon në simfoninë e 5-të. Në kohën Allegro (8'57 ) të katert, kemi trio të kontrafagotit, piccolos dhe timpanit para melodisë dhe hyrjes të frymorëve të drurit me violinat. Kontrafagoti ka pak më tepër se dy oktava, i aftë për efekte harmonike.
Klarineta
Klarineta shquhet për një ton të veçantë që e dallon prej frymorëve të tjerë. Ajo ka një karakter epik dhe është në gjendje të shpreh çdo ndjenjë në mënyrë ekspresive sidomos kur kombinohet në harmoni me instrumente të tjerë. Tonin e saj shpesh e gjejmë në piano koncertet e Beethovenit dhe violinë koncertin No.3 të Mozartit si dhe në fillimin e aries të aktit të parë të "Berberit të Seviles", Largo al factotum, në të cilën klarineta dhe orkestra shoqërojnë tenorin apo në "Fidelio" të Beethovenit ku flauti me pizzicatot e harqeve shoqërojnë klarinetën në "Mir ist so Wunderbar" . Flauti dallohet për pasazhe të shpejta dhe mbështet mirë tonet e larta. Mozarti dhe Beethoveni i kanë dhënë rol të gjerë flautit në orkestër. Në violinë koncertin No.3 të Mozartit, koha e dytë me Anne Sophie Mutter dhe Herbert von Karajan është mjaft i bukur dialogu në mes flautit dhe violinës, dy herë. Po ashtu në piano koncertin No.21 kv467 "Elvira Madigan" me pianist Peter Lang dhe Nurnberger Symphoniker Mozarti përdor shumë flautin dhe obonë, në introduksion mbas melodisë së obosë, fagotit dhe flautit hynë pianisti në temën kryesore me gjithë orkestrën.
Piano
Piano ështe me të vërtetë një instrument muzikor perfekt, i cili jo vetëm bëhet instrument i rëndësishëm në sonatat, romancat, kuartet, kuintetet por edhe në koncertet simfonike. Muzikën e pianos e gjejmë në sonatën No.14 op.27 "Monlight", në sonatën No.17 op.31 "Tempest ", në For Elise, në piano sonaten No.8 op.13 "Pathetique", sonatën për cello e piano No.3 op.69 si dhe në të pesë piano koncertet e Beethovenit. Në piano sonatat dhe piano koncertet e Mozartit, veçanërisht No.9, 19 , 20 , 21, 27, dhe në muzikën e dhomës.
Në piano koncertet dhe piano kuartetet e Brahmsit. Në piano koncertin No.1 të Çajkovskit po ashtu edhe në piano koncertet e Rahmaninovit dhe të Prokofievit. Poulenc e ka quajtur Prokofievin "Listi i Rusisë". Sot ka pianistë virtuozë që interpretojnë me mjeshtëri kompozimet nga më të njohurat dhe të famshmet në sallat e koncerteve. Të tillë janë Evgeni Kissin, Yefim Bronfman, Glenn Gould. Ndërsa për Horowitz, Menuhini thoshte se ishte një gjeni në piano dhe që bashkëpunoi me Arturo Toscaninin regullisht me interpretimet e tijplot muzikalitet, kthjelltësi dhe brilancë në koncertet e Beethovenit, etj. Edhe frymorët e tunxhit, korno tromba, tromboni kanë një rol shumë të rëndësishëm në një orkestër simfonike por çdo efekt në tonet e ulta e të larta varet nga aftësia dhe përvoja e instrumentistit sepse secili instrument tunxhi ka specifikën e vet. Verdi përdori trombën dhe trombonin në operan "Otello" ndërsa Beethoveni gjerësisht në simfonitë e veta. Në simfoninë e 5-të op.67 në fillimin e Andantes dominon tromba me kornon, ndërsa në kohën e tretë Allegro fillojnë temën frymorët e drurit me korno. Por në një performancë të një violinë ose piano koncerti është e domosdoshme që solisti të kushtojë një imagjinatë dhe një fantazi maksimale. Të tillë kanë qenë Yehudi Menuhin, Yasha Heifetz, David Oistrah, Arthur Grumiaux, Leonid Kogan, Mestisllav Rostropoviç, Sviatoslav Richter, Evgeni Kissin, Yefim Bronfman, Glenn Gould, Arthur Rubinstejn, Vladimir Horowitz. E gjithë muzika instrumentale është një thesar klasik i mrekullueshëm, i cili ka periudhat më të rëndësishme të muzikës, kompozitorët më të mirë me krijimet e tyre më të mira, instrumentistët më të mëdhenj, orkestrat dhe dirigjentët më të shquar. Volter ka thënë: "Music is the language of infinity"
Burime :
" Classical Music"John Stanley 1994/ " Conversations ëith Menuhin" David Dubal 1991.
(Shënim: Titulli dhe mestitujt janë të redaktorit.Dh.H.)