E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miku im i dashur, zoti Servantes

Nga Jorge Luis Borges*

- Leksion i mbajtur në gjuhën angleze në Universitetin e Texas-it, 1968, rimarrë nga Julio Ortega dhe publikuar në spanjisht për herë të parë në revistën spanjolle “Letra Internacional”

“Mund të duket një punë shterpë dhe e pavlerë të diskutojmë edhe një herë më shumë temën e Don Kishotit, meqenëse janë shkruar mbi të shumë libra, biblioteka të tëra madje, biblioteka akoma më të bollshme se ajo që u dogj nga zelli i dhembshur i priftit dhe berberit. Pa dyshim, gjithmonë është kënaqësi, gjithmonë është një lloj lumturie kur flet për një mik. Unë besoj se të gjithë mund ta konsiderojmë Don Kishotin si një mik. Kjo nuk ndodh me të gjithë personazhet e trilluara. Mendoj se Agamemnón-i dhe Beowulf-i janë shumë më larg. Dhe pyes veten nëse princi Hamlet do të na kishte shpërfillur më pak sikur t’i kishim folur si miq, në të njëjtën mënyrë në të cilën shpërfilli Rosencrantz-in dhe Guildenstern-in? Përse ka disa personazhe, dhe këta janë, besoj, më të lartët e trillimit, të cilët me siguri dhe thjeshtësi mund t’i quajmë miq? Mendoj për Huckleberry Finn, për Mr. Picwick, për Peer Gynt dhe jo në ndonjë tjetër.

Por tani do të flasim për mikun tonë Don Kishoti. Së pari le të themi që libri ka pasur një fat të çuditshëm. Në një farë mënyre, mezi mund të kuptojmë se pse gramaticienët dhe akademikët e kanë marrë kaq përzemër Don Kishotin. Dhe në shekullin XIX u lavdërua dhe u mburr, do të thosha unë, për arsye të gabuara. Për shembull, nëse e konsiderojmë një libër si ushtrimin e Montalvo-s, kapituj që i harroj Cervantes-i, zbulojmë që Cervantes-i u admirua për numrin e madh të proverbave që njihte. Dhe çështja është që, siç të gjithë e dimë, Cervantes-i u tall me proverbat duke bërë që topolaku i tij Sancho t’i përsëriste me bollëk. Atëherë, njerëzit e konsideronin Cervantes-in një shkrimtar ornamental. Dhe duhet të them që Cervantes-it nuk i interesonte aspak letërsia ornamentale; letërsia e rafinuar nuk e kënaqte mjaftueshëm, dhe kam lexuar diku që dedikimi i famshëm në librin e tij Conde de Lemos (Konti i Lemos) është shkruar nga një mik i Cervantes-it ose është kopjuar nga ndonjë libër, sepse ai vetë nuk ishte aspak i interesuar që të shkruante gjëra të tilla. Cervantes-i u admirua për “stilin e mirë” të tij, dhe sigurisht që fjalët “stil i mirë” do të thonë shumë gjëra. Nëse mendojmë se Cervantes-i na transmetoi personazhin dhe fatin e fisnikut të mençur Don Kishoti i Mançës, duhet të pranojmë stilin e tij të mirë, ose, më mirë, diçka më shumë se një stil i mirë, sepse kur flasim për një stil të mirë mendojmë për një mjet gojor.

Pyes veten se ç’bëri Cervantes-i për të arritur këtë mrekulli?!

Pyes veten se ç’bëri Cervantes-i për të arritur këtë mrekulli, të cilën në një farë mënyre e arriti. Kujtoj tani një nga gjërat më të dukshme që kam lexuar, diçka që më ka prodhuar trishtim. Stevenson-i thotë: “Çfarë është personazhi i një libri?”, dhe përgjigjet: “Në fund të fundit, një personazh është vetëm një varg fjalësh”. Është e qartë dhe pa dyshim, e konsiderojmë një blasfemi. Sepse kur mendojmë, le të themi, për Don Kishotin ose për Huckleberry Finn-in ose për Peer Gynt-in ose për Lord Jim-in, pa dyshim që nuk mendojmë në vargje fjalësh. Gjithashtu mund të themi se miqtë tanë janë të bërë prej vargje fjalësh dhe, pa dyshim, nga përceptime vizuale. Kur në trillim takohemi me një personazh të vërtetë, e dimë që ky personazh ekziston më tutje botës që e krijoi.

E dimë që ka me mijëra gjëra që nuk i njohim por që pa dyshim ekzistojnë. Kështu që, ka personazhe të trilluara që marrin jetë me një frazë të vetme. Nganjëherë nuk dimë shumë gjëra për ta, por, veçanërisht, dimë gjithçka. Për shembull, ai personazh i krijuar nga i madhi bashkëkohës i Cervantes-it, Shakespeare: Yorick; i varfri Yorick, është krijuar, do të thoja, në pak rreshta. Merr jetë. Më tej nuk do dimë më asgjë për të, dhe padyshim ne e dimë që e njohim. Nganjëherë, pasi lexojmë Ulises, njohim qindra gjëra, qindra ngjarje, qindra rrethana rreth Stephen Dedalus-it dhe për Leopold Blomm-in. Por nuk i njohim si Don Kishotin, për të cilin dimë shumë më pak. Tani po kaloj tek vetë libri. Mund të themi që është një konflikt mes ëndrrave dhe realitetit. Ky përfundim është, pa dyshim, i gabuar, sepse nuk ka shkak që të konsiderojmë se një ëndërr është më pak reale se sa brendia e ditarit të sotëm apo se gjërat që shkruajmë në ditarin e sotëm. Megjithatë, si duhet të flasim për ëndrrën dhe për realitetin, sepse gjithashtu mundemi, duke menduar për Goethe-n, duke folur për Wahrheitund Dichtung-un për të vërtetën dhe poezinë. Por kur Cervantes-i mendoi të shkruante këtë libër, unë mendoj se ai e konsideroi idenë e konfliktit mes ëndrrave dhe realitetit, mes bëmave të shkruara në romanet që Don Kishoti lexoi e që u morën nga Matière de Bretagne, nga Matière France dhe nga të tjerë, dhe realitetit monoton të jetës spanjolle në fillim të shekullit XVII. Dhe këtë konflikt e takojmë në titullin e vetë librit.

Përkthyesit anglez janë ngatërruar me “Don Kishotin”

Mendoj se, nganjëherë, disa përkthyes anglez janë ngatërruar kur e kanë përkthyer El ingenioso hidalgo don Quijote de la Mancha si The ingenious knight: Don Quijote de la Mancha, sepse fjalët “Knight dhe Don” janë e njëjta gjë. Unë do të thosha ndoshta “the ingenious country gentleman" dhe aty është konflikti. Por, natyrisht, gjatë gjithë librit, veçanërisht në pjesën e parë, konflikti është shumë i ashpër dhe i qartë. Shohim një kalorës që endet në sipërmarrjet e tij filantropike nëpër rrugët me pluhur të Spanjës, gjithmonë i alarmuar dhe në siklet. Përveç kësaj, takojmë shumë shenja të së njëjtës ide. Sepse natyrisht, Cervantes-i ishte një burrë aq i ditur sa nuk mund të mos dinte akoma kur i kundërvinte ëndrrat dhe realitetin; realiteti nuk ishte, le të themi, realiteti i vërtetë, apo realiteti i zakonshëm monoton. Ishte një realitet i krijuar prej tij; është si të themi, njerëzit që paraqesin realitetin me anë të Don Kishotit bëjnë pjesë në ëndrrat e Cervantes-it aq sa edhe Don Kishoti dhe idetë e ekzagjeruara të tij për sjelljen kalorësiake, në mbrojtje të të pafajshmëve dhe të të tjerëve. Dhe gjatë gjithë librit ka një lloj përzierjeje të ëndrrave dhe realitetit. Për shembull, mund të nënvizojmë një ngjarje, dhe guxoj të them që ka qenë e nënvizuar shumë shpesh, sepse janë shkruar shumë gjëra mbi Don Kishotin. Është ngjarja që, njësoj siç njerzit flasin gjithë kohës për teatrin tek Hamlet-i, po ashtu njerëzit flasin gjatë gjithë kohës për libra tek Don Kishoti. Kur famullitari dhe berberi kontrollojnë bibliotekën e Don Kishotit, zbulojmë, për çudinë tonë, se një nga librat ka qenë i shkruar nga Cervantes, dhe ndiejmë sikur në çdo moment berberi dhe famullitari mund të takohen me një volum të vetë librit të cilin po lexojmë.

Në të vërtetë është kjo që ndodh, ndoshta e kujtoni, në librin tjetër i cili ështw një ëndërr e shkëlqyer e njerëzimit, libri i “Një mijë e një netë”. Sepse në mes të natës Scherezade fillon të tregojë në mënyrë argëtuese një histori dhe kjo histori është historia e vetë Scherezade-s. Dhe ne mund ta ndjekim pa fund. Natyrisht, kjo është falë, një gabimi të thjeshtë të kopistit që ndërpret më përpara këtë ngjarje, sepse Scherezade duke treguar historinë e Scherezade-s është aq e mrekullueshme sa dhe çdo përrallë tjetër e mrekullueshme e Netëve.

Lidhja mes ëndrrës dhe realitetit është esenca e librit

Gjithashtu edhe tek Don Kishoti kemi faktin që shumë histori janë të ndërthurura. Në fillim mund të mendojmë se kjo ndodh ngaqë Cervantes-i mund të ketë menduar se lexuesit e tij mund të lodheshin nga shoqëria e Don Kishotit dhe e Sancho-s e atëherë solli dhe ndërthuri e gërshetoi histori të tjera. Por unë mendoj se e bëri për një arsye tjetër. Dhe arsyeja do të ishte që këto histori, si Novela e kuriozit të paturp, tregimi i robit dhe të tjerat, janë histori të tjera. Dhe për këtë arsye lidhja mes ëndrrës dhe realitetit, është esenca e librit. Dhe ky mik, në fund, na bën të ndihemi jo më pak se vetë Miguel de Cervantes Saavedra, që shkroi librin. Kështu, ka një personazh e cila është një ëndërr e Cervantes-it e që, në të njëjtën kohë ëndërron me Cervantes-in dhe e kthen atw vetë në një ëndërr.

Më pas, në pjesën e dytë të librit, zbulojmë, për habinë tonë, që përsonazhet e kanë lexuar pjesën e parë të librit dhe që po ashtu kanë lexuar edhe imitimin e librit të cilin e ka shkruajtur një rival i Cervantes-it. Dhe nuk kursehen gjykimet letrare të cilat vendosen në krah të Cervantes-it.

Kështu është sikur Cervantes-i të ishte gjithë kohës duke hyrë e duke dalë fluturimthi nga vetë libri i tij dhe, natyrisht, duhet të jetë kënaqur shumë me këtë lloj loje. Duke u nisur nga kjo, që nga atëherë shkrimtarë të tjerë kanë luajtur këtë lojë (më lejoni që të kujtoj Pirandello-n), gjithashtu një herë ka luajtur dhe një nga shkrimtarët e mi të preferuar, Henrik Ibsen.

Nuk e di nëse e kujtoni se në fund të aktit të tretë të Peer Gynt-it është situata e fundosjes së një anijeje. Peer Gynt-i gati po mbytet. Është duke rënë perdja. Dhe atëherë Peer Gynt-i thotë: “Edhe pse po ndodhin të gjitha këto, mua asgjë nuk mund të më ndodhë, sepse si mund të vdes në fund të aktit të tretë?”.

Takojmë një shaka të njëjtë në një nga prologët e Bernard Shaw-t. Thotë se asgjë nuk do t’i shërbente një novelisti për të shkruar “iu mbushën sytë me lot, sepse pa që djalit të tij i ngeleshin pak kapituj jetë”. Dhe unë do të thoja se ishte Cervantes-i që e shpiku këtë lojë. Përveçse, natyrisht, asgjëja shpik asgjë, gjithmonë ka disa të mallkuar paraardhës që kanë shpikur shumë gjëra më përpara se ne. Tek Don Kishoti, kemi një karakter të dyfishtë: realitet dhe ëndërr. Por në të njëjtën kohë Cervantes-i e dinte që realiteti është i mërzitshëm dhe i bërë nga e njëjta lëndë si dhe ëndrrat. Kjo është ajo që duhet të ketë ndier. Të gjithë njerëzit e ndiejnë në ndonjë moment të jetës së tyre. Por ai u argëtua duke na kujtuar se ajo të cilën e marrim si realitet të pastër ishte po ashtu një ëndërr. Dhe kështu që i gjithë libri është një lloj ëndrre. Në fund kuptojmë se, në fund të fundit edhe ne vetë mund të jemi një ëndërr.

Ka një fakt tjetër që do të më pëlqente t’jua kujtoja: kur Cervantes-i foli për La Mancha-n, kur foli për rrugët e pluhurosura, për bujtinat e Spanjës në fillim të shekullit XVII, mendonte për to si gjëra të mërzitshme, si gjëra shumë të zakonshme. Diçka shumë të ngjashme kuptonte Sinclair Lewis-i kur fliste për Main Street-in, dhe të tjera si këto. Dhe megjithatë tani fjalët si La Mancha kanë një kuptim romantik sepse Cervantes-i u tall me to.

Është edhe një fakt tjetër që dua t’jua kujtoj.

Cervantes-i, siç ai vetë e ka thënë dy o tre herë, dëshironte që bota të harronte romanet e kalorësisë të cilat ai ishte mësuar të lexonte. Dhe megjithatë, nëse sot kujtohen emra si Palmerin-i i Anglisë, Tirant lo Blanc-u, Amadis de Gaula dhe të tjerë, është sepse Cervantes-i u tall me ta. Dhe në një farë mënyre këta emra janë bërë të pavdekshëm. Atëherë askush nuk duhet të ankohet nëse njerëzit qeshin me ne, sepse nga ajo që dimë, këta njerëz mund të na bëjnë të pavdekshëm me të qeshurën e tyre. Natyrisht, nuk besoj që të kemi aq fat sa të qeshi me ne një njeri si Cervantes-i. Por duhet të jemi optimistë dhe të mendojmë se kjo mund edhe të ndodhë.

Çfarë do të thotë të besosh tek Don Kishoti?

Tani kalojmë tek një tjetër gjë. Diçka e cila ndoshta është aq e rëndësishme sa edhe faktet e tjera që kujtuam më lart.

Bernard Shaw tha se një shkrimtar mund të kishte aq kohë vetëm sa i jepte fuqia e tij e bindjes. Dhe, në rastin e Don Kishotit, mendoj se të gjithë jemi të sigurt se e njohim. Mendoj që nuk ka asnjë dyshim të mundshëm mbi bindjen tonë, sesa realiteti i tij. Po kështu, Coleridge shkroi mbi një pezullim vullnetar të mosbesimit.

Tani do të më pëlqente të hyja në detaje rreth pohimit tim. Mendoj që të gjithë ne besojmë tek Alonso Quijano. Dhe, sado i çuditshëm që të duket, besojme tek ai që në momentin e parë në të cilin na është shfaqur. Është si të themi, që nga faqja e parë e kapitullit të parë. Dhe natyrisht, kur Cervantes-i e paraqiti përpara nesh, mendoj se dinte shumë pak për të. Cervantes-i duhet ta ketë ditur pak po aq sa edhe ne. Duhet të ketë menduar për të si një hero apo si boshtin e një novele humori, por nuk duket asnjë tentativë për të hyrë në atë të cilën mund ta quajmë si psikologjinë e tij. Për shembull, nëse një tjetër shkrimtar do të kishte kapur temën e Alonso Quijano-s, apo se si Alonso Quijano u çmend nga të lexuarit e shumtë, do të kishte hyrë në detaje rreth çmendurisë. Do të na kishte treguar errësimin e lehtë të arsyes së tij. Do të na kishte paraqitur sesi e gjitha fillon me një aluçinacion, se si në fillim luajti me idenë e të qenit një kalorës endacak, se si në fund e mori seriozisht, dhe ndoshta e gjitha kjo nuk do na kishte shërbyer për asgjë nga ky shkrimtar. Por Cervantes-i thjesht na thotë se u çmend. Dhe ne e besojmë. Epo mirë, çfarë do të thotë të besosh tek Don Kishoti? Mendoj se do të thotë të besosh në realitetin e një personazhi, të mendjes së tij. Sepse tjetër gjë është të besosh në një personazh, dhe tjetër gjë shumë ndryshe është të besosh në realitetin e gjërave që i kanë ndodhur. Në rastin e Shakespeare është shumë e qartë. Mendoj se të gjithë besojmë tek princi Hamlet, se të gjithë besojmë tek Macbeth-i. Por nuk jam i sigurt se gjërat kanë ndodhur ashtu siç Shakespeare na i tregon tek oborri i Danimarkës, dhe aq më pak të besojmë tek tre shtrigat e Macbeth-it.

Në rastin e Don Kishotit, jam i sigurtë që besojmë në realitetin e tij. Nuk jam i sigurtë –ndoshta është një blasfemi, por në fund të fundit, jemi duke folur mes miqsh, jam duke ju folur juve të gjithëve; është diçka ndryshe apo jo?; jam duke folur në mirëbesim – nuk jam plotësisht i sigurtë se besoj tek Sanço siç besoj tek Don Kishoti. Epo nganjëherë ndiej, se e mendoj Sançon si një kontrast të thjeshtë me Don Kishotin. E pastaj janë dhe personazhet e tjerë. Më duket se besoj tek Sansón Carrasco, besoj tek prifti, tek berberi, ndoshta tek duka, por në fund të fundit nuk duhet të mendoj shumë për ta, dhe kur lexoj Don Kishotin kam një ndjenjë të çuditshme. Pyes veten se si e ndajnë këtë ndjenjë me mua. Kur lexoj Don Kishotin, ndiej që këto aventura nuk janë aty vetë. Coleridge ka komentuar se kur lexojmë Don Kishotin asnjëherë nuk pyesim veten “e tani çfarë vjen më pas?”, por se pyesim veten në atë që ndodhi më parë, dhe se jemi më të gatshëm të rilexojmë një kapitull që kemi kaluar se sa të vazhdojmë me një të ri.

Cili është shkaku?

Shkaku, mendoj, është sepse ndiejmë, të paktën unë ndiej, se aventurat e Don Quijote-s janë mjete mbiemërore të Don Kishotit. Është një sofizëm i autorit që të njohim thellësisht personazhin. Për këtë arsye libra si Rruga e Don Kishotit, e Azorin-it, apo Jeta e Don Kishotit dhe e Sanços, e Unamuno-s, na duken në një farë mënyre jo të nevojshëm. Sepse i marrin aventurat apo gjeografinë e historive shumë seriozisht. Ndërkohë që ne realisht besojmë tek Don Kishoti dhe e dimë që autori shpiku aventurat në mënyrë që ne ta njihnim më mirë. Dhe nuk e di nëse kjo është e saktë, me respekt për gjithë literaturën. Nuk e di nëse mund të gjejmë një libër të vetëm, një libër të mirë, tek i cili të pranojmë argumentin edhe pse nuk pranojmë personazhet. Mendoj që kjo nuk ndodh kurrë, mendoj se për të pranuar një libër duhet të pranojmë personazhin kryesor të tij. Dhe mund të mendojmë se jemi të interesuar për aventurat, por në realitet jemi më të interesuar për heroin. Për shembull, akoma me rastin e një tjetri mik tonit të madh –dhe ju kërkoj falje atij dhe ju që nuk e kam përmendur deri tani –, z. Sherlock Holmes, nuk e di në i besojmë me të vërtetë Qenit të Baskerville. Mendoj, të paktën unë besoj tek Sherlock Holmes, besoj tek Dr. Watson, besoj në këtë miqësi. E njëjta gjë edhe ndodh me Don Kishotin. Për shembull, kur tregon gjërat e çuditshme që pa në shpellën e Montesinos. Dhe megjithatë, unë ndiej që ai është një personazh shumë real.

Historitë nuk kanë asgjë speciale, nuk ka asnjë lloj ankthi special në intrigën që i bashkon, por janë, në një farë kuptimi, si pasqyra në të cilat mund të shohim Don Kishotin. Dhe megjithëkëtë, në fund, kur ai kthehet, kur kthehet në vendlindje për të vdekur, ndiejmë keqardhje për të sepse duhet të besojmë në këtë aventurë. Ai gjithmonë kishte qenë një burrë trim. Ishte një burrë trim kur ia tha ato fjalë kalorësit të maskuar i cili e rrëzoi: “Dulcinea e Toboso-s është zonja më e bukur në botë dhe unë më i mjeri i kalorësve”. Dhe natyrisht, në fund zbuloi se e gjithë jeta e tij kishte qenë një iluzion, një budallallëk, dhe vdiq në mënyrën më të trishtuar të botës, duke e ditur se ishte gabuar.

Vdekja e vërtetë e Alonso Quijano-s

Tani vijmë tek ajo e cila ndoshta është skena më e madhe e këtij libri: vdekja e vërtetë e Alonso Quijano-s. Ndoshta është një keqardhjë që dimë kaq pak për Alonso Quijano. Ai na është paraqitur vetëm në një apo dy faqe përpara se të çmendet. Dhe si rrjedhim, ndoshta nuk është keqardhje, sepse kuptojmë që miqtë e tij e braktisën. Dhe atëherë gjithashtu mund ta duam. Edhe në fund, kur Alonso Quijano zbulon se asnjëherë nuk ka qenë Don Kishoti, se Don Kishoti është thjesht një iluzion, dhe se është duke vdekur, trishtimi na shkatërron, dhe po ashtu edhe Cervantes-in.

Çdo shkrimtar tjetër do të ishte dorëzuar në tundimin që të shkruante një “pasazh me lajle-lule”. Si përfundim, duhet të mendojmë seqë Don Kishotit e kishte shoqëruar Cervantes-in shumë vjet. Dhe, kur mbërrin momenti i vdekjes, Cervantes-i duhet të ketë ndier se ishte duke u ndarë me një mik të vjetër të dashur. Dhe, sikur të kishte qenë më i keqi shkrimtar, ose sikur të kishte ndjerë më pak keqardhje për atë që po ndodhte, do të ishte hedhur në një “shkrim me lajle-lule”. Tani jam në prag të blasfemisë, por mendoj se kur Hamlet-i është duke vdekur, mendoj se duhet të ketë thënë diçka më të mirë se “ajo që mbetet është heshtje”. Sepse kjo më ngjan me një shkrim me lajle-lule dhe shumë fals.

E dua Shakespeare-in, e dua aq shumë sa që mund të them këto gjëra për të dhe pres që ai të më falë. Epo mirë, gjithashtu do të them: Hamlet-i, “ajo që mbetet është heshtje”... nuk ka gjë tjetër më të mirë që mund të thotë përpara se të vdes.

Në fund të fundit, ishte një dandy dhe i pëlqente të dukej. Por në rastin e Don Kishotit, Cervantes-i u ndje aq i frikësuar për atë që po ndodhte saqë shkroi: “I cili ishte mes psherëtimave dhe lotëve të atyre që e rrethonin” dhe nuk i kujtoj saktësisht fjalët, por kuptimi është “dha Shpirtin, dua të them se vdiq”. Shumë mirë, mendoj se kur Cervantes-i rilexoi këtë fjali duhet të ketë ndier se nuk ishte në lartësinë që priste nga ai. Dhe pa dyshim, gjithashtu duhet të ketë ndier se kishte prodhuar një mrekulli të madhe. Në një farë mënyre ndiejmë se Cervantes-i ankohet shumë, se Cervantes-i është shumë i trishtuar si edhe ne. Dhe për këtë i duhet falur një fjali jo perfekte, një fjali tentativë, një fjali që në realitet nuk është perfekte as orvatje por një e çarë nëpërmjet së cilës mund të shohim atë që ai ndjente.

Tani, nëse më bëhet ndonjë pyetje unë do të përpiqem t’i përgjigjem. Ndiej se nuk kam qenë besnik tek tema, por në fund të fundit, jam pak i emocionuar. U ktheva në Austin pas gjashtë vjetësh. Ndoshta kjo ndjenjë e kaloi atë që ndiej për Cervantes-in dhe për Don Kishotin. Besoj se njerëzit do të vazhdojnë të mendojnë për Don Kishotin sepse në fund të fundit ka diçka që nuk duam ta harrojmë: një diçka që na jep jetë herë pas here, dhe që ndonjëherë na e heq, dhe kjo gjë është lumturia. Dhe, pavarësisht shumë dështimeve të Don Kishotit, libri na jep si ndjenjë përfundimtare lumturinë. Dhe e di që do të vazhdojë t’iu jap lumturi njerëzve. Dhe për të përsëritur një frazë bajate dhe të famshme, por natyrisht të gjitha shprehjet e famshme kthehen në bajate: “Diçka e bukur është një thënie e përjetshme”. Dhe në një farë mënyre Don Kishoti, – përtej faktit se ne u bëmë të ndjeshëm, se të gjithë kemi qenë të lidhur sentimentalisht me respekt për të – është esencialisht një rast i thënë. Gjithmonë mendoj se një nga gjërat e lumtura që më kanë ndodhur në jetë është që kam njohur Don Kishotin.

*(1899–1986)

Përktheu nga spanjishtja: M. G.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›