E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkenca në ruajtjen e natyrës dhe mjedisit

Nga Dr. Sul Gragjevi

Mbrojtja e natyrës dhe e mjedisit konsiderohen si pjesa më e rëndësishme e jetës në planetin tonë. Të gjitha proceset që çojnë në një sistem ekologjik të suksesshëm janë të lidhura me programin për përcaktimin e strategjisë dhe zhvillimin e mëtejshëm të objektivave në ruajtjen e natyrës e të mjedisit.

Koncepti themelor i ekologjisë duhet të njihet fort mirë, jo vetëm nga shkollat e mesme, shkollat e larta, universitetet, organet shtetërore, institutet shkencore, por edhe nga Akademia e Shkencave, e cila duhet të udhëheqë në mënyrë shkencore zgjidhjen e problemeve në fushën e ruajtjes së natyrës dhe mjedisit, si dhe ato të ngrohjes globale. Por, po të njiheshin mirë të gjitha këto probleme sot, nuk do të kishim shqetësimet e ndotjes së ajrit, ujit, të tokës apo efektet e ngrohjes globale.

Ekologjia është themeli i ruajtjes së natyrës dhe mjedisit dhe si shkencë e biologjisë shfrytëzon të dhënat shkencore të kimisë, të fizikës të matematikës dhe të shumë shkencave tjera.

Dy janë drejtimet kryesore :

1. Ruajtja e mjedisit që ka si qëllim të kufizojë ndikimin e ndotjeve të industrisë, bujqësisë, transportit, ndërtimit e të tjera veprimtari të njeriut.

2. Ruajtja e natyrës që ka si qëllim të kufizojë deri në minimum ndryshimet në natyrë (ekosistemet), siç janë efektet e ngrohjes globale, ruajtja e shtresës së ozonit, pakësimi i emetimit të gazrave, evitimi i shirave acide. Prandaj ka rëndësi të dihet një strategji, e cila duhet të ndiqet për të evituar një krizë ekologjike në vendin tonë. Por një gjë e tillë fatkeqësisht nuk pasqyrohet në website-n e Ministrisë së Mjedisit, madje të dhënat i përkisnin vetëm viteve 1997-‘98, në të cilat kishte pasaktësi.

Mendoj se prioritetet duhet të jenë në problemet më të mëdha e më të ngutshme për t’u zbatuar, që të sigurojnë një natyrë e mjedis të pastër.

Ndotjet e mjedisit duhen përcaktuar dhe vlerësuar drejt duke i kushtuar rëndësi klasifikimit të tyre, ndërsa Ministria e Mjedisit duhet të organizojë mirë punën dhe të përcaktojë edhe njëherë drejtimet kryesore, si dhe të ndjekë zgjidhjen e shumë problemeve që deri sot nuk janë prekur fare dhe që ende mbeten shqetësuese në vend. Njëkohësisht, ajo ministri duhet patjetër të përcaktojë edhe rrugët për mbajtjen e të gjithë treguesve dhe parametrave kryesorë në nivelin e kërkuar dhe veçanërisht trajtimin e derdhjeve teknologjike për ndërmarrjet që janë në gjendje pune. Zgjedhja e metodës së pastrimit varet nga përbërja e derdhjeve teknologjike.

Por ajo që është shqetësuese dhe për të cilën ministri Xhuveli duhet të mbajë përgjegjësi është që nuk jepet asnjë e dhënë për këto probleme shumë të rëndësishme, që nuk justifikon aspak punën e tij dhe të kabinetit të tij që nga viti 1998 e deri sot.

A thua nuk ka se çfarë të shtohet në website-n për ruajtjen e natyrës dhe të mjedisit të asaj ministrie?

Ruajtja e natyrës dhe e mjedisit është e lidhur me ngrohjen globale, pra ndryshimet klimatike duhen marrë seriozisht edhe si probleme të mjedisit.

Por, për problemet e ruajtjes së natyrës dhe mjedisit, si dhe të ngrohjes globale nuk duhet të qëndrojë dorëjashtë as Akademia e Shkencave, e cila duhet ta ketë si prioritetin e saj të parë.

Themeli i kërkimeve dhe studimeve të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë është dhe mbetet organizimi dhe drejtimi i studimeve shkencore për të fituar njohuri të reja mbi natyrën, mjedisin dhe ngrohjen globale. Vetëm po t’i hidhet një sy programeve të akademive të huaja do të vërejmë përparësinë që këto akademi i japin problemeve të ruajtjes së natyrës dhe të mjedisit bashkë me programin e raportimeve para qeverive të tyre, si dhe në çfarë rruge ngarkohet me punë gjithë ai kapital shkencor dhe universitar, tregon se jo vetëm këto probleme nuk janë prekur fare, por edhe shumë të tjera të rëndësishme të shkencës shqiptare.

Me këtë rast dua vetëm të kujtoj që nuk ka predispozicion të akademikëve përveç paaftësisë së tyre. Ndryshe nuk ka se si të shpjegohet mungesa e shumë studimeve që duhet të ishin bërë, jo vetëm për zgjidhjen e shumë problemeve ekonomike-financiare, por edhe të atyre me karakter tekniko-teknologjik.

Bie fjala se çfarë mendon Akademia e Shkencave për zgjidhjen e një problemi shumë preokupant për mjedisin dhe shëndetin e shqiptarëve që është mbajtja pastër e mjediseve nga gomat e makinave dhe djegiet e tyre e që janë në sasi të konsiderueshme. Nga djegiet e gomave hedhurinë ndotet mjedisi nga tymrat, bloza që janë shumë toksikë. A thua me të vërtetë një problem i tillë nuk ekziston në asnjë nga programet e Akademisë së Shkencave dhe të Ministrisë së Mjedisit?!

Gjithmonë mjedisi mund të jetë shumë i keq ose katastrofik dhe mund të jetë shumë i mirë dhe në të dy rastet faktorët duhen kërkuar te njerëzit.

Unë vetëm në vija të përgjithshme do të doja ta prezantoja zgjidhjen e atij problemi shqetësues për mjedisin dhe natyrën, për të cilin akademikët me anë të seksionit apo departamentit të teknologjisë organike në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës duhet ta marrin në dorë një studim të tillë që të paktën brenda këtij viti të vihet në zbatim.

Një nga variantet është ky: Me anë të ngrirjes shumë gradë nën zero gomat duhet të kalojnë në proceset e copëtimit, thërrmimit. Materiali i përftuar i imtë i shtohet asfaltbetonit për asfaltim rrugësh. Një asfaltim i tillë është më i qëndrueshëm dhe më fleksibël se ai i zakonshmi, mund të ketë edhe variante tjera dhe shkenca shqiptare ta thotë fjalën e vet.

Pse mungojnë të dhënat për treguesit kryesorë të ndryshimeve klimatike tek ne? Asnjë sqarim nuk jepet nga kabineti i ministrit Xhuveli që prej 1998 në website-n e tij.

Media jonë, me gjithë punën e lavdërueshme, mendoj se duhet të investigojë shumë më tepër për problemet e ruajtjes së natyrës dhe mjedisit.

Në ngrohjen globale kanë ndikuar dhe vazhdojnë të ndikojnë emetimet e dyoksidit të karbonit, metanit, oksideve të azotit, komponimet e halogjenuara të karbonit. Gjithmonë duhet të punojmë për të pakësuar sa më tepër emetimin e gazrave greenhouse nëpërmjet novacioneve në teknologji, me qëllim që të ruhet sa të jetë e mundur shtresa e ozonit. Ndryshimet klimatike kanë ndodhur dhe do të ndodhin, ato janë evidente edhe për vendin tonë, prandaj Ministria e Mjedisit ka se çfarë të evidentojë që nga ndryshimet kaotike të shirave, ndryshimet e temperaturave në stinët e deri te thatësirat e verës dhe ndryshimet e niveleve në liqene.

Një pjesë e emetimit të gazrave në vendin tonë vjen nga djegia e karburantit të makinave.

Pse të mos prodhojmë edhe ne ethanol prej misrit që mund të realizohet pa vështirësi? Ashtu si disa probleme të rëndësishme që lidhen me zhvillimet teknologjike në dobi të ruajtjes së natyrës e mjedisit, Akademia e Shkencave ta studiojë edhe prodhimin e ethanolit në vend, i cili mund të përdoret në sasinë 10 deri 15%, edhe më tepër i përzier me karburantin.

Përdorimi i ethanolit ka disa avantazhe, se nuk ndot ajrin, nuk është toksik. Por akademikët tanë mund të gjejnë edhe biomasa të tjera dhe t’i përdorin në përqindje më të madhe.

Prandaj, problemit të ruajtjes së natyrës e të mjedisit Akademia e Shkencave duhet t’i japë një prioritet më të madh dhe të drejtojë zbatimin e modifikimeve dhe novacioneve në fushën e shkencës e të teknologjisë në synim të pakësimit sa të jetë e mundur ose të zëvendësimit të plotë të gazrave që dëmtojnë shtresën e ozonit. Se po të vazhdojë kjo situatë si

deri sot, me rritjen e emetimeve të dyoksidit të karbonit edhe vlera e pH të ujërave në detet Adriatik dhe Jon do të vazhdojë të ulet, ndërsa me ndërtimin e TEC-ve të famshme në vend, asaj sasie dyoksidi karboni do t’i shtohet një sasi e re dyoksidi bashkë më pluhurat, tymrat që do të shkaktojnë një rritje drastike, jo vetëm të ndotjes në gjithë bregdetin shqiptar, por edhe më thellë. Është e rëndësishme të vihet në dukje që kjo e keqe e madhe do të çojë edhe në zhdukjen e algave, të cilat dallohen për një forcë ekologjike të veçantë, por njëkohësisht edhe të koraleve dhe peshqve. Prandaj, që të ruhet diversiteti biologjik në vendin tonë është e domosdoshme që mbahet nën kontroll prania e një aciditeti eventual të ujërave.

Të gjitha aktivitetet që lidhen me ruajtjen e natyrës dhe mjedisit duhet t’i bëhen të njohura të gjithëve nëpërmjet konferencave, mbledhjeve dhe simpoziumeve kombëtare.

Se çfarë do të ndodhte me ekosistemin tonë po të vazhdojë një paaftësi dhe një indiferentizëm në zbatimin e detyrave për ruajtjen e natyrës, të mjedisit e të diversitetit biologjik, nuk ka nevojë për koment.

Në qoftë se disa shtete si Danimarka që ka rezultate të shkëlqyera në shfrytëzimin e burimeve energjitike të pastra, të erërave, duke siguruar fitime kolosale në dobi të ekonomisë së saj, për t’ia lënë brezit të ardhshëm të pastër vendin, brezin e ardhshëm shqiptar e presin TEC-et dhe ndoshta edhe radioaktiviteti pa limit i mbetjeve të CB.

Ministria e Mjedisit në këto kushte duhet të certifikojë sipas normave ndërkombëtare sistemet e ruajtjes e të kontrollit në të gjitha problemet duke qenë të integruara brenda sistemit të administrimit të cilësisë së ajrit, ujit tokës sipas IS9001. Po ashtu, duhen parë si janë zbatuar edhe detyrat e programit CARDS bashkë me standardet që kanë të bëjë me drejtimin e organizimit të ruajtjes të natyrës e mjedisit, vlerësimin e ndikimit të prodhimit në mjedisin si ISO 14001, 012, 040, si dhe përdorimin e fondeve financiare të miratuara nga Komisioni Evropian. Pjesa e publikimit të rezultateve të arritura në ruajtjen e natyrës e të mjedisit është pjesa më e dobët, jo vetëm e Ministrisë së Mjedisit, por edhe e Akademisë së Shkencave. Në qoftë se bota publikon çdo gjë për këtë problem të madh dhe shumë shqetësues, ne nuk kemi çfarë t’i tregojmë të tjerëve.

Për ndotjet e kromit në industrinë e lëkurëve jashtë vendit tonë bëhen përpjekje aq këmbëngulëse nga akademitë e tyre, saqë arrihen të zëvendësohen për disa artikuj kripërat e kromit me tjera materiale kimike që nuk ndotin aspak mjedisin pa shkaktuar asnjë ulje të treguesve cilësorë.

Sisteme të reja të aplikueshme u futën në prodhimin e madh të lëkurëve për sediljet e makinave në Gjermani, Itali, Kore e Jugut vite me parë. Prandaj duhet të ndiqen e të kontrollohen detyrat e strategjisë kombëtare në lidhje me natyrën, mjedisin dhe ngrohjen globale, jo vetëm nga këshilli apo agjencia kombëtare, por edhe nga vetë dikasteri përkatës, i cili çdo herë të pasurojë website-n e tij me arritjet e reja. Por duhet marrë përvojë edhe nga puna e dikastereve të vendeve të rajonit në të gjitha drejtimet, sepse dinë të punojnë me perspektive dhe përgjegjësi duke bashkëpunuar me shkencën dhe teknologjinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›