E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse u harrua përvjetori i Prof. Dr. Aleksandër Meksit

Nga Çerçiz Loloçi

Pak ditë më parë, pra më 8 mars 2009, ish-kryeministri i parë i Shqipërisë pas përmbysjes së sistemit diktatorial, pra Aleksandër Meksi, mbushi plot 70 vjeç. Siç ngjet rëndom në rase të tilla, në shtete normale dhe me standarde, ky përvjetor nuk mund të kalonte kaq në heshtje dhe thjesht me ceremoni familjare apo me telefonata shokësh dhe miqsh.

Duke pasur staturën e kryeministrit në një nga periudhat më të veçanta të historisë së popullit shqiptar, (është kryeshtetari më jetëgjatë në një shoqëri demokratike), mendja të shkonte se një ceremoni të tillë mund t’ia kishte organizuar Partia Demokratike, që aktualisht ndodhet në pushtet dhe që për së paku për disa vjet e ka pasur njërën prej figurave më qendrore të veprimtarisë së saj. Dhe brenda kësaj iniciative mund të hynin njëherësh edhe konsideratat dhe vlerësimet e parlamentit shqiptar (në të cilin ka pasur një rol dhe post të rëndësishëm), qeveria e zotit Berisha, spektri politik i majtë apo i djathtë qoftë, institucione të tjera, të varura apo të pavarura etj.

Por jo pa mëkat në mosshënimin e këtij përvjetori nuk është edhe Presidenca e Shqipërisë. Ndërsa ka një rendje të pandalshme të disa presidentëve shqiptarë për të dekoruar së toku, ndër të tjera, edhe xhelatë e martirë, presidenti Topi mund ta ndërmerrte vetë këtë iniciativë për ta nderuar këtë personalitet, por edhe për të qenë vetë ai, si dhe institucioni i Presidencës si organizator i këtij përvjetori.

Natyrisht që pjesa e kryeshtetarit zë një peshë të rëndësishme në veprimtarinë e Aleksandër Meksit, por nuk është e vetmja. Pas përfundimit të studimeve të larta, ai ka punuar dy vjet në hidrocentralin e Shkopetit, 25 vjet në Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe tri vjet në Institutin e Arkeologjisë. Megjithëse i diplomuar në ndërtim, ai do të profilohej si një studiues dhe specialist i spikatur falë specializimeve të ndryshme, fillimisht në universitetin e Romës, Itali (1962) për monumentet dhe në universitetin e Marburgut, Gjermani (1989-1990) për arkitekturën kishtare. Gjithaq ka ndjekur të gjitha shkallët e kualifikimit: kandidat i Shkencave në vitin 1982, doktor i Shkencave në vitin 1988, ndërsa në vitin 1995 merr titullin Profesor në fushën e Historisë së Arkitekturës. Nëse do të bënim një renditje të librave dhe punimeve shkencore, do të na dilte një listë e gjatë, por mjafton të kujtojmë disa prej tyre: Arkitektura e xhamive të Shqipërisë në shek. XV-XIX); Vende të bregdetit shqiptar në portolanet mesjetare të shek. XIII-XVI; Restaurimi i monumenteve të arkitekturës; Arkitektura e kishave të Shqipërisë në shek. VII-XV; Probleme dhe aspekte të arkitekturës së xhamive në Shqipëri; Shqipëria mes Lindjes dhe Perëndimit- Arkitektura e kultit një shembull, në 2000 vjet Art dhe Kulturë Kishtare; Rrethanat historike dhe arkitektura mesjetare. (Mbajtur në seminarin e XVIII Ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare; peshkopata e Arbrit (Episcopatus Arbanensis); L’architecture des eglises a planimetrie en forme de croix a coupole en Albanie, Selanik 1990; Të dhëna për historinë e hershme mesjetare në Shqipëri, (fundi i shek. VI- fillimi i shek. XI); Berati-historia dhe arkitektura; kisha e Shën Mërisë e Brarit; Arkitektura paleokristiane në Shqipëri; Periodizimi dhe tipologjia e ndërtimeve të kultit të shek .VII-XV në Shqipëri; Arkitektura paleokristiane në Shqipëri; Kishat e Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut; Monumentet mesjetare të kultit dhe rrënjët e tyre në antikitetin e vonë; Bazilika e madhe dhe baptisteri i Butrintit; P. A.Vokotopoulos, I Eklisisastiki arkitektoniki eis tin dhitikis sterean Elladha kai tin Ipeiron, Thessaloniki 1975; H. und H. Buschahusen, Die Marienkirsche in Apolonia in Albanien, Wien 1976; Arkitektura pasbizantine në Shqipëri; Arkitektura pasbizantine në Shqipëri (Bazilikat); Arkitektura pasbizantine në Shqipëri (Kishat me strukturë në formë kryqi me kupolë); Arkitektura pasbizantine në Shqipëri (Kishat njënefshe); Ndërtimet e kultit mysliman në Shqipëri; Historia e Arkitekturës Shqiptare (Maket); Restaurimi i xhamisë së Beqarëve në Berat; Punimet konservuese dhe arkitektura e xhamisë së Allajbegisë në Burim të Dibrës; Rreth arkitekturës së xhamive të shekujve XV-XVI në Shqipëri; Arkitektura dhe restaurimi i xhamisë së Haxhi Ethem Beut në Tiranë etj.

Përmendja e një pjese fare të vogël të punimeve të prof. Aleksandër Meksit do të vinte natyrshëm para një detyrimi moral, qoftë Akademinë e Shkencave, qoftë Institutin e Monumenteve të Kulturës, qoftë dhe Institutin e Arkeologjisë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›