E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamuri kërkon sqarim për termat e gazetave

Nga Antena brenda familjes

Flamuri dje u mor që në mëngjes me gazetat. I kishte lënë detyrë ai burri t’i monitoronte se s’i do ta pasqyronin daljen e tij te Fevziu. I ndau si zakonisht në tavolinë në dy pirgje, gazeta që janë nën hyqmin e atij burrit dhe gazeta që janë jashtë hijes së tij.

Pastaj filloi t’i ndajë me tituj, cilët ishin pro tij dhe cilët kundër. Këtu ngeli, se disa nga titujt nuk po i kuptonte.

- Hej dreq, tha, do më pyesë ndonjë nga këto çupat e gazetave dhe do lë nam. Se unë jam si ai burri, i di të gjitha, s’them dot kurrë për asgjë këtë s’e di.

Vrau mendjen kë të pyeste nga këta që duken si më të kënduar dhe s’po e ndante dot midis Astrit Patozit dhe Besnik Mustafajt. Kujt t’i kërkonte ndihmë t’ia shpjegonte pa e tallur. Te Patozi kishte besim më shumë, por prapë kishte frikë se i nxirrte ndonjë barsoletë. U kujtua për Bogdanin. Ky me medien merret, tha. Po pyes këtë.

I la një takim në kafe që t’ia bënte si rastësisht bisedën. I mori gazetat me vete dhe duke pirë e duke shfletuar.

Ishte duke lexuar një gazetë të “atyre”. Krejt spontanisht e pyeti Bogdanin:

- E ke parë këtë parullën e “Mjaft!”-it për Mediun?

- E kam parë, - tha Bogdani i qetë. - Kot ishte.

- Po këta thonë që “Fatmir Mediu të shpallet i pariciklueshëm”.

-Po mo, e dëgjova, - tha Bogdani, - ia fusin kot.

- Po ç’domethënë kjo njëherë, se s’e marr vesh? E di ti ç’do të thotë i pariciklueshëm?

- Si të ta shpjegoj unë, - u përtyp Bogdani. - Dëgjo Flamur, i ke parasysh plehrat?

- Cilat plehra?

- Po ja, këto mbetjet urbane që hedh bashkia në Sharrë.

- I kam, e pastaj? Apo s’kam dhe kazanë afër shtëpisë. Më zgjojnë çdo ditë në 3 të sabahut ato makinat që i marrin.

- E pra, këto plehrat që hidhen në Sharrë, ca përpunohen dhe bëhen pleh për arat, bëhen humus për tokën. Ca që janë prej letre bëhen prapë ambalazh. Këto quhen plehra të riciklueshme. Mirëpo janë ca të tjera që s’bëhen as pleh, as ambalazh, se janë prej plastmasi, prej qelqi. Këto quhen plehra të pariciklueshme dhe duhen groposur thellë të mos i nxjerrë as shiu, se ndotin mjedisin, madje duhen paketuar fort që të mos iu dalë era. S’e di a kuptove…?

- I pata thënë atij burrit me kohë që s’është plehrë e mirë ky Mediu, po s’më dëgjonte. “Jo, jo, se është i mirë”, - thoshte. E tani këta të “Mjaft!”-it ku e kanë hallin?

- Thonë që të mos bëhet më deputet...

- Ehu, sa larg i bien ata. I kam thënë direkt, mo ta bëjë dhe s’më ka dëgjuar, jo t’i dëgjojë këta që flasin me takt. Po ky amoku mor burrë ç’është, se s’e kam nigju kurrë në jetën teme?

- Amoku, Flamur, nuk është njeri, është gjendje, gjendje psikologjike.

- Ma thuaj pak më shkoqur mor burrë, se ku marr vesh unë nga psikologjia. Më është bërë stres nga ai Ylli Pango dhe s’kam hapë asnjë libër psikologjie.

- Po ja, e ke parasysh atë shkollën në Gjermani, ku një djalë vrau 15 vetë? Për të thuhet se ishte në gjendje amoku, kur kreu vrasjet. Po atë shkollën në Alabama që vrau shtatë vetë në një familje? Edhe ai qe në gjendje amoku, kur bëri krimin.

- Për Zotin, s’e kuptoj fort mirë. E kisha marrë lehtë, kujtoja se Amoku qe emri i ndonjë të huaji nga këta të OSBE që vijnë për zgjedhjet, po s’qenka kështu.

- Amoku është marrë si fjalë nga një novelë e Stefan Cvajgut dhe përshkruan një qytezë të vogël që e zuri një dalldi marrëzie në kuptimin e mirë të fjalës. Me një fjalë është një gjendje psikologjike e një tërësie njerëzish, të cilët nisin e besojnë se kanë të drejtë në të gjitha ato që thonë ….

Flamuri u ngrit dhe s’e la të mbaronte.

- E kuptova, - tha, - le. - E ka për atë burrin. Çfarë pisi! Më shkoi njëherë në mendje, po s’i dija këto hollësi. Se unë jam doktor, por këtë lëndë s’e kam pas lexuar, se qëlloi kur ishim në fushatë.

- Po kjo puna e dhunimit të banesës, që thotë ky burri, si është se m’u bë lëmsh?

- Ajo është më e thjeshtë akoma. Po të erdhi ndonjë femër në zyrë, hidhju përsipër, se del ai burri dhe ia hedh fajin asaj dhe e quan dhunim zyre dhe ti del i pafajshëm. Ndryshe do dalë Aleksandër Frangaj dhe do të thotë ‘nuk je burrë’. Dhe e kupton ti sa punë dreqi është të të thotë dhe ai s’je burrë.

Flamuri u qetësua tërësisht.

- Kot s’e pi kafen me këtë Bogdanin çdo mëngjes, tha me vete. Kur e shikoj në televizor, duket budalla, po kështu qenka njeri normal dhe ditka gjithë këto gjëra.

- Çfarë ke që mendohesh? - i tha Bogdani.

- Hiç, - tha Flamuri. - Po mendoja për ty. Ndryshe nga gjithë njerëzit e tjerë që duken të mençur në televizor dhe budallenj kur i takon, me ty ndodh ndryshe, dukesh budalla në televizor dhe i mirë në tavolinë.

- Epo ç’t’i bësh, - tha Bogdani. - Ky fat na ra. Dhe ty, kur të lexoja tek “Antena” para se të të njihja, më dukeshe i mençur. Tani që të njoh nga afër, më dukesh budalla.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›