Ina Rama: Dosja për tragjedinë e Gërdecit brenda javës në gjykatë
Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, deklaroi dje se dosja hetimore për tragjedinë e Gërdecit do të dorëzohet brenda javës në Gjykatën e Lartë. Kjo, duke qenë se afatet hetimore për këtë dosje përfundojnë më 17 mars. Të pandehur në këtë dosje janë plot 28 persona, 4 prej të cilëve do të gjykohen në gjendje arresti dhe 24 të tjerë në gjendje të lirë. Personat përgjegjës që akuzohen për tragjedinë e 15 marsit janë ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, si dhe Mihal Delijorgji, Ylli Pinari dhe Dritan Minxholli.
Dy ditë nga 15 marsi, datë në të cilën ndodhi tragjedia e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona, si dhe u plagosën mbi 300 të tjerë, prokuroria është drejt mbylljes së dosjes hetimore për këtë ngjarje. Kjo u bë e ditur gjatë ditës së djeshme nga ana e Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama. Kjo e fundit deklaroi se brenda javës organi i akuzës do ta dorëzojë dosjen me 28 të pandehur në Gjykatën e Lartë. “Prokuroria është duke kryer procedurat e fundit hetimore për këtë çështje dhe dosja me të gjitha hetimet do të dërgohet këto ditë në Gjykatën e Lartë”, - bëri të ditur kryeprokurorja, Ina Rama. Deklarata e saj u bë pas interesimit të medias për këtë hetim, ndërkohë që ajo dilte nga një takim me përfaqësues të EURALIUS dhe Misionit Evropian të Asistencës për Sistemin Shqiptar të Drejtësisë.
Të pandehur për këtë dosje janë plot 28 persona, mes tyre ish-ushtarakë të lartë. Katër prej tyre, Mihal Delijorgji, Ylli Pinari, Dritan Minxholli dhe Sokol Ngjeçi, i cili u arrestua vetëm pak ditë më parë, do të gjykohen nën masën e “Arrestit me burg”. Ndërkohë, 24 të pandehurit e tjerë, mes tyre edhe disa ish-ushtarakë të lartë, do të procedohen penalisht në gjendje të lirë. Mes të pandehurve është edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, të cilit vetëm pak ditë më parë iu komunikua nga prokuroria akuza e “Shpërdorimit të detyrës”. Të pandehur në këtë dosje, me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” janë edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral. lejtnant. Luan Hoxha, ish-komandanti i Forcës së Bashkuar, Shpëtim Spahiu, ish-komandanti i Forcave Mbështetëse, Zija Bahja, ish-komandanti i Logjistikës, Dashnor Çaushi, të gjithë këta të shkarkuar nga detyra menjëherë pas tragjedisë së Gërdecit. Ndërkohë, akuza e “Shpërdorimit të detyrës” i është komunikuar edhe ish-Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes, Ardian Mullai, si dhe Armand Tartarit, ish-drejtor në Drejtorinë e Buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes, Ndue Markut, ish-zyrtar në Drejtorinë Juridike të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe ish-zëvendëskomandantit të Shtabit të Përgjithshëm, Agim Lala. Të 28 të pandehurit akuzohen se me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë shkaktuar shpërthimin e depove të municioneve në Gërdec, që shkaktoi vdekjen e 26 personave, si dhe plagosjen e mbi 300 të tjerëve.
Protesta para Kuvendit: “Mediu të shpallet i pariciklueshëm për shoqërinë shqiptare”
Lëvizja “Mjaft!” zhvilloi dje një protestë para Kuvendit të Shqipërisë, në kohën kur deputetët po hynin në ambientet e parlamentit me moton “Mediu, i Pariciklueshëm për Shoqërinë Shqiptare”
Për rreth dy orë, aktivistë të kësaj lëvizjeje iu shpërndanë deputetëve dhe qytetarëve broshura ndërgjegjësuese në formë trakti për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu.
“Sot, kur po bëhet gati një vit që nga tragjedia e Gërdecit, përgjegjësi kryesor politik i këtij krimi, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, po tenton të rehabilitohet nga partia e tij dhe nga kjo qeveri, e cila ende nuk ka kërkuar falje për këtë krim qeveritar”, - theksoi Aldo Merkoçi (“Mjaft!”).
Ai vërejti se ky ish-ministër që ishte personi i parë përgjegjës për mbrojtjen e jetës së qytetarëve në këtë vend, është njëkohësisht personi që shkatërroi jetët e qindra shqiptarëve dhe minoi besimin e miliona të tjerëve.
“Sot, Mediu ka pafytyrësinë t’u japë të njëjtëve shqiptarë që i hodhi në erë leksione për integrimin në NATO dhe funksionimin e shtetit demokratik”, - tha Merkoçi.
Në deklaratën e “Mjaft!” mbi këtë aktivitet theksohet: “Sot, ky njeri vazhdon ta përfaqësojë politikën shqiptare dhe shqiptarët në takime të rëndësishme ndërkombëtare. Dita-ditës kjo qeveri po ndërmerr hapa në riciklimin e të pandehurit Fatmir Mediu në planin publik dhe politik. E njëjta qeveri që ka dështuar në një masë të konsiderueshme në rehabilitimin e viktimave të ish-ministrit të Mbrojtjes, sot po shpenzon kredite politike për të rehabilituar shkaktarin kryesor të tragjedisë.”
“Lëvizja “Mjaft!” i kujton qeverisë dhe opozitës se Mediu është përgjegjës:
Për ndërtimin ilegal të një fabrike vdekjeje në një zonë të banuar;
Për shkatërrimin e mbi 1000 banesave në Marqinet dhe Gërdec;
Për gjymtimin e 300 punëtorëve dhe banorëve;
Për vdekjen e 26 qytetarëve në shpërthimin e Gërdecit.
Prandaj ky person është i padenjë për të përfaqësuar politikën shqiptare; i padenjë për të përfaqësuar parlamentin shqiptar dhe i padenjë për të përfaqësuar qytetarët shqiptarë.
Lëvizja “Mjaft!” iu bën thirrje qytetarëve dhe politikës që ta shpallin Fatmir Mediun, të pariciklueshëm për shoqërinë shqiptare”, - thuhet në deklaratën e “Mjaft!”.
Pas një viti, Berisha: Dëmshpërblim për banorët e Gërdecit. S’jepet asnjë shifër
Vetëm pak ditë përpara se të mbushet një vit nga ngjarja e rëndë e Gërdecit, ku mbetën të vdekur 26 persona, u plagosën mbi 300 të tjerë dhe shkatërruan qindra e qindra banesa dhe biznese, kryeministri ka deklaruar se do dëmshpërblejë banorët e kësaj zone. Sërish Berisha tha se ngjarja e Gërdecit është një aksident teknologjik.
Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e djeshme vendimin për miratimin e burimeve dhe të procedurave të financimit të dëmeve pasurore, të shkaktuara nga aksidenti teknologjik i Gërdecit.
Por, edhe pse është deklaruar se do të ketë një dëmshpërblim, qeveria nuk ka saktësuar sa do jetë kjo shifër dhe sa do përfitojnë banorët e zonës.
Në faqen zyrtare të Kryeministrisë nuk është botuar asnjë gjë në lidhje me këtë vendim, por për shifrën nuk ka folur as vetë Berisha.
“Ne qëndrojmë të vendosur, ashtu siç edhe keni konstatuar, për rikthimin në një nivel tjetër të ri të infrastrukturës, të ndërtimit të banesave dhe gjithçkaje tjetër në zonën e traumatizuar”, - u shpreh kryeministri.
E ndërsa ky veprim elektoral i kryeministrit është për të krejt normal, protestat e opozitës për të janë të paimagjinueshme dhe dhunim i kodit të vdekjes në Shqipëri.
“Nuk mendoj se mund të hapet fushata elektorale me mitingje mortore. Të hapësh fushatë elektorale me mitingje mortore, do të thotë se merr përsipër një përgjegjësi jashtëzakonisht të rëndë, një dhunim të një kodi që është i shenjtë për shqiptarët”, - nënvizoi kryeministri.
Duke folur në lidhje me hetimet që janë ndërmarrë për këtë çështje, edhe pse shpesh mazhoranca është bërë pengesë, Berisha tha se drejtësia do ta thotë fjalën e saj për këtë tragjedi, duke nënkuptuar se ai do i bindet verdiktit të saj.
Një lidhje me vendimin e mazhorancës për dëmshpërblimet ka reaguar dhe Partia Socialiste me anë të kryetarit të saj për Tiranën, Besnik Bare.
Sipas tij, është tragjike që Berisha kujtohet pas një viti për dëmshpërblimet.
“Është për të qeshur e për të qarë që zoti Sali u kujtua sot për dëmshpërblimet e tragjedisë së Gërdecit. Ndërkohë që në harkun e një viti janë të panumërta shqetësimet që u janë krijuar familjeve të dëmtuara nga kjo qeveri, e cila, jo vetëm u hapi një plagë të madhe një vit më parë, por me paaftësinë, papërgjegjshmërinë e korrupsionin e kudondodhur, u hapi të tjera plagë me mosdhënien e dëmshpërblimeve e as sa dhe as si duhet.
Ndaj, 15 marsi është dita e duhur për të qenë bashkë në sheshin “Skënderbej” në orën 6 pasdite në përvjetorin e kësaj tragjedie”, - tha Bare.
Bashkia e Vorës padit banorët e Gërdecit, morën shpërblim më shumë se ç’duhej
Bashkia e Vorës ka ngritur padi penale ndaj 44 të dëmtuarve nga tragjedia e Gërdecit. 44 kryefamiljarë, shtëpitë e të cilëve janë dëmtuar nga shpërthimi vrastar i Gërdecit, duhet të paraqiteshin sot në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë, për t’iu përgjigjur akuzës si debitorë ndaj shtetit.
“Shteti në njëfarë mënyre po i rimerr ato pará që iu dha si dëmshpërblim pas tragjedisë së Gërdecit”, - shprehen ata.
Banorët pretendojnë se gjithçka është bërë nga komisioni i dytë i dëmeve, i cili pa fakte ka ulur 10-fishin e shumës së caktuar nga komisioni i parë vlerësues.
Kështu, nga 1.2 milionë lekë të vjetra dëmshpërblim që u caktua nga komisioni i parë, i dyti uli shumën në 90 mijë lekë të vjetra, çka do të thotë se banorët duhet t’i kthejnë shtetit 1.1 milionë lekë të vjetra.
Ja se si shprehet njëri prej banorëve: “Jam i paditur nga bashkia, me arsyen se jam debitor ndaj saj. Unë nuk e di se çfarë debitori jam, unë nuk e kam përfituar atë shumë parash me vjedhje, pra nuk ekziston një mënyrë e paligjshme që unë mund t’i kem përfituar”.
Një tjetër banor i paditur shton se “as nuk kemi gënjyer, as nuk kemi mashtruar, erdhi komisioni që bëri vlerësimet. Ndërsa komisioni i dytë më rivlerësoi me minus dhe nuk i mori fare për bazë procesverbalet e para. Ne s’po kërkojmë asgjë më tepër sesa shtëpinë tonë”.
“Nëse shteti e ka vlerësuar 2 milionë lekë shtëpinë time, un i kthej ato 2 milionë lekë, por shteti të vijë të më ndërtojë shtëpinë, ashtu siç unë e kam pasur. Dhe të nxjerri ankthin e fëmijëve të mi që ata e kanë përjetuar në atë ngjarje, kështu shteti mbetet debitor ndaj nesh, jo ne ndaj atij”, - shprehet një tjetër banor i paditur.
Edhe pse të vënë nën akuzë, banorët u paraqitën në gjykatë, por gjyqi është shtyrë më 13 maj. Banorët kërkojnë që qeveria t’u kthejë shtëpitë në gjendjen fillestare, pasi, sipas tyre, tragjedia e Gërdecit nuk ishte një fatkeqësi natyrore, ose të ngrihet një komision tjetër, i cili do të rivlerësojë dhe njëherë dëmet e banesave në zonën e Gërdecit.
“News 24”
Topalli: PS është e lidhur me Delijorgjin
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaroi dje se opozita është e lidhur me Mihal Delijorgjin, njeriun që akuzohet për vrasje masive në Gërdec.
Topalli e lidhi këtë akuzë me lejet e ndërtimit që ka marrë Delijorgji në Tiranë. Sipas saj, Rama ka pjesë në këto leje ndërtimi.
Megjithatë, Topalli nuk ka thënë asgjë në lidhje me pjesën e Delijorgjit në Gërdec dhe implikimin e disa emrave të mazhorancës dhe të familjarëve të kryeministrit në aferat që mbajnë emrin e Delijorgjit.
“Pse nuk janë hequr lejet e ndërtimit që Mihal Deligjorgji ka në mes të Tiranës, të dhëna nga kryetari i juaj, Edi Rama? Në sa pjesë është aty brenda?” - tha Topalli.
Opozita, nga ana e saj, nuk ka debatuar në lidhje me këtë çështje.
Kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, është përgjigjur duke i thënë kryetares së Kuvendit se, nëse ajo ka informacion për akuzat që bën dhe nuk iu ka kërkuar organeve të drejtësisë që të hetojnë, atëherë dhe ajo është bashkëpunëtore në krim.
LSI: PS dhe PD janë të kapura nga Delijorgji
Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Dritan Prifti, tha dje se prokuroria duhet të zbardhë lidhjet e Delijorgjit me Partinë Socialiste dhe atë Demokratike.
“Ne i bëjmë thirrje prokurorisë të thellohet në hetimet e saj, të thellohet te fenomeni Delijorgji, sepse fenomeni Delijorgji është fenomeni i korruptimit të klasës politike shqiptare. Fenomeni Delijorgji nuk është fenomeni që ka korruptuar vetëm Sali Berishën apo ministrat e qeverisë së tij. Fenomeni Delijorgji duhet hetuar më thellë, sepse ai ka kohë që korrupton politikën shqiptare. Mjafton të përmendësh që ai në Ministrinë e Mbrojtjes ka bërë korrupsion me tenderë edhe përpara se të ishte atje Fatmir Mediu, duke marrë tanket e ushtrisë sonë për skrap e duke i shitur te një kompani tjetër që operon në Shqipëri me më shumë se dyfishin e çmimit. Fenomeni Delijorgji ka mbushur Tiranën me ndërtime”, - tha Prifti.
“Pra, fenomeni Delijorgji është një fenomen që ka korruptuar jo vetëm PD, por dhe PS dhe ish- ministrat e saj. Dhe prokuroria duhet të ketë guxim të thellohet më tej në këtë fenomen, i cili simbolizon korrupsionin dhe korruptimin politik të Shqipërisë sot”, - vijoi më tej ai.
PS: Piramida e fajësisë për Gërdecin nis me Berishën
Kryetarja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, tha dje në Kuvend se në krye të piramidës së fajtorëve për Gërdecin qëndron kryeministri, Sali Berisha. Ajo tha se ka tentativa për të rehabilituar figurën e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu nga ana e Berishës.
Sipas Leskajt, këta të dy i bashkon fajësia dhe pjesa e errët e kësaj historie të dhimbshme për shqiptarët.
“Një vit më pas nga ai shpërthim ne mund të bëjmë disa bilance. E para, Gërdeci dhe gjithë shqiptarët kërkojnë të vërtetën. Atë të vërtetë që opozita shqiptare dhe media e pavarur e kanë kërkuar pareshtur gjatë gjithë vitit. Ne nxitëm dhe inkurajuam një hetim të drejtë, të shpejtë e të paanshëm nga prokuroria, e cila sot ka vënë nën akuzë rreth 40 zyrtarë të lartë. Dhe ne përsëri kërkojmë që prokuroria të bëjë sa më shpejt zbardhjen e gjithë të vërtetës për një çështje që implikon vetë kryeministrin e vendit. Natyrisht, sot Gërdeci akuzon, jo vetëm ata zyrtarë që janë në prokurori, por mbi të gjitha Gërdeci akuzon ata që u sollën me këtë vend si me feudin e tyre.
Në fakt, askush deri më tani, nga gjithë piramida e fajësisë qeveritare, që fillon me kryeministrin Berisha, nuk ka pasur kurajën të kërkojë një ndjesë publike për atë që shkaktuan në Gërdec”, - tha Leskaj.
“Ministri përkatës tashmë ngjan i rehabilituar, natyrisht jo në sytë e shqiptarëve, por në sy të eprorit të tij. Mes tyre ka diçka më shumë se një marrëdhënie politike, ata i bashkon fajësia dhe pjesa e errët e kësaj historie.
Në fakt, viti i Gërdecit mjaftoi për të provuar se kjo qeveri dhe shefi i saj, nuk ka ndjeshmëri ndaj njerëzve, e kanë humbur ndjeshmërinë ndaj skandaleve korruptive përfshirë edhe këtë që u pagua me jetë”, - vijoi më tej kryetarja e grupit parlamentar socialist. Sipas saj, Gërdeci nuk ishte një aksident teknologjik, por një aksident i teknologjisë makute e të paskrupullt të kastës qeverisëse.
“Padyshim që historia e një kombi ka dhe njeh edhe fraktura e aksidente të llojeve të ndryshme, që mund t’i shkaktojë natyra apo gabimi njerëzor. Por tragjedia e Gërdecit nuk është nga këto raste. Atë tragjedi e shkaktoi pabesia e njerëzve të veshur me pushtet, që në dukje ofruan punë dhe bukë për familjet e varfra që punonin aty, e në fakt iu dhanë vdekje dhe mjerim, në këmbim të milionave që planifikuan të merrnin për veten e tyre. E shkaktoi pabesia e atyre njerëzve që erdhën në qeverisje në emër të drejtësisë, në emër të antikorrupsionit, në emër të një jete më të mirë, që nuk ua dhanë kurrë shqiptarëve”, - tha Leskaj.
Ajo denoncoi dhe përdorimin e termit “reagim i shpejtë” nga mazhoranca në rastet e tragjedive dhe skandaleve.
“Ky ishte rasti pas Gërdecit, kur përfaqësuesit e shumicës në parlament thanë se “njerëzit u vranë për shkak një incidenti teknologjik, por ama ne e menaxhuam situatën shkëlqyeshëm”, pra kemi vendosur një standard.
Kjo do të thotë as më shumë e as më pak se në fillim të vë zjarrin dhe pastaj krenohet se të dërgon në vendngjarje zjarrfikësit, se të vret dhe pastaj të premton funeral falas apo që iu ka dërguar krehra dhe pasqyra të mbijetuarve”, - tha Leskaj.
Rama vazhdon shpërndarjen e ftesave derë më derë për protestën e 15 marsit
Kryetari i Partisë Socialiste së bashku me vullnetarët e tij ishin dje bllokun e Alliasit për t’iu bërë thirrje njerëzve që të dalin në manifestimin që do të zhvillohet më 15 mars.
Në një njoftim të zyrës për shtyp pranë Partisë Socialiste thuhet se gjatë takimit, Rama është përballur dhe me ankesat e qytetarëve të Tiranës. “Ne kemi shumë probleme për t’ju sqaruar. Jam vetë i dytë dhe po kaloj jetën me 95 mijë lekët e pensionit. Edhe faturat vijnë sipas qejfit”, - iu drejtua një banor Ramës.
“Të dalim si popull, duke marrë parasysh sloganin tuaj “përtej së majtës dhe së djathtës”. Të dalim si popull. Tragjedia e Gërdecit është e veçantë, që nuk e ka parë kurrë populli shqiptar. Tragjedia e Gërdecit nuk është aksidentale, por e përgatitur nga ata të babëziturit që nuk ngopen kurrë”, - tha një tjetër banor duke iu referuar tubimit të së dielës.
Rama tha se njerëzit duhet të dalin në tubim për të qenë të bashkuar.
“Duhet të dalim për të qenë sa më shumë të bashkuar, përtej hendeqeve që na ka hapur politika e vjetër, për punë, për sigurinë e jetës, për shpresën, për fëmijët tanë, për të moshuarit, për të gjitha këto arsye.”
“E drejta për të jetuar me punë të ndershme është tjetër e drejtë, për të cilën do të manifestojmë më 15 mars. Ikin emigrantë, sepse duan të jetojnë me punë të ndershme. Vendosja e së drejtës për të jetuar me punë të ndershme është kryesorja. Të jemi të gjithë bashkë, t’i lëmë politikanët në punët dhe sherret në punët e tyre dhe të shohim për të rregulluar punët tona të përbashkëta”, - vijoi kryetari socialist.
Në të gjitha takimet spontane me qytetarë të Alliasit Edi Rama e vullnetarët kanë shpërndarë edhe fletëpalosjen përkatëse duke ndërgjegjësuar kështu qytetarët për të manifestuar.
Veliaj: Më 15 mars do ketë një antimiting nga partia private e Metës dhe Monikës
Drejtuesi i G99, Erion Veliaj, dhe vullnetarë të kësaj partie në Durrës bënë një vizitë te vendndodhja e disa depozitave të lëndës së djegshme në portin e Durrësit. Një depozitë në portin e Durrësit mban mesatarisht pesë milionë litra karburant ose lëndë djegëse.
“Jemi sot për të disatën herë në Durrës për t’i bërë me dije qeverisë së radhës se nuk mund të ketë miliona litra gaz, naftë apo material të djegshëm pranë zonave të banuara. Këto depozita janë shumë afër zonave të banuara të Durrësit. Këto depozita kanë që në kohën e Ilir Metës dhe të Fatos Nanos dhe janë këtu dhe në kohën e Berishës. U desh një tragjedi si ajo e Gërdecit që të kuptojmë se jeta ka vlerë në Shqipëri. Po flasim për vdekjen e njerëzve. Kjo do të thotë që kjo qeveri, ashtu si ato të mëparshmet, nuk mban premtimin për të larguar atë që mund të shkaktojë vdekjen e shumë njerëzve dhe për ta zhvendosur larg zonave të banuara.
Duam t’i bëjmë apel qytetarëve të Durrësit t’i bashkohen protestës së datës 15 përpara se të jetë shumë vonë. Është e rëndësishme që qytetarët kudo që janë të fillojnë të vlerësojnë rëndësinë që ka jeta e njerëzve. Një nga cisternat këtu ka pesë milionë tonë litra lëndë djegëse dhe kjo është mjaftueshëm për të alarmuar gjithë qytetin e Durrësit dhe për t’i thënë gjithë qytetarëve nuk duhet të ndodhi një Gërdec tjetër përpara se ne të ngrihemi dhe të reagojmë”, - tha Veliaj. I pyetur nga gazetarët se pse në këtë datë, ku opozita duhet të ishte e bashkuar, do të ketë në fakt dy marshime të ndara, Veliaj tha se “kemi një miting të opozitës qytetare dhe kemi një antimiting të një partie private. Kemi nevojë për solidaritet dhe bashkim. Partia private e Ilirit dhe Monikës nuk mendon se ne duhet të jemi bashkë, ne nuk abonohemi te kjo vijë mendimi dhe shumica dërrmuese e shqiptarëve janë të lodhur me këto lloj ndasish.”