E Shtunë, 31 Tetor 2026

Baballarët maqedonas, nënat shqiptare

Nga Express më 06 gusht 2011 në ora 13:00

Statistikat zyrtare, të publikuara nga Enti i Statistikave i Maqedonisë, bëjnë të ditur se vetëm gjatë vitit 2010 janë lindur 154 foshnje nga martesat e përziera shqiptaro-maqedone. Nënën e kanë shqiptare, ndërsa babain maqedonas. Nga ana tjetër, është një numër simbolik i rasteve kur babai është shqiptar e nëna maqedonase, vetëm 24 foshnja. Kjo nënkupton se femrat shqiptare po martohen me të madhe për maqedonas.

Sipas të dhënave nga publikimi i fundit “Lëvizjet natyrore të popullatës në Maqedoni” i mbështetur nga Enti Shtetëror për statistikë del se mbi 100 fëmijë në Maqedoni vetëm gjatë vitit 2010 janë lindur nga baballarë maqedonas dhe nëna shqiptare.

Këto të dhëna dëshmojnë se viteve të fundit femrat shqiptare me të madhe martohen me maqedonasit.

Sipas këtij hulumtimi nga numri i përgjithshëm i foshnjave të lindura nga martesat e përziera konstatohet se 154 foshnja janë lindur nga nëna shqiptare dhe babai maqedonas, ndërsa numri është simbolik kur babai është shqiptar dhe nëna maqedonase ku mezi kanë lindur vetëm 24 foshnja, njofton e përditshmja shqiptare në Maqedoni “Fakti", njoftoi të premten agjencia e lajmeve INA.

Që nga viti 2003, në krahasim me të kaluarën, martesat mes shqiptarëve dhe maqedonasve kanë shënuar rritje.

Në vitin 2005 pati 137 martesa të përziera, nga të cilat në 16 raste nusja ishte maqedonase, kurse dhëndri shqiptar, e në 121 raste të tjera nusja ishte shqiptare kurse dhëndri maqedonas; në vitin 2007 - 188 (19 raste - nusja maqedonase e dhëndri shqiptar, dhe 169 raste të kundërta), në vitin 2006 - 246 (19 raste - nusja maqedonase e dhëndri shqiptar, dhe 227 e kundërta).

Mirëpo, nga lindja para një viti e 154 foshnjave nga baballarë maqedonas e nëna shqiptare, del qartë se meshkujt maqedonas preferojnë të marrin shumë herë më tepër një nuse shqiptare sesa që preferojnë shqiptarët preferojnë të marrin nuse maqedonase.

Megjithatë, edhe këto shifra të martesave të përziera shqiptaro-maqedonase nuk paraqesin një shprehje të gjendjes së vërtetë në këtë drejtim në Maqedoni, për të mos thënë se kemi të bëjmë me një tablo të shtrembëruar të realitetit, sepse viteve të fundit ka marrë formë një dukuri e re.

Shumë burra maqedonas nga zonat rurale të Maqedonisë janë martuar me nuse shqiptare, jo nga Maqedonia, por nga Shqipëria. Kjo sidomos vërehet në zonat veriore të Maqedonisë.

“Statistikat lidhur me martesat e përziera, konkretisht mes maqedonasve dhe shqiptarëve nuk e reflektojnë realisht gjendjen e tendencës në rritje të këtyre martesave. Shifrat vetëm tregojnë se ka më shumë nuse shqiptare, por ato, në fakt, janë shqiptare nga Shqipëria”, thuhet në sektorin përkatës të Institutit Shtetëror të Statistikave të Maqedonisë.

Sociologja, Rejhane Kadriu, pohon se rritja e martesave mes burrave maqedonas dhe grave shqiptare nuk dëshmon se marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni janë të përsosura, pasi shumica e nuseve janë nga Shqipëria.

“Pa qenë nevoja të bëhen shumë studime, do të konstatosh se mes maqedonasve dhe shqiptarëve mbizotërojnë mosbesimi dhe dyshimi i ndërsjellë, paragjykimet etnike, fetare, pa përmendur edhe ato politike. Sapo dalin nga qendrat e punës ose shkollat e përbashkëta, shqiptarët e maqedonasit në Maqedoni futen secili brenda botës së vet, shkurt bëjnë një jetë larg njëri-tjetrit”, thotë Kadriu, sipas së cilës martesat e përziera mes shqiptarëve dhe maqedonasve janë të mjaft të rralla.

“Shkaku kryesor i kësaj dukurie është përkatësia fetare, që si shembull sjell numrin jo të vogël të martesave të përziera brenda një besimi fetar në këtë vend; në rastin e atij mysliman, midis shqiptarëve, turqve e boshnjakëve, e në rastin e besimit të krishterë, midis maqedonasve dhe nuseve nga Shqipëria. Përkatësia fetare, por edhe statusi social në këto raste është vendimtar”, pohon Kadriu.

Gazeta ditore ‘Fakti’ ndërkaq citon sociologun maqedonas, Ilija Acevski, sipas të cilit ajo që duhet bërë është që të dyja palët të heqin dorë nga paragjykimet dhe që pjesëtarët e të dyja bashkësive etnike ta shohin njëri-tjetrin vetëm qenie njerëzore.

“Sikur të arrijmë, qoftë edhe shifrën 5 për qind, martesa mes maqedonasve dhe shqiptarëve, ky do të ishte një tregues i mirë se diçka po lëviz në drejtim të tolerancës dhe bashkëjetesës së ndërsjellë. Martesat e përziera janë treguesi më real dhe, në të njëjtën kohë, edhe më i fortë i bashkëjetesës ndëretnike. Pra, i asaj sesa mund të jetojnë së bashku pjesëtarët e këtyre dy bashkësive etnike në Maqedoni”, thotë ai.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›