Babasi fyen Daden, PS bojkot Kuvendit
BLEDAR HOTI
Debatet për tragjedinë e Gjirokastrës kanë shkaktuar edhe përplasje të forta mes maxhorancës dhe opozitës. Deputetët e maxhorancës kanë akuzuar ashpër opozitën, bashkiakët socialistë në lidhje me tragjedinë e ndodhur. Kjo aq as fyerjet e lëshuara në adresë të opozitës, detyruan socialistët që të bojkotojnë seancën e Kuvendit. Ka qenë pikërisht diskutimi i deputetit të PD-së, Ndriçim Babasi, që ka acaruar situatën, pasi ka lëshuar disa akuza në adresë të deputetes së PS-së, Arta Dade. Demokrati iu drejtua me shprehjet se, "Arta, mos u mërzit se është gabim njerëzor ky. Nuk është nga ato gabimet që bën ti gjatë udhëtimeve jashtë shtetit. Obama erdhi, erdhi, ka punën e tij, po ti shiko ato orgjitë jashtë shtetërore". Kjo solli edhe reagimin e deputetëve socialistë, të cilët në shenjë proteste bojkotuan menjëherë seancën. Pas mbylljes së diskutimit të Babasit, kryeparlamentarja Topalli ka ndërprerë seancën për pesë minuta për të qetësuar tensionet mes maxhorancës dhe opozitës. Me rinisjen e seancës, Babasi kërkoi falje publike ndaj deklaratës së lëshuar në adresë të socialistes Dade. "Unë i kërkoj publikisht ndjesë deputetes socialiste në lidhje me deklaratat e mëparshme", theksoi Babasi. Topalli ia ka pranuar faljet dhe ka nisur më pas seancën për shqyrtimin e projektligjeve të paraqitura. Por kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, ka kontestuar qëndrimin në seancë të Babasit. "Ne kërkojmë mbledhjen e menjëhershme të byrosë parlamentare për të marrë masën ndëshkimore ndaj zotërisë që ofendoi deputeten socialiste. Ne nuk do të marrim pjesë në Kuvend deri në momentin që byroja të marrë vendimin për ndëshkimin sipas Rregullores së Kuvendit", theksoi Leskaj. Më pas ajo doli nga seanca, duke bërë që punimet e saj të zhvilloheshin pa praninë e deputetëve socialistë. Deputetët e maxhorancës kërkuan që opozita të kërkonte vetë publikisht largimin e kryebashkiakut Bime për shkak të kësaj tragjedie. Edi Paloka i PD-së tha se opozita ka rastin më të mirë që të mbajë një qëndrim real. Duke reaguar ndaj qëndrimit të opozitës për këtë ngjarje ai tha se, "hipokrizia është fytyra e vërtetë e saj". "Nuk është momenti për cinizëm, por nuk mund të rri pa i kërkuar opozitës që t'i kërkojë dorëheqjen kryetarit socialist të Bashkisë së Gjirokastrës. Pres që dikush të hapë çështjen penale për kryebashkiakun. Pres që Erjon Braçe të dalë me dosje dhe me fakte këtu për këtë ngjarje. Pres që edhe Taulant Balla të dalë këtu dhe të thotë diçka, se atij gjithmonë i thonë gjithçka", tha Paloka. Ai kërkoi që "qeveria duhet të hapë e të kontrollojë të gjitha lejet e ndërtimit që janë dhënë, sidomos në kryeqytet". "Tragjedia ndodhi se një pallat u ndërtua mbi korrupsion dhe më pas u dha leje për ndërtimin e një pallati tjetër korrupsioni. Kjo është tragjedia e vërtetë që ka pikënisje korrupsionin", tha Paloka.