E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Verifikim gjithë lejeve

 

BLEDAR HOTI

Kryeministri Sali Berisha kërkon nisjen e verifikimit të lejeve të ndërtimit të dhëna ndër vite në të gjithë Shqipërinë. Deklarata e kryeministrit u bë në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, gjatë komentimit të ngjarjes tragjike të ndodhur në Gjirokastër. "Është i domosdoshëm një verifikim tërësor i lejeve të ndërtimit, në përputhje me legjitimitetin e tyre, sepse nuk ka gjë më të shëmtuar kur ti si shtet shkel ligjin, bëhesh ilegal, ilegjitim me veprimet e tua dhe këtë gjë e bën në të gjitha rastet, absolutisht vetëm kundrejt ryshfetit, babëzisë dhe gjobës. Këto leje janë të gjitha të financuara nga ryshfeti. Ndaj është e domosdoshme të mendojmë për një rishqyrtim tërësor të këtij procesi, i cili faktikisht, nëpërmjet mekanizmave zyrtare, krijoi atë dramë në Gjirokastër", deklaroi Kryeministri. Berisha kërkoi një hetim të plotë të kësaj ngjarjeje tepër të rëndë, e cila tronditi thellë qytetin dhe gjithë Shqipërinë. "Drejtësia duhet të vendosë para ligjit të gjithë autorët, ata të cilët shkaktuan këtë akt shumë të rëndë. Drejtësia duhet të zbërthejë tërësisht zinxhirin e përgjegjësive për këtë ngjarje. Këtë gjë kërkon Gjirokastra dhe këtë kërkon gjithë Shqipëria", theksoi kreu i maxhorancës. Ai i kërkoi ministrit të Transportit, Sokol Olldashi dhe ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli, që të ngrenë grupe pune me gjeologë për shqyrtimin e situatës në Gjirokastër. "Ky komision duhet të krijohet menjëherë. Sikundër Ministria e Brendshme duhet të sjellë të gjitha vendimet për të ndihmuar familjet e dëmtuara. Ne duhet të bëjmë çdo përpjekje që pasojat e këtij akti shumë të rëndë të kapërcehen, sikundër, drejtësia, me vendosmëri, të nxjerrë para ligjit të gjithë përgjegjësit e  tij", tha Berisha.          
Akuzat e Olldashit
Ngjarja e rëndë u bë objekt i debateve dhe në Kuvend. Ministri i Transportit, Olldashi, deklaroi se kjo ngjarje nuk ndodhi më shumë nga makutëria e ndërtuesve, se sa nga makutëria e pushtetarëve. "Kjo shoqëri e krijuar vetëm në prill të vitit 2008, e regjistruar si shoqëri më 29 prill 2008, me kontratë paraprake me pronarët e tokës në prill 2008. Kësaj shoqërie i janë dhënë brenda një dite miratimi i studimit, leja e sheshit dhe leja e ndërtimit, të gjitha në datën 15 korrik 2008. Dhe po në të njëjtët datë, kur zotëria ka bërë njoftimin për fillimin e punimeve, Bashkia ka qenë e paduruar për të shkuar dhe për t'i vënë piketat, që është një nga kalvaret për të gjithë ndërtuesit, ndërsa zotërisë i kanë dhënë brenda ditës gjithçka", theksoi Olldashi. Sipas tij, kjo firmë është e licencuar në 7 korrik 2008, pra pasi ka marrë lejen e ndërtimit. Ministri hodhi akuza të ashpra ndaj pushtetarëve vendorë socialistë në lidhje me dhënien e lejeve të ndërtimit. "Problemi është i modelit të qeverisjes, që siç e kanë përkufizuar Petro Koçi, bazohet në dhënien e lejeve në mënyrë kriminale. Po ky model i shtrirë në të gjitha qendrat e pushtetit, që administrohen nga përfaqësues të PS-së. Nuk është rasti i parë që kanë ndodhur, ka rënë tavani në shkollën e Brakës, në Unazën e Re, na kanë dalë flakët në rrugën e një pallati në rrugën e Kavajës. Pse? Për shkak të të njëjtit mekanizëm, për shkak të mënyrës kriminale dhe abuzive që jepen lejet e ndërtimit, jo vetëm në Gjirokastër, por edhe në Tiranë. Në themel të tragjedisë së djeshme qëndron përdorimi abuziv i pushtetit, shtirja e modelit të korrupsionit me lejet e ndërtimit që nga Tirana është transferuar tashmë gjithkund ku qeverisin përfaqësuesit e PS-së", theksoi Olldashi.

Islami: Dakord që Bime të japë dorëheqjen

Partia Socialiste mbështet hetimin e Prokurorisë për ngjarjen tragjike të hetimit. Edhe pse e gjendur në presionin e maxhorancës për dorëheqjen e kryebashkiakut të PS-së, e majta u shpreh edhe pro largimit të Flamur Bimes. Kërkesa erdhi vetëm nga deputeti i PS-së, Kastriot Islami, i cili e lidhi këtë edhe me përgjegjësinë e Kryeministrit Berisha për ngjarjen e Gërdecit. Sipas tij, kjo ngjarje nuk ka lidhje me Gërdecin, pasi është shumë më e rëndë dhe ka në mes afera për shitje të armëve. "Edhe unë jam dakord me kërkesën që Bime të japë dorëheqjen, ai duhet ta bëjë ai edhe në formë morale", theksoi Islami. Ndërsa kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj kërkoi nisjen e hetimeve dhe nxjerrjen e përgjegjësive. "Grupi parlamentar i PS-së kërkon që kjo ngjarje të zbardhet deri në fund, duke vënë përpara përgjegjësisë të gjithë shkaktarët. Ne mbështesim Prokurorinë në punën e saj dhe njëherësh e nxisim atë që hetimet të përfundojnë sa më shpejt të jetë e mundshme. Rasti i djeshëm duhet të vlejë për përmirësime të ardhshme. Duhet një legjislacion që parandalon tragjedi të tilla. Duhen evidentuar të gjitha dobësitë që mund të lënë shkak për abuzivizëm", deklaroi Leskaj. Sipas saj, i gjithë legjislacioni duhet parë në tërësi dhe duhen parandaluar legalizimet e ndërtesave që janë pa kriter.
Leskaj kërkoi projektligje për strukturën e emergjencës civile. Ndërsa nënkryetari i grupit të PS-së, Erjon Braçe, në përgjigje të qëndrimeve të maxhorancës për largimin e Bimes, theksoi se përgjegjësia është individuale. "Në çdo rast, përgjegjësia, veçanërisht ajo penale është individuale, përgjegjësia politike natyrisht mund të jetë edhe më e gjerë se sa kaq. Ne jemi të hapur që hetimet të shkojnë deri në fund dhe duke përfshirë në përgjegjësi individuale penale nga i pari deri tek i fundit. Me këtë çështje nuk mund të bëhet asnjë paralele, as me këtë dhe as me Gërdecin. Nëse e bëjmë këtë, i pari që do të jepte dorëheqjen duhet të ishte Sali Berisha, ku familja e tij është e implikuar", theksoi Braçe. Sipas tij, jo më larg se një kilometër Kuvendit, kryeministri po ndërton një shtesë kati pa leje. Dhe kjo sipas tij është bërë në kohën kur Policia Ndërtimore ka qenë në varësi të Ministrisë së Transportit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›