Tropojë, plagoset polici nga Dragobia, në kërkim 2 vëllezër
TROPOJE - Pas vrasjes së ish-drejtorit të KESH-it të Tropojës, Sadri Metalia, një tjetër ngjarje e rëndë ndodhi me një punonjës policie. Burime të policisë bënë të ditur se Alfred Metalia nga Dragobia, polic objektesh, mbeti i plagosur pasi u rrah barbarisht nga vëllezërit Tahir dhe Asllan Biberaj, përkatësisht 43 dhe 33 vjeç po nga fshati Dragobi. Ata i dëmtuan edhe mjetin e tij privat, duke e bërë thuajse jo funksional. Policia e Tropojës i shpalli në kërkim vëllezërit me akuzën e "dëmtimit të pronës së tjetrit me dashje" dhe të "goditjes së punonjësit të policisë". Nga hetimet e para përjashtohet pista e goditjes për shkak të detyrës. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive banale. "Ndonëse ngjarja ka protagonist një punonjës policie, i cili mban mbiemrin Metalia dhe ka ndodhur në fshatin Dragobi, nuk ka lidhje me ngjarjen e një ditë më parë, kur u vra për hakmarrje ish-drejtori i KESH-it për Tropojën, Sadri Metalia, po nga fshati Dragobi", bënë të ditur burimet policore. Ngjarja e ndodhur mesditën e së dielës, në mes të qytetit të Bajram Currit, riktheu tensionin dhe panikun në Tropojë. Autori i identifikuar i kësaj ngjarjeje, Astrit Breçani, ishte arrestuar më parë për tentativë vrasjeje ndaj Sadri Metalisë, por gjykata e kishte lënë atë në arrest shtëpie.