E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, zbulohen autorët që shkëmbyen zjarr në qytet

 

SHKODER - Katër ditë pas ngjarjes së rëndë, ku në rrugën hyrëse të qytetit pati një shkëmbim zjarri, policia e Shkodrës ka mundur të identifikojë autorët e saj si dhe motivin që i kishte çuar në një veprim të tillë. Në një deklarim zyrtar pohohet se janë shpallur në kërkim Shkëlqim Sterkaj, 28 vjeç nga Malësia e Madhe dhe Nazmi Malaj, 26 vjeç, nga Shkodra. Pas një grindjeje të nisur për shkak të parakalimit me xhirim gomash, dy personat kanë nisur të grinden mes tyre nga makinat, për të nxjerrë më pas armët. Breshëria e armëve ka lënë të plagosur një kalimtar, ndërsa autorët janë larguar me shpejtësi. Gjatë hetimit të kësaj ngjarjeje policia shoqëroi mbi 40 persona, ushtroi kontrolle në mbi 20 banesa, ku mendohet se mund të fshiheshin personat e dyshuar apo ku mund të ishin fshehur armët e përdorura gjatë këtij shkëmbimi zjarri. Edhe pse u bë i mundur identifikimi i autorëve si dhe gjetja e sekuestrimi i 3 automatikëve, 2 pistoletave dhe rreth 120 fishekëve që u gjetën gjatë kontrolleve të banesave të ndryshme në qytetin e Shkodrës, policia nuk arriti dot që të kapë personat e dyshuar për këtë ngjarje, duke i shpallur ata në kërkim.                            r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›