E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skema, fadroma provokoi katastrofën

 

Nga Gjirokastra, Ferdinand Dervishi

Thyerja në formacionin gjeologjik të kodrës, e një pllake prej rëre, të ngurtësuar në shekuj, provokoi tragjedinë e fundit në Gjirokastër. Në vitet 1988 - 1992, specialistët e kohës së diktaturës, të cilët kishin bërë studimin gjeologjik të kodrës, ku do të ndërtohej ky pallat, e kishin vënë re këtë shtresë rreth 50 centimetra të trashë dhe duke e vlerësuar si bazën, apo shtyllën mbajtëse të gjithë kodrës. Duke parë se shtresat e tjera ishin prej shtufi të dobët, nga ai që kur bie në diell, shpërbëhet, të njëjtët specialistë kishin urdhëruar që themelet e pallatit të bëheshin të cekëta, me qëllimin e vetëm që kjo pllakë të mos dëmtohej. Por, të bindur në përparimin e shkencës së metodave të ndërtimit, inxhinierët projektues e zbatues të ndërtimit në rrëzë të kodrës, që shkaktoi tragjedinë, i kishin besuar metodës së pilotave prej betoni. Një teknikë e avancuar për të sajuar parete mbajtëse, duke derdhur beton drejtpërdrejt në disa vrima që hapeshin në tabanin e kodrës, aty ku ishin edhe kufijtë e sipërfaqes ku do të ndërtohej. Por teksa kodra lëvizi duke shkaktuar rrëzimin e gjysmës së pallatit në majë të saj, pilotat e teknologjisë së re u thyen nga pesha si të ishin kruajtëse dhëmbësh. 
Historia e pallatit
të ushqimores
Ndërtimin e pallatit të tragjedisë në Gjirokastër e kishin kërkuar në vitin 1988 punonjësit e ndërmarrjes ushqimore të qytetit, për të plotësuar nevojat e tyre për strehim. Pra ishte marrë si shesh ndërtimi nga ndërmarrja dhe, në ato kohëra të vështira, projekti i hartuar me shpejtësi parashikonte të bënte të lumtura, pra me shtëpi të reja, 15 familje. Por teksa gjithçka kishte shkuar për bukuri, studimi gjeologjik i strukturës së kodrës, që gjendet në rrëzë të rrugës nacionale që shkon për në Kakavijë, apo edhe Sarandë, kishte dalë me probleme. Specialistët nuk ishin dakord për ndërtimin pesëkatësh, duke arsyetuar se struktura e tokës ishte shumë e dobët. Nga ana e saj ndërmarrja kishte këmbëngulur duke i thyer ekspertët e gjeofizikës, të cilët gjithsesi nuk ishin tërhequr pa lënë pas një porosi që duhet të realizohej në mënyrë kategorike: Themelet i bëni të cekëta, pasi nuk duhet të dëmtoni një formacion të fortë, që mban gjithë kodrën dhe që praktikisht mbështetet poshtë, në rrugën nacionale. Kështu edhe ishte bërë. Porosia ishte zbatuar, themelet e pallatit ishin bërë të cekëta, por edhe e gjithë ndërtesa kishte hedhur shtat sipas stilit të vjetër të ndërtimit me llaç e tulla, pra kafazi i saj nuk ishte derdhur në beton. Dhe nëse pas gati 10 vitesh nga ndërtimi, më 2001, nuk do të kishte pasur rrëshqitje të pjesëve të ndryshme të së njëjtës kodër, por jo të zonave që rrezikonin pallatin, një e vërtetë që u filmua edhe nga kamerat e televizioneve, gjithçka do të shkonte për mrekulli deri në orën 11:30 të dy ditëve më parë.
Babëzia dhe projekti i keq
Dy bashkëpronarë, apo më tepër, duke e piketuar si një pozicion ku biznesi i ndërtimit dhe më tej, ai i çeljes së një zone me dyqane e lokale, vendosin që në rrëzë të kodrës të ndërtojnë një pallat modern, nga ata me të cilët na është mësuar syri kohët e fundit. Nuk dihet se si kanë ecur tratativat, por zona në rrëzë të kodrës, aty ku ajo ndan me rrugën automobilistike, u mor si shesh ndërtimi. Duket edhe të gjitha studimet u bënë në rregull, u gjet se kodra është me probleme dhe e rrezikshme, por duket iu besua më shumë se duhet metodave moderne të ndërtimit, apo më saktë këto metoda u keqkonceptuan apo keqzbatuan. Kështu pikërisht në kufirin e kësaj prone të re ku do të ndërtohej, me një pajisje të shtrenjtë u shpuan vrima të cilat u mbushën me beton me qëllim që të shmangnin ndonjë rrëshqitje eventuale të kodrës. Por menjëherë pas këtij procesi shumë të rregullt, makineritë nisën të gërryenin zonën duke shkuar në thellësi deri në rrëzë të këtyre pilotave, të cilat në njërin krah u ekspozuan të plota. "Pikërisht këtu është bërë gabimi fatal, pasi pilotat nuk duhet të pastroheshin totalisht nga njëra anë nga materialet e shtesave të kodrës dhe të dilnin krejtësisht në sipërfaqe", shpjegoi një nga ekspertët e hetimit të çështjes. Sipas të njëjtit, në raste të ngjashme, pilotat duhet të kenë një barrierë të fortë mbështetëse nga pas. "Ky gabim, i pastrimit të pilotave nga njëra anë, duke e zvogëluar në maksimum mundësinë e tyre mbajtëse, është një nga të metat që hetimi ka gjetur deri tani që akuzon drejtpërdrejt edhe projektuesit edhe zbatuesit e ndërtimit", pohoi hetuesi. Por gjithsesi, pilotat e thyera apo të marra zvarrë përpara nga kodra që ishte zhvendosur, për hetimin ishin vetëm një nga shkaqet e tragjedisë. Sipas tyre, një tjetër shkak ka qenë babëzia e ndërtuesve për të shfrytëzuar çdo centimetër tokë të kësaj sipërfaqeje, pa menduar për pasojat.    
Katastrofa
Në fakt katastrofa e ardhur si pasojë e punimeve të papërgjegjshme ishte provokuar nga thyerja e pllakës më të fortë të gjithë formacionit gjeologjik të kodrës. Majtas, në anën që shikon nga qyteti i Gjirokastrës, ditën e katastrofës ishte parë një makineri me çekiç pneumatik të punonte për të hapur një pjesë jashtë brezit të pilotave. "Në taban, pothuaj baras me nivelin e rrugës nacionale dhe pranë saj, çekiçi nisi të thyente pikërisht këtë shtresë të fortë të strukturës së kodrës. Sikur aty të ishte çelësi i shkatërrimit, thyerja e masës prej rëre të ngurtësuar, që nuk e kalonte trashësinë prej gjysmë metri, shkaktoi tragjedinë. Drejtuesi i mjetit të punës që e shkaktoi, pa se kodra nisi të lëvizte në drejtim të tij dhe u zhvendos mbrapsht. Ndërsa punëtorët e tjerë dhanë alarmin", ka thënë një nga dëshmitarët për hetimin. Më tej, kodra ka lëvizur në drejtim të rrugës automobilistike, por jo në sensin nga lart - poshtë, por sikur të kishte nën vete shina. Për rrjedhojë e gjithë sipërfaqja është gremisur, ndërkohë që shumica e pilotave mbajtëse janë flakur tej, pa mundur të bënin asnjë rezistencë. Sipër, në qafë të kodrës, menjëherë pas pallatit, toka ishte hapur duke formuar një kanal rreth 5 metra të gjerë. Pra pallati nisi të zhvendosej në drejtim të rrugës nacionale. Pjesa e kësaj ane u shemb e para, duke zënë përfund nënë e bijë, pasi nga zhvendosja themeli doli në ajër. Po e njëjta gjë ndodhi edhe në ekstremin tjetër të pallatit, në majë të kodrës, ku toka u hap dhe thithi brenda edhe themelet e kësaj pjese, duke shkaktuar vdekjen e një të moshuare. Sipas disa dëshmive, shembja nuk ka qenë e menjëhershme, ajo ka zgjatur mbase 5 minuta, apo diçka më tepër, tentativa për të lajmëruar banorët ka pasur, por gjithsesi tragjedia nuk ishte shmangur. Pas nxjerrjes së tre kufomave, pjesa e mbetur e ndërtesës është vlerësuar si shumë e rrezikshme, pasi duket aq e brishtë, sikur do të rrëzohet nga çasti në çast, qoftë e provokuar nga ulja mbi të e një harabeli.

Tragjedia, nis shpërndarja e ndihmave për të pastrehët

GJIROKASTER - Familjet e dëmtuara nga katastrofa e së dielës kanë kaluar natën e parë si të pastrehë tek të afërmit e tyre e disa në hotel. Banorët ende nuk e kanë marrë veten nga ajo që u ka ndodhur, kur fare papritur gjysma e pallatit ku jetonin prej vitesh u shkëput. Gjatë gjithë ditës së diel, ata kanë falenderuar zotin që u ruajti jetën, që nuk i fundosi dhe ata nën rrënoja si tre viktimat pa fat. Por, dje e kanë ndjerë veten keq kur kanë parë sërish nën dritën e diellit godinën e gjymtuar. Në ndihmë të tyre ka qenë shtabi i eme-rgjencës së bashkisë, i cili u ka garantuar strehimin në konviktin e universitetit ose akomodimin në hotelet e Gjirokastrës. Mësohet se natën e parë vetëm 4 familje kanë zgjedhur të qëndrojnë në hotel, ndërsa pjesa më e madhe e tyre janë shpërndarë nëpër të afërm. Kontributet e para financiare në mbështetje për familjet që kanë humbur shtëpitë e tyre, kanë nisur dje nga ana e Prefekturës së Gjirokastrës dhe Bashkia. Prefekti i Qarkut, Spiro Ksera, gjatë një daljeje për mediat bëri të ditur çeljen e një llogarie bankare për viktimat e tragjedisë së djeshme e familjet e dëmtuara. "Çdo-kush që do të solidarizohet në mbështetje të të dëmtuarve të kësaj fatkeqësie janë të mirëpritur të derdhin kontributet e tyre sado simbolike në numrin e llogarisë", është shprehur Ksera. Ky i fundit i ka bërë thirrje biznesit gjirokastrit, të ndihmojë për grumbullimin e shumave të ndryshme në favor të familjeve që kanë humbur të dashurit dhe pasurinë e tyre. Ndërkohë, pasdite vonë, Bashkia e Gjirokastrës, ka shpërndarë për çdo person të 16 familjeve të dëmtuara nga 20 mijë lekë të rinj. Pothuajse të gjithë anëtarët e familjeve që kanë humbur shtëpinë, janë paraqitur në Bashki për të tërhequr të hollat, të cilat janë siguruar nga kryebashkiaku gjirokastrit, Flamur Bime, prej fondit të emergjencës. Edhe Prefektura e Gjirokastrës ka shpërndarë po dje sasinë e lekëve të premtuara për çdo familje nga prefekti Spiro Ksera. Krahas të hollave që ka shpërndarë bashkia, personave që kanë humbur shtëpitë, u janë shpërndarë në bazë familjesh nga 50 mijë lekë, një shumë kjo emergjente në kushtet e sigurimit të ushqimit të përditshëm.

Ankth për gjetjen e trupave, viktimat zbulohen nën gërmadha

GJIROKASTER - Ankthi ka pushtuar për orë të tëra ditën e djeshme familjarët e tre të humburve nën gërmadha, ndërsa forcat e shpëtimit hiqnin çdo mbetje betoni në kërkim të dy grave e vajzës së mitur. Kërkimet në ditën e dytë nën rrënojat e pallatit të rrëzuar kanë filluar pak orë pasi u zbardh pas largimit të mjegullës, që kishte pushtuar qytetin gjatë orëve të natës. Grupet e shpërthimit ndalën punën në këtë periudhë për të mos rrezikuar jetën e anëtarëve të tij, pasi ishte e pamundur të gërmoje dhe të punoje në rrënoja. Një mjet i rëndë i siguruar nga Prefektura e Gjirokastrës, ka ardhur në ndihmë për të evaduar me kujdes mbetjet në të gjithë hapësirën në dy anët e kundërta të pallatit, duke vijuar me shpejtësi. Kërkimet intensive kanë nxjerrë nga rrënojat rreth orës 08:30 trupin e pajetë të Parashqevi Zotos. Kufoma e gruas 65-vjeçare është gjetur poshtë një masivi betoni në pjesën e sipërme të pallatit. Nxjerrja e trupit të së moshuarës provokoi një varg ulërimash që sollën një situatë drithëruese për të gjithë të pranishmit, shumica e të cilëve nuk kanë dashur të shikojnë skenën e transportimit të trupit në automjet. E ndërsa të gjithë po shuanin shpresat gjithmonë e më tepër për gjetjen e trupave të dy viktimave të ngelura, rreth orës 12:30 minuta skuadra e kërkimit ka gjetur trupin tjetër të pajetë, e cila pas identifikimeve fillestare rezultoi të ishte e gruas 35-vjeçare, Valbona Dalani. Ndërsa vajza 13-vjeçare, Anxhela Dalani, është gjetur rreth orës 15:00 në një zonë disa metra më poshtë rrënojave. Kërkuesit nga Greqia, të cilët kanë punuar me mjete tepër të sofistikuara dhe me mbështetjen e qenit, kanë arritur të lokalizonin vendndodhjen e trupit të pajetë. Trupat e Valbona dhe Anxhela Dalanit i kanë tërhequr familjarët e gruas në lagjen "Blloku i Furrave" në pritje për t'u varrosur mesditën e nesërme në varrezat e qytetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›