E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rrënojat e pallatit më rrëmbyen gruan dhe vajzën”

 

GJIROKASTER / PIRO NASE

Një tragjedi ka shuar jetët e dy anëtarëve të familjes Dalani në Gjirokastër. Nënë e bijë, Valbona dhe Anxhela Dalani, janë gjetur nën gërmadha gjatë mesditës të së hënës, duke shuar çdo shpresë të kryefamiljarit Jeton Dalani, i cili me lot në sy qëndronte i shoqëruar përgjatë gjithë ditës nga të afërmit e tij në pritje të gjetjes së trupave. Ai e ka mjaft të vështirë të flasë, pasi është krejtësisht i shokuar nga ajo çfarë ka përjetuar. 40-vjeçari Dalani ka rrëfyer me vështirësi për gazetën "Panorama" të gjitha ato çfarë ka përjetuar këto dy ditë.
Ku keni qenë në momentin e rrëzimit të pallatit?
Kam qenë disa minuta larg shtëpisë, pasi kisha shkuar në një vend për të punuar se nxjerrim bukën e gojës për të jetuar, por nuk qenka e thënë që të jetojmë. Më mirë të kisha vdekur unë se sa vajza. Përse nuk më mori mua Perëndia, por mori ato të pafajshmet, të cilat nuk i kishin rënë askujt në qafë. Më kanë lajmëruar gjitonët e mi se ra pallati dhe menjëherë më ra si bombë sikur të më kishte çarë kokën. Nuk arrij dot të shpjegoj se si jam ndjerë në momentin kur jam afruar në pallat dhe në momentin kur pashë pjesën e pallatit që ishte rrëzuar në krahun ku ndodhej apartamenti im. Rashë menjëherë përtokë dhe fillova të ulërija. O Zot, çfarë qe kjo bombë që na ra neve të këputurve.
Kur jeni larguar në mëngjes nga shtëpia?
Qysh në mëngjes, pasi kisha lënë përgjysmë një punë të mbartur nga dje dhe thashë të shkoja të punoja për ta mbaruar. Kur jam larguar kam lënë në shtëpi gruan time Valbonën, vajzën Anxhelën si dhe djalin tim 7-vjeçar, Ergestin. Si gjithmonë kur largohem nga shtëpia i puth familjarët e mi, ashtu siç bën çdo prind kur largohet në punë në mëngjes. Vajza nuk ishte zgjuar së bashku me djalin dhe i putha në gjumë. Më ngeli merak që nuk e pashë zgjuar vajzën ta kisha puthur për të fundit herë. Mbase kush e di do ta takoj ndonjëherë në parajsë, dashtë Zoti. Ndërsa gruan time që e doja po aq sa dhe dy fëmijët e mi, e përqafova dhe i thashë se do të kthehem shpejt në shtëpi.
Kur keni ardhur si e morët vesh se familja ishte nën rrënoja?
Më thanë komshinjtë dhe njerëzit e tjerë se kishte në brendësi të pallatit disa banorë, por u binda se ishin brenda, se e dija që nuk do të dilnin, pasi bënin punët e shtëpisë, pra gruaja gatuante së bashku me vajzën, e cila e ndihmonte të ëmën. Djali im 7-vjeçar Ergesti ka shpëtuar mrekullisht si pasojë e presionit të ajrit, të cilin e nxori nga shtëpia gjatë momentit të rënies së godinës. Të paktën kështu më thanë njerëzit që ishin këtu. Ndërsa vajza ime e ndihmonte të ëmën për punët. Isha krenar për të, pasi ishte një nxënëse e shkëlqyer në shkollë me të gjitha notat 10.
Me çfarë pune merresh?
Unë në fakt punoj pllakashtrues, duke mos qenë në ndonjë punë shtetërore, por thjesht kur gjej ndonjë punë private. Fitoj aq sa për të jetuar me familjen, ndërkohë që gruaja ishte e papunë, kështu që vetëm unë e mbaja shtëpinë me bukë. Nuk kisha mundësi të rregulloja gruan në ndonjë punë, kështu që kisha marrë përsipër si çdo burrë në Shqipëri të nxirrte bukën e gojës edhe nga dheu. Të ardhurat e pakta që siguronim arrinim t'i ekonomisnim së bashku me gruan për të blerë ato që na nevojiteshin për familjen apo dhe për fëmijët. Jam munduar të mos u mungojnë gjërat më elementare të gjithë pjesëtarëve të familjes.
Në cilin kat banonit dhe kur keni hyrë për herë të parë në shtëpi?
Banoja në katin e tretë, por më parë kisha banuar në katin e pestë. Them më parë, pasi banoja me qira në apartamentin e një personi që ishte emigrant në Greqi në katin e pestë. Dy vjet më parë, pasi mblodha dy lekë dhe pasi më ndihmuan edhe njerëzit e mi e të nuses sime, si dhe me borxhe të marra, të cilat janë më tepër se ndihma e dhënë, bleva shtëpinë dy kate më poshtë në një apartament të mirë. Kështu që arrita të plotësoja ëndrrën time, të fëmijëve të mi dhe të gruas, të kishim një shtëpi tonën, ku mos të mendonim më që në fundin e muajit do të derdhnim qiranë tek pronari i banesës. Pra ishim mirë dhe nuk kërkonim gjë tjetër nga jeta.
Kishit konstatuar çarje të mureve në apartamentin ku banonit?
Po, dhe kjo ka qenë arsyeja që ne mjaft herë që kur filluan punimet aty poshtë, kemi apeluar tek Bashkia e Gjirokastrës për të parë nga afër këtë problem, por me sa duket ata nuk donin t'ia dinin fare. Madje, kemi kontaktuar me kryetarin e Bashkisë, i kemi shkuar në zyrë për këtë problem dhe ç'është e vërteta ai ka dërguar specialistët për të parë ecurinë e punimeve aty nga afër, për më tutje nuk dimë gjë.
A i keni drejtuar zyrtarisht Bashkisë së Gjirokastrës apo dhe organeve të drejtësisë ndonjë ankesë. Flitet se keni përcjellë një fletë ankese të firmosur nga të gjithë banorët e pallatit.
Me sa di unë nuk ekziston ndonjë ankesë e firmosur në letër, por thjesht ankesat kanë qenë në natyrën e fjalëve dhe nuk u arrit kurrë të nënshkruhej ndonjë peticion apo ndonjë shkresë tjetër. Megjithëse krisjet ishin vërejtur jo vetëm në banesën time, por në të gjithë pallatin, kurrkujt nuk i shkonte realisht mendja se do të shembej ndonjë ditë ai. Një ditë pashë krejt rastësisht një kanal të çarë në të hyrë të pallatit në zonën e betontë dhe kjo më shtyu më tepër që të shkoja dhe të kontaktonim së bashku me autoritetet bashkiake. Madje, edhe nga pas pallatit fëmijët që luanin përreth kishin parë disa gropa, por nuk i kishin vënë rëndësi.
Çfarë do të kërkoje nga shteti në këto momente?
Në radhë të parë do të kërkoja ndëshkimin e autorëve të tragjedisë sime familjare, të cilët më kanë marrë gjënë më të shtrenjtë që kisha në botë. Pastaj Zoti i di vetë se çfarë do të bëjë. Edhe shtëpinë që e kisha blerë me borxhe, m'u shemb, shteti ashtu si dhe gjithë të tjerët duhet të na siguronte të jetonim të qetë dhe jo të na vriste siç na vrau.

“Parashqevia vuante nga nervi shiatik”

GJIROKASTER - Parash-qevi Zoto, gruaja 65-vjeçare e cila jetonte e vetme në pallatin që u shemb, ka qenë një prej njerëzve më të respektuar të lagjes. Këtë e pohojnë vetë banorët të cilët kanë përjetuar momente të dhimbshme gjatë transportimit të trupit të saj drejt morgut të spitalit. "Ka qenë një plakë e zonja dhe mjaft e mirë në marrëdhëniet me njerëzit", shprehet një prej banorëve aty pranë. Ndërsa Nazmiu shitësi i dyqanit të ushqimeve në lagje, pranon se Parashqevi Zoto, mjaft herë i kishte përcjellë shqetësimet tek vetë ai gjatë pazarit që kryente në ditë të ndryshme të javës. "Madje një herë - shprehet shitësi, - më tha se dua të largohem nga shtëpia se kam një parandjenjë se do të ndodhë diçka pasi kishte ndjerë disa tronditje. Kur mora vesh se ajo ishte e zënë nga betoni, kam qarë sepse e trajtoja njësoj si nënën time". Ndërsa një tjetër banore e një pallati aty pranë, rrëfen se Parashqevia ishte pak e dalë nëpër lagje sepse kohën më të madhe qëndronte në shtëpi pasi sipas saj ajo vuante nga nervi shiatik dhe nuk ecte lirshëm. "Gjithçka ka ndodhur sa hap e mbyll sytë. Nuk e besuam se do të rrëzohej pallati por më keq na erdhi me njerëzit që i zuri brenda", thotë një tjetër. Pothuajse të gjitha gratë kanë qarë në rresht gjatë momentit të zbulimit të Parashqevi Zotos nga gërmadhat. E bija e saj ka qenë mjaft e shokuar saqë i ka rënë dy herë të fikët, ndërsa ekipet e kërkimin vazhdonin punën nën rrënoja. "Vdekjen ta kishte nga Perëndia dhe jo nga të tjerët" është shprehur e përlotur vajza e viktimës 65-vjeçare. Trupi i saj u gjet i pari gjatë kërkimeve nën gërmadhat e pallatit, ndërsa më vonë dhe ato të dy fqinjeve të saj të reja.                   p.n

Arrestohen 3 zyrtarë të bashkisë

GJIROKASTER / PIRO NASE

Nëntë persona do të përballen me drejtësinë për tragjedinë e ndodhur në lagjen "11 Janari". Brenda 12 orësh, Policia e Gjirokastrës ka vepruar duke arrestuar personat që dyshohen të jenë përgjegjës për shembjen e pallatit, me pasojë vdekjen e 3 banorëve. Shefi i Urbanistikës në Bashkinë e Gjirokastrës, sekretarja e KRRT-së të Bashkisë si dhe përgjegjësi i Inspektoratit të Ndërtimit janë ndaluar duke shënuar një evoluim të hetimeve rreth çështjes në fjalë, deri në postet drejtuese të organeve të lejeve të ndërtimit në qeverisjen lokale. Ata akuzohen për shpërdorim detyre, ndërsa me ta janë arrestuar dhe gjashtë pjesëtarët e firmës së ndërtimit "Arti Ndërtim" shpk, me akuzën e "shkeljes së rregullave në punë". Alfred Mamani shef i zyrës urbanistike, Afërdita Papamihali, sekretare e KRRT dhe Admir Shehaj përgjegjës i Inspektoriatit të Ndërtimit, janë përfaqësuesit e Bashkisë së Gjirokastrës mbi të cilët ka rënë direkt përgjegjësia e certifikimit të lejes së ndërtimit, për objektin që provokoi rënien e pallatit pesëkatësh. Ndërsa arrestimi i presidentit të firmës ndërtuese Sotiraq Janora 43 vjeç, inxhinierit të firmës, Luan Bufi 58 vjeç, arkitektit të firmës, Njazi Cobani 45 vjeç, eskavatoristit që merrej me gërmimet, Jani Ndrico nga Derviciani, ka ardhur menjëherë pas deponimit të tyre në polici. Policia ka arrestuar në momentet e fundit para se të largohej drejt Greqisë mesditën e djeshme edhe inxhinierin tjetër të firmës ndërtuese Gjergji Meçi, i cili ishte shpallur në kërkim nga ana e policisë së bashku me pronarin tjetër të firmës së ndërtimit "Arti Ndërtim" shpk Aristotel Haxhiaj. Meçi, pohojnë burimet policore, është kapur në orën 12:30 në afërsi të vijës së gjelbër, në tentativë për t'u arratisur drejt shtetit fqinj. Ndërkohë që ngelet pa u arrestuar pronari tjetër i firmës Haxhiaj, i cili dyshohet se është larguar në Greqi pak minuta pasi ndodhi tragjedia. Të gjithë të arrestuarit së bashku me gjeologun Thanas Llahana 58 vjeç, janë të akuzuar nga për veprën penale të shkeljes së rregullave në punë. Burimet policore kanë bërë të ditur se si pasojë e veprimeve të para hetimore, rezultoi se shembja e pjesshme e pallatit pesëkatësh, ka ardhur si shkak i punimeve për ndërtimin e një pallati 8-katësh nga shoqëria e ndërtimit "Arti Ndërtim" shpk. Policia nga ana e saj është shprehur se ka sekuestruar dokumentacionin e subjektit për pallatin në ndërtim, si dhe janë marrë dokumentet pranë Degës së Tatimeve dhe Qendrës së Regjistrimit të Biznesit pranë Bashkisë së Gjirokastrës. Po dje u bllokuan me urdhër të prokurorisë të gjitha llogaritë bankare të pronarëve të firmës si dhe është kërkuar sekuestro për pronat e tyre patundshme.

Mjekët: Vajza u asfiksua

"Mungesa e ajrit në xhepin e betontë të krijuar nga rënia e pallatit, ka qenë faktori kryesor i vdekjes së fëmijës". Kështu u shprehën dje specialistët e kërkimit, të cilët nxorën trupin e pajetë të 13-vjeçares Anxhela Dalani. Ky fakt u konfirmua dhe nga ekspertët mjeko-ligjorë në spitalin e Gjirokastrës. Sipas tyre, e mitura humbi jetën nga asfiksia, pasi në trup nuk kishte asnjë plagë. Ndërsa dy gratë, e ëma e saj 35-vjeçare, Valbona dhe fqinja 65-vjeçare, Parashqevi Zoto kishin pësuar dëmtime të shumta në trup. Ekspertët sqaruan se dy viktimat kanë pasur hemorragji të madhe, si pasojë e shtresave të mëdha të betonit që u ranë sipër nga shembja e pjesës së pallatit ku jetonin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›