E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulmohet me armë makina

 

BURREL - Një makinë u sulmua me armë zjarri mbrëmjen e të dielës në afërsi të qytetit të Burrelit. Megjithëse lajmi nuk është bërë publik nga policia, mësohet se rreth orës 20:30 të së dielës një mjet tip "Benz" me targa të Tiranës, teksa udhëtonte nga Miloti në drejtim të Burrelit, në vendin e quajtur Kangazhd është sulmuar me armë zjarri. Drejtuesi, banor i kryeqytetit, ka shpëtuar për mrekulli, ndërkohë që disa plumba kanë përshkuar mjetin. Sapo policia lokale është informuar për sulmin e papritur, ka dërguar në vendin e ngjarjes forca të grupit të gatshëm, të cilat nuk kanë pasur asnjë mundësi të kapin autorët që guxuan të dalin në rrugën nacionale dhe të qëllojnë me armë mbi mjetet që lëvizin në këtë magjistral. Autorët e paidentifikuar të ngjarjes kanë shfrytëzuar errësirën e natës dhe terrenin e thyer e me pyje dhe janë larguar shpejt nga vendi i krimit. "Sapo shoferi ka parë grykat e armëve ia ka mbathur me shpejtësi duke rrezikuar jetën. Disa plumba kanë përshkuar mjetin, por jo drejtuesin e tij", thanë burime të rezervuara të policisë së Matit. Në vendin e ngjarjes është gjetur një maskë, e cila mendohet se u përkiste personave që qëlluan me armë. Nuk dihet nëse sulmi ishte për qëllime grabitjeje apo për çështje personale me shoferin.                                                                 h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›