Incidenti me Zaraten, tifozët kundër Igli Tares
Jetmir Halilaj
Tifozët e Lacios nuk e kanë pritur mirë incidentin që ndodhi të dielën në mbrëmje mes drejtorit sportiv, Igli Tare dhe sulmuesit argjentinas, Mauro Zarate. Lojtari replikoi ashpër me trajnerin e tij, Delio Rosi dhe Tare u përpoq ta qetësonte, por më pas situata precipitoi në një debat të ashpër, madje edhe në prekje me duar. Në forumet e tifozëve në uebsajte të ndryshme sportive, ultrasit bardhekaltër kanë kritikuar shpërthimin e lojtarit, por ndërkohë nuk janë pajtuar as me sjelljen e shqiptarit. Një pjesë e tyre ishin pro ndëshkimit të argjentinasit për figurën e keqe që bëri pas zëvendësimit me Foxhan në minutën e 77-të, por shumë ultras të Lacios kanë kritikuar edhe shqiptarin, madje një pjesë e mirë e tyre kanë kërkuar që ai të largohet fare nga Lacio. “Zarate ishte i vetmi që tërhiqte skuadrën para, me të drejtë u ankua. Po Tare, me ç’të drejtë bën të tilla gjeste para publikut?”, shkruante një ultras i Lacios në uebsajtin “L’angolo del tifoso”.
Media
Ndërkaq, sipas të përditshmes italiane “La Gazzetta dello Sport”, zëvendësimin e Zarates dhe reagimin e Igli Tares nuk e ka pritur mirë as presidenti i klubit, Klaudio Lotito. Në median italiane është trajtuar me shumë bujë incidenti i ndodhur në “Olimpiko”, madje në disa gazeta, thuhej se Tare e kishte gjuajtur me shuplakë Zaraten. Nga pamjet televizive dhe nga fotot e publikuara në internet, dukej që kishte pasur një debat shumë të ashpër mes ish-kapitenit të Shqipërisë dhe bomberit argjentinas, por Tare ndonëse e ka prekur me duar, nuk e ka goditur me shuplakë futbollistin. Presidenti i klubit, Lotito, ka heshtur për këtë incident dhe kjo është interpretuar në median e vendit fqinj si një sinjal i qartë se nuk do të ketë asnjë ndëshkim për Zaraten.