E Diel, 1 Nëntor 2026

Forcat izraelite tërhiqen nga Rripi i Gazës

 

Forcat izraelite kanë filluar tërheqjen nga Rripi i Gazës pas tri javësh ofensive kundër lëvizjes islamike Hamas. Izraeli shpalli armëpushimin e njëanshëm, ndërkaq Hamasi tha se do ndalojë sulmet për 1 javë, në mënyrë që t’i lejojë trupave izraelite të tërhiqen nga Gaza. Izraeli tha se i ka arritur objektivat për t’i dobësuar mundësitë e Hamasit që të sulmojë Izraelin, ndërsa Hamas deklaroi”fitoren e madhe”. Udhëheqësi i Hamasit Musa Abu Marzuk tha sot se gjatë kësaj jave, grupet e armatosura palestineze do të respektojnë armëpushimin. Armëpushimi nisi dje, pas deklaratës së Izraelit, por dhuna vazhdoi edhe pas këtij njoftimi. Militantë palestinezë në Gazë të paktën 3 raketa kundër Izraelit, ndërsa avionë luftarake izraelitë goditën raketahedhësit e Hamasit. Kryeministri i Izraelit, Ehud Olmert, e quajti armëpushimin në Gazë delikat dhe tha se Izraeli nuk do të hezitojë të kundërpërgjigjet nëse Hamasi vazhdon sulmet. Ai po kështu u tha gazetarëve se armëpushimi po vëzhgohet minutë pas minute. Në një samit për Gazën në Sharm el Sheik të Egjiptit, udhëheqësit e Britanisë dhe Francës kanë bërë thirrje për tërheqjen e menjëhershme të forcave izraelite nga Rripi i Gazës dhe ndalimin e sulmeve me raketave mbi territorin izraelit nga ana e militantëve palestinezë. “Që të jetë i qëndrueshëm, ky armëpushim brishtë duhet të pasohet menjëherë nga hapa për të lejuar misionet humanitare, nga tërheqja e trupave, nga hapat për t’i dhënë fund trafikimit të armëve, nga hapja e pikëkalimeve kufitare, nga ndalimi i sulmeve me raketa dhe, me shpresë, nga fillimi i negociatave serioze që do të çojnë në një zgjidhje përfundimtare”, tha kryeministri britanik Gordon Braun.
Në Rripin e Gazës ka filluar pastrimi i rrugëve nga rrënojat e ndërtesave të shkatërruara, derisa kostoja e dëmeve nga sulmet tre javore llogaritet në 1.9 miliardë dollarë.
Konflikti më i fundit në Rripin e Gazës ka marrë jetën e 1300 palestinezëve, ku më shumë se gjysma janë civilë. Hamasi tha se i janë vrarë vetëm 48 luftëtarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›