Linja elektrike mes Shqipërisë dhe Malit të Zi rrezikon fshatin
Problemet me linjat e tensionit të lartë mes Shqipërisë dhe Malit të Zi kanë krijuar probleme serioze në zonë e Bajzës, duke i marrë jetën një elektricisti dhe duke krijuar panik te banorët. Dhjetëra familje po flenë jashtë nga frika e flakëve që mund të shkaktojnë luhatjet e tensionit. Prej tre ditësh, në Cutaj të Komunës Bajzë, banorët po flenë jashtë shtëpive pasi linjat që transmetojnë energjinë elektrike për në Mal të Zi japin një masë të fuqishme elektrike që depërton në shtëpitë e tyre. Shkëndijat elektrike kanë djegur pemët pranë shtëpive dhe kanë rrezikuar të ndezin në flakë shtëpitë. Për të zgjidhur këtë problem serioz, elektricisti Pjerin Harusha 54 vjeç ka shkuar disa herë në zonë por gjatë inspektimit të linjës, pak kilometra larg fshatit, ai ka gjetur vdekjen për shkak të rënies në tension. Një nga banorët e kësaj zone, Dorjan Cutaj thotë se "ka tre ditë që në orët e mesditës kur dhe temperatura është e lartë, telat e tensionit të lartë, duke bërë kontakt me pemët krijojnë një rrymë tepër të fuqishme. Zhumra që krijohet ngjason me zhurmë e një avioni që kalon pranë shtëpive, ndërkohë që flakët futen në çdo banesë në momentin që ndodh masa. Gjatë ditës ndodh tre herë, por ne nuk ia kemi besën dhe kemi dalë jashtë e nuk mund të qëndrojmë brenda. Kemi frikë se mos digjemi pasi flakët e rrymës elektrike kanë nxirë muret e brendshme të shtëpive. Kjo situatë as nuk është parë dhe as nuk është dëgjuar më parë. Nuk dimë se çfarë të bëjmë. Ne jemi rreth 15 shtëpi që të gjithë flemë jashtë. Na vjen shumë keq për bashkëfshatarin tonë, Pjerinin, i cili 10 min para se të vdiste ishte pranë nesh dhe na tha "o gjallë o vdek, deri nesër do bëj të pamundurën të riparoj defektin". Policia ka nisur hetimet për vdekjen e elektricistit, por askush nuk është interesuar për fenomenin që po ndodh me linjën elektrike.