E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i INTERPOL, Shqipëria vendi i parë në Europë për ekstradimet

Sekretari i Përgjithshëm i Interpolit me qendër në Lion të Francës ka deklaruar se Shqipëria renditet në vendet e para të botës për kërkesat e saj për arrestime të personave të kërkuar nga drejtësia. Roland Noble deklaroi kështu në një konferencë për shtyp me kreun e policisë shqiptare, gjatë një vizite zyrtare në vendin tonë. Ai tha mbi të gjitha se edhe pse puna e policisë është e mirë dhe se ka gjithmonë të dhëna për vendndodhjen e kriminelëve, duke arritur arrestimet, ekstradimet e tyre kanë procese vërtet të ngadalta, duke ia lënë përgjegjësinë drejtësisë shqiptare.

Ahmet Prençi
Ditën e djeshme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, priti në një takim sekretarin e Përgjithshëm të INTERPOL-it, Ronald Noble. Kreu i policisë falënderoi zotin Noble që pranoi të vizitojë Policinë e Shtetit dhe e njohu atë për rritjen e kapaciteteve të zyrës së Interpol-Tiranës, arritjet nga viti në vit, ku vetëm vitin e kaluar është pesëfishuar numri i personave të shpallur në kërkim dhe të ekstraduar. "Gjatë takimit me sekretarin e Përgjithshëm të INTERPOL-it, e informova atë mbi procedurat e zyrës së Interpolit, të përmirësuara ndjeshëm në vitet e fundit, si dhe mbi rritjen e teknologjisë në pikat e kalimit kufitar për kontrollin e personave që hyjnë e dalin në Shqipëri", deklaroi Prençi në konferencë për shtyp. Gjithashtu, Prençi e njohu Noble me lidhjet që janë me Ministrinë e Transporteve për targimin e makinave, ku nga ana e Interpolit verifikohet nëse ato janë apo jo të trafikuara. "Deri tani bashkëpunimi i Policisë së Shtetit me Interpolin ka qenë i shkëlqyer. Në muajin e ardhshëm, bashkëpunimi do të rritet dhe ne do të tregojmë seriozitetin e duhur dhe angazhimin maksimal në bashkëpunimin dypalësh", pohoi Prençi.

Ronald Noble
Nga ana e tij, sekretari i Përgjithshëm i Interpolit, Ronald Noble deklaroi se ka pasur arsye specifike për të vizituar Shqipërinë, për të vizituar zyrat qendrore të Policisë së Shtetit, të cilat krahasuar me vitet e shkuara kanë bërë një punë mjaft të mirë. Sipas Noble, rritja e listës së personave të kërkuar nga Interpol-Tirana është diçka shumë pozitive. "Jam këtu për të rekomanduar që Drejtoria e Policisë së Shtetit duhet të bashkëpunojë më shumë me Drejtorinë e Transporteve. Gjithashtu, Policia e Shtetit duhet të caktojë një person ndërlidhës në zyrat e Interpolit në Lion, për të cilën Kryeministri dhe ministri i Brendshëm kanë dhënë miratim", deklaroi Noble. Më tej, ai u shpreh se Shqipëria ka histori të mirë për t‘u treguar të tjerëve se rezultatet kundër krimit të organizuar në vitet e fundit janë të jashtëzakonshme dhe çdo i huaj që viziton Shqipërinë ka shansin të njohë Shqipërinë e vërtetë. "Mund të jeni një demokraci e re, tepër agresive dhe me ndryshime tepër të shpejta dhe si sekretar i përgjithshëm, siguroj se do të përhap sa më shpejt imazhin e vërtetë të Shqipërisë", u shpreh Noble. Në fjalën e tij, sekretari i Përgjithshëm i Interpolit pohoi se Policia e Shtetit ka standarde shumë të larta dhe mekanizmat e funksionimit të Pikave të Kalimit Kufitar, të integruar me rrjetin ndërkombëtar. Në lidhje me personat e shpallur në kërkim ndërkombëtar, Noble deklaroi se zyra e Interpol-Tiranës është ndër vendet me nivel botëror më të lartë, lidhur me kërkesat për personat në kërkim, ku një pjesë e mirë e të cilëve janë arrestuar. Sipas Noble, Shqipëria në vitin 2011, duhet të bëhet vendi organizator i Konferencës Ndërkombëtare të Interpolit.

Takimi

Nishani i premton Nobles
kapacitete për bashkëpunim

Sekretari i Përgjithshëm i Interpol ka takuar edhe ministrin e Brendshëm, i cili i ka dhënë fjalën se do të caktojë një oficer kontakti në Lion, ku ndodhet qendra e kësaj organizate ndërkombëtare për luftën kundër krimit. Ministri Bujar Nishani priti në një takim Ronald Noble, të cilit i shprehu falënderimet në emër të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit për bashkëpunimin, përvojën dhe ndihmën shumë të çmuar të ofruar nga Interpoli për strukturat policore shqiptare. Ministri i Brendshëm evidentoi në këtë takim se është dashur një punë dhe një vullnet i jashtëzakonshëm për arritjet në luftën kundër kriminalitetit dhe goditjen e grupeve kriminale që vepronin në Shqipëri, të cilat kishin mbështetje deri edhe prej individëve nga fusha e politikës apo strukturat policore. "Ne do të vëmë në dispozicion të gjitha kapacitetet dhe aftësitë tona dhe çdolloj bashkëpunimi që do të nevojitet nga agjencia juaj", deklaroi ministri i Brendshëm, Bujar Nishani. Noble shprehu në takim vlerësimet maksimale për punën e kryer nga strukturat policore shqiptare, të cilat në një kohë shumë të shkurtër kanë arritur rezultate të shkëlqyera. Sekretari Noble deklaroi gjithashtu se edhe bashkëpunimi i deritanishëm ka njohur nivele shumë të mira si në shkëmbimin e informacioneve dhe shkëmbimin e përvojës, ashtu edhe në operacionet e përbashkëta të strukturave policore shqiptare dhe atyre të Interpolit. Sekretari i Përgjithshëm vlerësoi si mjaft të rëndësishme praninë e oficerit të kontaktit të Shqipërisë pranë agjencisë në Lion, Francë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›