Babë e bir në pranga, plagosën me thikë 29-vjeçarin
ELBASAN – Më në fund babë e bir kanë përfunduar në pranga pasi kanë plagosur një 29-vjeçar pas një grindjeje për motive të dobëta. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se “55-vjeçari Foti Llalla, banues në lagjen ‘Syrja Dylgjeri’ (Elbasan), u arrestua pak minuta pas plagosjes me thikë të shtetasit Përparim Alla, 29 vjeç, nga qyteti i Librazhdit”. Të njëjtat burime thanë se djali i 55-vjeçarit, Elton Llalla, bashkëpunëtor në këtë krim, u arrestua rreth orës 12:30 të ditës së shtunë. Ngjarja për të cilën akuzohen babë e bir ndodhi rreth orës 02:00 duke u gdhirë dita e djeshme, pranë stadiumit ‘Ruzhdi Bizhuta’ në qytetin e Elbasanit. Burime në grupin hetimor bëjnë të ditur se shkak mund të ketë qenë që 29-vjeçari nga Librazhdi të ketë ngacmuar vajzën e 55-vjeçarit. Duket se kjo ka qenë arsyeja e vendosjes në pritë dhe plagosjes së tij nga Foti Llalla dhe djali i tij, të cilët tashmë do të përballen me akuzën e “vrasjes së mbetur në tentativë”. Hetimet i kanë kaluar institucionit të prokurorisë.
25 Shkurt 2008