I jep fund jetës i moshuari, hidhet nga Hidrocentrali i Bistricës
DELVINË – Në kushtet e depresionit të shkaktuar nga vetmia dhe varfëria e thellë, një 75-vjeçar nga fshati Bistricë, rreth 20 km larg qytetit të Delvinës, i ka dhënë fund jetës së tij në orët e para të mëngjesit të ditës së shtunë, duke u hedhur në rrjedhën e ujit të Hidrocentralit të Bistricës. Burime zyrtare nga Komisariati i Delvinës thanë se Petro Zotaj ka zgjedhur si mjet vdekjeprurës Hidrocentralin e Bistricës, duke u hedhur nga një lartësi mbi 10 metra dhe më pas rryma e fortë e ujit të Bistricës e ka rrëmbyer duke i marrë jetën. “75-vjeçari është hedhur me vetëdije dhe në prani të punonjësit të policisë private, i cili ruan objektin e hidrocentralit. Trupi i tij është gjetur në orën 14:00 të ditës së shtunë, rreth 300 metra larg vendit të ngjarjes”, - tha një zyrtar i lartë i policisë lokale, duke nënvizuar se “tashmë ekspertët e kriminalistikës po hetojnë shkaqet e vetëflijimit.” Sipas tij, në vendngjarje ekspertët e kriminalistikës kanë grumbulluar si provë materiale një bastun, një palë këpucë, si dhe një xhaketë. Ky është rasti i parë i vetëvrasjes që regjistrohet për këtë vit në rrethin e Delvinës.
25 Shkurt 2008