Shënjestra e gabuar në gjueti, vritet 22-vjeçari
LIBRAZHD – Teksa gjuanin në mal kafshë të egra, një plumb i adresuar gabimisht ka marrë jetën e njërit prej tre të rinjve. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Neshte të Rrethit të Librazhdit. Sipas të dhënave zyrtare, shtetasi Teki Albrahimi është qëlluar nga një plumb çifteje, i cili më pas i ka marrë jetën. Megjithë ndihmën e dhënë prej shokëve, ai nuk ka arritur të shkojë i gjallë deri në Spitalin e Librazhdit. Në vendngjarje ka mbërritur menjëherë policia, e cila ka marrë në pyetje dy të rinjtë në lidhje me këtë krim. Burimet policore bëjnë të ditur se të rinjtë kishin dalë për gjah me armë që nuk kishin leje nga organet përkatëse. Ndërkohë, forcat e Komisariatit të Policisë së Librazhdit kanë prangosur shtetasit Bilal dhe Skënder Alcani, të cilët akuzohen për vrasjen aksidentale të shokut të tyre. Ndaj tyre rëndon edhe akuza e armëmbajtjes pa leje. Një ngjarje e tillë e rëndë ka ndodhur në fundin e vitit 2006, ku pesë të rinj nga rrethi i Kukësit, teksa gjuanin derra të egër në mes të dëborës, janë pozicionuar përballë njëri-tjetrit në errësirë dhe gjuajtjet me kallash u morën jetën dy prej tyre.
a
25 Shkurt 2008