E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bahrein protestat jo problem per F1

Skuadrat dhe pilotët e Formula 1 mund të përqendrohen vetëm te gara e kësaj fundjave në Bahrein dhe të mos shqetësohen për sigurinë e tyre. Kjo është garancia që jep kreu i cirkuitit, Zajed Al Zajani, që theksoi se vendimi për ta zhvilluar Çmimin e Madh nuk do të krijojë rrezik për askënd. Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit, FIA dhe skuadra e Formula 1 vendosën që të garojnë në Bahrein, pavarësisht frikës që ekziston në vend prej protestave anti-qeveritare.

Skenat e dhunës nuk ka munguar, me bomba molotov të hedhura nga protestuesit gjatë përplasjeve me forcat e policisë, ndërsa protestuesit kanë kërkuar edhe anulimin e garës, e cila është edhe ngjarja më e madhe sportive në arqipelagun e përbërë nga 33 ishuj. Por, sipas Al Zajanit, protestat nuk përbëjnë problem.

“Nëse jeni vërtetë të shqetësuar për të drejtat e njeriut, atëherë udhëtoni drejt Sirisë, që është vetëm një orë e gjysmë larg Bahreinit dhe më pas kthehuni për darkë. Shikoni realitetin atje dhe askush nuk duhet të shqetësohet për disa qindra apo mijëra njerëz që protestojnë dhe më pas shkojnë të qetë në shtëpi”, tha ai.

Gara e vitit të kaluar, e planifikuar në shkurt nuk u zhvillua, ndërsa për takimin e Botërorit 2012 nuk kanë munguar polemikat dhe refuzimet. Disa emitentë televizivë nuk kanë pranuar të marrin pjesë në garën e këtij viti, ndërsa një pjesëtare e skuadrës Uilliams u largua nga ekipi, pasi refuzoi të udhëtonte drejt Bahreinit.

Skuadrat kanë mbërritur në Bahrein, ndërsa një pjesë e pilotëve kanë zgjedhur të pushojnë në Dubai apo Abu Dhabi. Ndërkohë, drejtuesit e Formula 1 ndodhen prej disa ditësh në kryeqytetin Manama, ndërsa i pranishëm në garë do të jetë edhe bosi i këtij sporti, Berni Ekleston.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›