E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bastet dyshime per Napoli-Inter

Skandali i basteve në Itali vazhdon të zgjerohet dhe në listën e ndeshjeve të dyshuara si të trukuara është edhe Napoli-Inter, e vlefshme për sezonin e kaluar. Takimi, i vlefshëm për javën e parafundit të kampionatit, është luajtur më 15 maj 2011 në “San Paolo” dhe përfundoi në barazim 1-1.

Me pikën e marrë, napolitanët siguruan matematikisht kualifikimin në Champions League, ndërsa ky rezultat nuk e dëmtonte as Interin, që kishte humbur shanset për titullin në Serinë A.

Dyshimet e Prokurorisë së Napolit bazohen në përgjimet telefonike të ish-sulmuesit të Kievos, Kosato, që duke folur për Napoli-Inter ka përdorur shprehjen “nëntë ose 11 bukuroshe”, fjalë të koduara, sipas të cilave tregohej numri i lojtarëve të përfshirë në trukimin e rezultatit të ndeshjes, por edhe për “dhoma me 5 apo dhjetë yje”, duke iu referuar shifrave 5 ose 10 mijë euro.

Në fakt, ajo sfidë ishte mjaft e çuditshme, me Interin që kaloi në avantazh me golin e Samuel Eto, ndërsa dyshimet lidhen me golin e barazimit të Zunigës për Napolin. Mbrojtja zikaltër dukej e palëvizshme, pavarësisht se topit kaloi në qendër të zonës.

Prokurorët e Napolit kanë marrë në shqyrtim pamjet e ndeshjes, ku spikasin edhe lëvizjet e shqetësuara të ish-portierit të Napolit, Xhanelo, i cili ka folur edhe gjatë gjithë kohës në telefon. Gjithsesi, për momentin gjithçka mbetet në kuadrin e dyshimeve: prokuroria vazhdon të marrë në pyetje lojtarët e Napolit, mes të cilëve edhe kapitenin Paolo Kanavaro, Gravën dhe Maskarën.

Hetuesit po i kushtojnë vëmendje edhe takimit Leçe-Napoli 2-1 të sezonit të kaluar, humbje që zemëroi presidentin De Laurentis, por edhe Kavanin, për paraqitjen e skuadrës napolitane.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›