Gjykata Arrest me burg per Fatos Goxhajn

Gjykata e Tiranës ka lënë në fuqi arrestin me burg për shefin e krimeve të komisariatit numër 1 të kryeqytetit. Mbi Fatos Goxhajn rëndon akuza e korrupsionit dhe e shpërdorimit të detyrës. Gjyqtari Sokol Tona pasi ka dëgjuar prokurorin Ndini Tavani dhe Avokatët mbrojtës të Fatos Goxhajt ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë së vendosur në datën 16 prill. Avokatët Vjollca Pustina dhe Agron Gurabardhi kanë kërkuar masë më të lehtë sigurie për Goxhajn me pretendimin se nuk plotësohen kushtet e masës së arrestit me burg për klientin e tyre. Sipas mbrojtjes masa e sigurisë është vendosur mbi prova të marra në kundërshtim me ligjin, duke iu referuar përgjimit të Goxhajt nga ana e prokurorisë. Vetë shefi i krimeve të komisariatit numër 1 i ka kërkuar gjykatës një masë më të lehtë sigurie për shkaqe familjare. Fatos Goxhaj akuzohet si i ka marrë një shumë prej 3000 eurosh shtetasit Ermal Alla në këmbim të lirimit nga akuza e armëmbajtjes pa leje të babait të tij. Sipas prokurorisë Alla ka denoncuar shefin e krimeve, pasi ky i fundit ka marrë lekët, por nuk ka arritur të lirojë nga akuzat babain e tij.